Varianti i Covid-19 është shfaqur edhe në Serbi, Kosova e pambrojtur

Lajme

Varianti i Covid-19 është shfaqur edhe në Serbi, Kosova e pambrojtur

Më: 28 janar 2021 Në ora: 18:22
Ilustrim

Variante të reja të virusit COVID-19 kanë filluar të përhapen në shumë vende të botës. Së fundmi varianti i raportuar për herë të parë në Britani ka filluar të përhapet edhe në rajon. Serbia ka raportuar të dielën se një grua ka rezultuar pozitive me këtë variant. Ndërsa, varianti i ri tashmë ka filluar të përhapet edhe në Gjermani, Zvicër e Itali.

Derisa shumë shtete po ballafaqohen me përhapje të shpejtë të variantit të ri të koronavirusit, në vend ende nuk dihet nëse ndonjë lloj i këtij virusi është prezent, ndonëse paralajmërohet përhapja e tij edhe në Kosovë.

Shtete të afërta me Kosovën, përfshirë këtu edhe Serbia, tashmë kanë raportuar raste të infektuara me një variant të ri të COVID-19. Ndërsa, përveç Britanisë së Madhe, për ku janë ndaluar udhëtimet, ndaj asnjë shteti tjetër nuk janë marrë masa shtesë.

Dhjetëra mijëra qytetarë nga shtete të ndryshme po vazhdojnë të hyjnë në Kosovë.

Vetëm për një ditë, 19 mijë e 132 qytetarë kanë hyrë nga shtetet tjera në Kosovë (Nga e diela deri në gjysmën e ditës së hënë).

Një gjë e tillë është konfirmuar nga Policia e Kosovës.

Me përhapjen e mutacioneve të reja të virusit në shtete të ndryshme, infektologët në vend dhe jashtë vendit po paralajmërojnë prezencën e një varianti të ri të virusit edhe në Kosovë.

Infektologu Hamdi Ramadani ka thënë se masat mbrojtëse ndaj COVID-19 duhet të respektohen me rigorozitet.

Ai ka thënë se virusi është problematik dhe shumë rezistentë, pasi që ndërron strukturën e tij kur nuk largohet shpejtë .

“Virusi është problematik e ndërron strukturën e vet, pra formën antigjenike. E rëndësishme është që ai të eliminohet sa më shpejtë në mënyrë që të mos shfaqen mutacione tjera. Masat me rigorozitet duhet të respektohen”, ka theksuar ai.

Tutje Ramadani ka thënë se pa vaksinim dhe masa adekuate, nuk do të mund të eliminohet virusi.

“Pa vaksinim dhe mbrojtje të qytetarëve me anë të masave adekuate virusi nuk do të eliminohet. Shpresoj që imunizimi dhe vaksinimi bëhet në ditët e ardhshme. Nëse kjo ndodh, në 100 ditëshin e ardhshëm situata në Kosovë do të kthehet në normalitet”, shtoi ai.

Derisa variante të reja të koronavirusit po përhapen me shpejtësi, nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë marrë masa shtesë ndaj vendeve ky ka filluar përhapja e këtyre varianteve.

Zyra për informim në këtë ministri ka thënë se janë duke përcjellur gjendjen me mutacionet e reja gjenetike dhe varësisht prej zhvillimeve në rajon do të sillet edhe vendi.

“Kosova përmes IKSHPK’së po e përcjell gjendjen rreth pandemisë dhe mutacioneve te reja gjenetike lidhur me virusin SARS COV-2. Varësisht prej zhvillimeve në rajon, do të sillet edhe shteti ynë”, është thënë nga kjo zyrë.

Sipas MSH’së, as Kosova dhe as shtetet fqinje nuk kanë aplikuar ndonjë masë të rreptë kufizuese ndaj njëra tjetrës duke u bazuar në situatën epidemiologjike qe ka secili shtet brenda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat