Fuqia e bandave/ Tentohet t’u mbyllet goja atyre që flasin për vrasësit e Oliver Ivanoviç

Lajme

Fuqia e bandave/ Tentohet t’u mbyllet goja atyre që flasin për vrasësit e Oliver Ivanoviç

Më: 4 dhjetor 2021 Në ora: 10:54
Oliver Ivanoviç

Gjykata Themelore në Beograd ka hedhur poshtë padinë që ishte bërë nga Milan Radojiçiç-i kundër aktivistes politike Rada Trajkoviç, e cila ishte paditur “për dëmtim të reputacionit”.

Para kësaj padie, njëjtë ishte hedhur poshtë edhe ajo e kreut të Shërbimit të Inteligjencës në Serbi, Bojan Dimiç.

Të dy këta e kishin akuzuar atë “për dëmtim të imazhit”, pasi Trajkoviç në vitin 2019 në një paraqitje për media kishte folur për vrasjen e liderit të Iniciativës Qytetare Serbe, Oliver Ivanoviç, për të cilin dyshohet se u vra nga rrjeti mafioz në veri që udhëhiqet pikërisht nga Radojiçiç.

“Të dyja paditë në thelb ishin presion ndaj meje”, ka thënë Trajkoviç në një prononcim për RTV Kim, pas vendimit të gjykatës.

Ajo është shprehur e shqetësuar me mënyrën se si po ecën rasti për vrasjen Ivanoviç, duke pohuar se “kemi dëshmitarë që ndryshojnë deklaratat e tyre dhe gjithçka është e paqartë,”.

Por ajo vetë, thotë se “nuk e ndryshoj atë që di dhe mendoj se është e vërtetë, pa marrë parasysh presionet apo ofertat e çfarëdo lloji”.

“Thjesht mendoj se ia kemi borxh Oliverit, dhe ia kemi borxh vetes, serbëve, që askush të mos na mbyllë dot në atë mënyrë, dhe sidomos jo në mënyrën se si u hesht për Oliverin”.

“Gjithçka që di për vdekjen e tij dhe gjithçka çfarë mund të ndihmoj, do të jap kontributin tim të plotë duke paguar çmimin dhe tashmë po e paguaj në një masë të mirë”.

“Nuk ka asnjë mënyrë dhe metodë që do të më bëjë të mos insistoj për këtë”, deklaroi ajo.

“Vuajtja e Oliverit është diçka që tejmbushte gotën”, thotë ajo duke iu referuar edhe rasteve të tjera kur mafia serbe në Kosovë heshti personat të cilët flisnin hapur kundër tyre.

Trajkoviç ka shprehur shqetësim edhe me procesin gjyqësor në rastin e Ivanoviç-it, duke e quajtur gjykatën “plotësisht joefikase”.

“Gjykata detyrohet gjithashtu një shpjegim se pse fletarrestet për Milan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin, të cilët akuzohen si udhëheqës të grupit kriminal që mori pjesë në vrasjen e Ivanoviqit, u anuluan”.

Trajkoviç ka folur edhe për personat e afërt të Ivanoviç që tash nuk po guxojnë të flasin për vrasjen e tij, sic ishte rasti edhe në seancën e fundit me Ksenija Bozoviç-in, ish-nënkryetarja e partisë së Oliver Ivanoviçit, e cila nuk përmendi me emër grupet e organizuara kriminale për të cilët e kishte paralajmëruar Ivanoviç.

“Nëse dikush ju thotë të keni frikë nga grupet e organizuara kriminale, duhet t’ju kishin thënë se kush janë atë. Nuk mund ishit ruajtur nga të gjithë qytetarët e Veriut të Mitrovicës,” i pati thënë kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj, Bozovicit.

Ndërsa Bozovic u shpreh se “nuk më është thënë kurrë nga Ivanoviç specifikisht se nga kush ishte i rrezikuar”.

Katër nga të pandehurit në gjyq – Marko Rosiç, Silvana Arsoviç, Rade Basara dhe Nedeljko Spasojeviç – akuzohen si anëtarë të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale që vrau Ivanoviçin jashtë zyrës së partisë së tij politike në Mitrovicë në janar 2018.

Dy oficerë policie, Dragisha Markoviç dhe Zarko Jovanoviç, janë gjithashtu në gjyq, të akuzuar për manipulim të provave në këtë rast. Të gjithë të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.

Biznesmenët serbë të Kosovës Milan Radoiçiç dhe Zvonko Veselinoviç janë akuzuar si udhëheqës të grupit të organizuar kriminal që vrau Ivanoviç-in.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat