Shërbimi i deformuar i Buzhalës ndaj elitës së rrëzuar

Lajme

Shërbimi i deformuar i Buzhalës ndaj elitës së rrëzuar

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 09:22
Berat Buzhala

Berat Buzhala, ka tentuar të përdorë referenca letrare e filozofike për të dhënë një profil të deformuar të Albin Kurtit. Një profil, i cili që në fillim nuk është as kronikë e as narracion, e as qasje, por thjesht një deformim i realitetit që në këtë rast përfaqëson Albin Kurti e Vetëvendosja.

I dorëzuar se Albini nuk është më “rrezik” siç e ka pikturuar këto vite Buzhala dhe shokët e tij në shërbesat ndaj klikës së korruptuar të Kosovës, në shkrimin e djeshëm, ai tenton ta paraqesë kreun e Vetëvendosjes si politikani që kërkon “të nisë gjithçka nga zero”.

Njeriun që nuk njeh realitetin e Kosovës në vite, e i futet me një deficencë referenciale e historike edhe Krishtit, edhe Romës së Lashtë, po dhe dramaturgjisë angleze.

Kompleksi intelektual i Buzhalës, është i tiji dhe renditja e deformuar e qasjeve historike sipas midesë së katundit është gjithashtu punë e tij, se njerëzit nuk kanë ikë trush të analizojnë zhvillimin e historisë njerëzore nga Berati i Bazhalajve.

Por problemi, që ai shtron në shkrim, për ta demonizuar Albin Kurtin si “profet i rrënimit” është vetëm një përrallë sot aq e keqpërdorur, sa nuk ngjit më në asnjë qasje a diskutim politik në Prishtinë.

Albin Kurti, si një politikan, as ka qenë kundër Rambujesë e as kundër Vjenës, por që nga rinia e tij si aktivist e lider i rezistencës së rinisë së Kosovës, Albin Kurti ka pasur qasjet e tij për Rambujënë, për Vjenën e për Pakon Ahtisari. E pikërisht këto qasje, Albini i ka shpallur hapur e qartë që në fillim, se nuk ka kërkuar zgjidhje të mangëta por të plota për Kosovën, prej të cilave ka formuar edhe kauzën e lëvizjes Vetëvendosje, që nisi si reaksion popullor e sot është një alternativë qeverisëse.

Albin Kurti, e ka treguar në parlament, qeverisje vendore apo edhe në qeveri, që jo vetëm nuk është një njeri nihilist ndaj trashëgimisë dhe traditës së arritur të Kosovës, por ka qenë i vetmi politikan që ka plasuar koalicionin më kuptimplotë mes rezistencës luftarake dhe paqësore në një logjikë qeverisëse, siç ndodhi më 6 tetor me aleancën e tij me Vjosa Osmanin. Aleancë që me një shkathtësi politike e ka udhëhequr saktë, edhe pse përballë nuk ka pasur vetëm klikën e vjetër por edhe qarqe botërore si Grenell me shokë.

Profilizimi i Albinit, si njeriu që nuk njeh Rugovën, Thaçin, Isa Mustafën e të gjithë politikën e Kosovës me radhë është një logjikë foshnjarake që nuk ngjit aspak.

Kjo pasi Albini, ka qenë në koalicion me Isa Mustafën, Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn në vitin 2014 për të rezistuar ndaj Hashim Thaçit, i cili siç dhe e vërtetuan faktet historike kërkonte që të mbyllte një Pazar gjysmak me Beogradin. Nuk është faji i Albinit që me radhë: Isa, Ramushi e më pas Fatmiri preferuan pushtetin para kauzës. Ky aspekt ja vlen ta analizosh, në një lloj kronike shahistike të politikës, por jo të ndryshosh eventet a thua se njerëzit nuk kanë jetuar këtu.

Albini, nuk është një engjëll, por natyrisht nuk është një djall, ai është një politikan i gjallë që ka luftuar që prej ditës së parë me një logjikë, të cilën e ka sjellë në publik në mënyrën më të artikuluar dhe me një shqipe perfekte. Me një koncept natyrisht besnik i bindjeve të tij, por që ka tentuar aleanca me pjesë të shoqërisë kosovare, që ai nuk identifikohet por që kërkon të dialogojë e të bashkëpunojë. Vetëvendosja nisi si një forcë e së majtës, por fakt është që elektorati i kësaj partie është edhe më i gjerë se kaq. Nisi si narracion besnik i UÇK-së por që aleanca me Vjosa Osmanin, i ka dhënë Albinit një kredit si negociator i dorës së parë, e këtë e ka bërë në Mitrovicë me Bahtirin që s’vjen nga VV, në Skënderaj me Bekim Jasharin, në Prizren me Haskukën, e mbi të gjitha në Prishtinë me Shpend Ahmetin. Albini u nda me të, kur ish-kryetari i FER donte të merrte në duart e tij lëvizjen që Albini e lindi dhe nuk e ka korrur ende frutin që mbolli.

Po ta shohësh pa syzet e Beratit që i ka gjysëm thaç e gjysëm ramush, Albin Kurti është politikani që ka bërë koalicione e marrëveshje më shumë se asnjë politikan i elitës së vjetër të Kosovës. Dhe më e bukura: i ka bërë këto marrëveshje pa pasur pushtet në dorë.

Se të kesh qeverinë është e lehtë: njërit i jep dikaster, tjetrin e bën konsull, tjetrit ja bën dashnoren zëdhënëse, e tjetrin djalin ja çon në një ambasadë. E oligarkëve u jep tendera pa fund. Kjo është e thjeshtë.

Albin Kurti ka bërë marrëveshje parimore me të gjithë përveç Thaçit, kjo sepse ky i fundit ka qenë targeti real i kreut të Vetëvendosjes.

E shumë shpejt këtë koalicion do ta shohim të jetësohet në mënyrën më të mirë e më rezultativ. Që në Drenicë për Bekim Jasharin pas një viti e ndoshta edhe më lart. Albini ka qenë më luajali ndaj kolegëve me të cilët ka bërë marrëveshje.

E mbani mend stinën e lotsjellësve? Kur Ramushi ishte skifteri i sulmeve e kur dikush i ofroi marrëveshje u largua e tha: s’ban kshu me gjujt policët, jo unë s’kam luftu për këtë!

Po Isën, që formoi aleancën me Kurtin e kur Thaçi i tha bëju kryeministër e unë President u përgjigj: Pronto!

Ja ky është narracioni real, e jo mishmashet historikë e biblike të Berat Buzhalës…/Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat