Ministri i Jashtëm gjerman viziton Kosovën dhe Serbinë

Lajme

Ministri i Jashtëm gjerman viziton Kosovën dhe Serbinë

Më: 21 prill 2021 Në ora: 14:11
Shefi i diplomacisë gjermane Heiko Maas

Shefi i diplomacisë gjermane Heiko Maas, të enjten do të vizitojë Prishtinën, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Berlin.

Një ditë më vonë, Maas do të vizitojë edhe Beogradin.

Sipas zëdhënëses së kësaj ministrie Maria Adebahr, Maas do të diskutojë me zyrtarë të Kosovës dhe Serbisë, edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Vizita e shefit të diplomacisë gjermane vjen pas raportimeve mediale në rajonin e Ballkanit Perëndimor lidhur me mundësinë e ndryshimit të kufijve në mes të shteteve.

Siç kanë raportuar disa media, kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha i ka dorëzuar Brukselit zyrtar, të ashtuquajturën “non-paper”, ku thuhet se procesi i dezintegrimit të ish-Jugosllavisë nuk është finalizuar.

Qeveria gjermane ka reguar lidhur me këto raportime dhe i ka hedhur poshtë këto ide.

“Qeveria gjermane hedh poshtë idenë për ndryshim të kufijve sipas linjave etnike në Ballkanin Perëndimor. Këto ndryshime të kufijve me siguri do të rrisnin jostabilitetin në rajon, duke shkaktuar kriza të reja”, është thënë javën e kaluar në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga ministria për Punë të Jashtme e Gjermanisë.

Ministri gjerman për Evropën Michael Roth ka thënë përmes një postimi në Twitter se e konsideron idenë e ndryshimit të kufijve si të “rrezikshme”./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat