A i refuzoi vaksinat nga Amerika, Ministria e Shëndetësisë?

Lajme

A i refuzoi vaksinat nga Amerika, Ministria e Shëndetësisë?

Më: 19 mars 2021 Në ora: 14:59
Foto ilustrim

Tash e disa ditë janë ngritur disa dyshime se Ministria e Shëndetësisë ka refuzuar ndihmën e ambasadës amerikane për blerjen e vaksinave. Madje, profesori Safet Merovci  ka  kërkuar që  prokuroria të merret me këtë rast. Mirëpo, Ministria e Shëndetësisë ka një version tjetër për këtë ngjarje.

Janë bërë më shumë se një vit prej kur u shfaqën rastet e para me COVID-19 në Kosovë, mirëpo ende nuk ka filluar vaksinimi i popullësisë.

Madje çështja e vaksinave ngriti shumë spekulime rreth (pa)aftësisë së organeve kompetente për sigurimin e tyre.

Akuza e fundit që iu bë qeverisë ishte nga profesori Safet Merovci. Ai tha që qeveria amerikane ia kishte mundësuar Kosovës ta blejë vaksinën, por Qeveria e Kosovës nuk kishte pranuar të paguajë për to.

“Mbrëmë në emisionin e Jeta Xharra: “Një vit me COVID-19, rrëfimi i Lul Rakës”, doli e dhëna se qeveria amerikane, sipas Ambasadës së ShBA në Prishtinë, i ka ofruar mundësinë Kosovës që ShBA ta blejë vaksinën për covid-19 në emër të saj, por që qeveria e Kosovës nuk ka pranuar ta paguajë atë vaksinë! Shtrohet pyetja logjike: a nuk ka shteti ynë para për këtë vaksinë, apo oferta ishte njëburimore, ndërsa me qeverinë e Joe Biden nuk ka ‘lojëra’ me tenderë?”, ka shkruar Merovci.

Nga Ministria e Shëndetësisë, e kanë mohuar një gjë të tillë.

“Do të ishte turp veç të mendohet që Kosova refuzon ndihmën amerikane në blerjen e vaksinave, e lëre më të ndodh. Kushdo që ngre një kësi spekulimi, është për keqardhje.”, kanë thënë nga MSH.

Kosova është i vetmi vend në rajon që ende nuk ka siguruar vaksinën kundër COVID-19, ndërsa Qeveria në detyrë ka premtuar se vaksinat do të vijnë brenda javësh.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kishte paralajmëruar që në shkurt të këtij viti për ardhjen e vaksinës anti-COVID. Pos tij, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, kishte thënë se vaksinat do vijnë gjatë muajit mars, gjithsej 33.000 doza./ fakteplus.

Kurse, tash është thënë se në javët e ardhshme pritet të vijnë vaksinat e para në Kosovë, të kompanisë Astra Zeneca përmes COVAX-it.

Astra Zeneca u refuzua nga shumë shtete për shkak të lidhjes me disa vdekje, mirëpo Agjencia Evropiane e Barnave dje doli në përfundim që kjo vaksinë është e sigurt dhe efektive.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat