Dorëzohet Vuçiqi pas refuzimit të Kurtit për zgjedhje, ky është vendimi i tij i fundit

Lajme

Dorëzohet Vuçiqi pas refuzimit të Kurtit për zgjedhje, ky është vendimi i tij i fundit

Më: 22 mars 2022 Në ora: 16:00 Përditësuar në ora: 19:37 më 22.03.2022
Aleksandar Vuçiq

Vuçiq: Serbët e Kosovës do të votojnë në Serbi

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Kosova ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i kërkojë drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe të parlamentare më 3 prill, gjegjësisht “që Serbia ta pranojë Kosovën”.

Vuçiq ka thënë se Serbia nuk ka pranuar të bëjë diçka të tillë.

Ai tha se sot për herë të parë nuk ka pasur “aktivitete të dakorduara dhe të koordinuara” me serbët e Kosovës dhe se është befasuar nga “propozimet radikale” të tyre.

“I kam lutur që të kenë durim dhe të numërojmë deri në dhjetë”, theksoi Vuçiq.

Serbët e Kosovës, siç tha Vuçiq, kanë kërkuar që menjëherë të largohen nga të gjitha institucionet dhe që "435 policë t’i lënë armët dhe të braktisin policinë".

Vuçiq theksoi se edhe “njerëzit nga jugu” u pajtuan me këtë “për herë të parë”, të udhëhequr nga Dalibor Jevtiq.

Unë i pyeta, e bëjmë sot, por çfarë një ditë pas? Ne do të marrim barrën financiare, por të nesërmen kam frikë se mund të hyjmë në rrethin vicioz të konflikteve të luftës”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se u ka kërkuar përfaqësuesve serbë të Kosovës që bisedimet të vazhdojnë më 8-9 prill.

Vuçiq gjithashtu theksoi që për serbët e Kosovës do të përgatiten vendvotime në komunat në Serbinë qendrore.

Vuçiq i bëri këto komente pas takimit më 22 mars me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Takimi pasoi njoftimin e BE-së se autoritetet në Kosovë e kanë refuzuar kërkesën e Quint-it për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë të 3 prillit.

Ndërkaq, nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, tha gjatë konferencës të përbashkët me Vuçiqin, se vendimi i autoriteteve të Kosovës është mohim i të drejtave të njeriut.

Ai tha se serbët do të protestojnë në jug dhe veri të Ibrit të premten lidhur me moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Ndryshe, Vuçiq tha se sot është takuar edhe me ambasadorët e vendeve të Quint-it në Beograd, si dhe me ambasadorët e Kinës dhe Rusisë.

Sot, po ashtu, është mbajtur edhe një seancë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ministrat e Mbrojtjes dhe të Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq dhe Aleksandar Vulin, ish-kryeparlamentari Ivica Daçiq, si dhe zyrtarë të tjerë dhe përfaqësues të strukturave të sigurisë.

Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të martën, më 22 mars, në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.

“BE-ja ka vepruar si lehtësues, përfaqësuesi i Lartë ishte i angazhuar në kontakte për të gjetur marrëveshje për zgjidhje praktike që do t’u mundësonte qytetarëve me dyshtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. Kemi bërë përpjekje të gjejmë zgjidhje praktike duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votime në të kaluarën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, duke pohuar se Serbia ka luajtur rol konstruktiv e Kosova ka refuzuar.

“Duke pranuar se Serbia ka qenë e hapur për gjetjen e zgjidhjes, ne shprehim keqardhje se konsensusi mes palëve në fund nuk u arrit pas vendimit të Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të Quint-it”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Detajet e propozimit të Qunt-it, ende nuk janë bërë të ditura.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë raportimit para një komisioni parlamentar, tha se ka paskatësi në konstatimin se Kosova ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë do të ishte jokushtetuese.

"Ne nuk kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është jokushtetuese. Por, mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë pa aprovim të institucioneve të Kosovës, si instancë sovrane, pas një kërkese nga institucionet e Serbisë, është jokushtetuese", tha Bislimi.

Ai po ashtu tha se edhe për praktikat e mëhershme për zgjedhjet serbe në Kosovë, ka "pajtim, konsensus të përgjithshëm edhe brenda Quint-it" se ato kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

"Përpjekjet e Quint-it kanë qenë që të gjejmë një modalitet i cili e tejkalon atë shkelje të Kushtetutës që ka ndodhur përpara", tha Bislmi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën pas takimin me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës, se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.

Nga OSBE-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e 3 prillit, por me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse.

***

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është në panik pas përgjigjes së Qeverisë së Kosovës, sipas deklarimit të Bashkimit Evropian, kundër mbajtjes së zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës.

Siç raporton “Blic” në Serbi, Vuçiq e ka lëshuar para kohës seancën e Këshillit Kombëtar të Sigurisë për t’u takuar me përfaqësuesit e QUINT-it, nga të cilët ka kërkuar konsultime urgjente.

Takimi është paraparë të fillojë rreth orës 15:15.

Serbët e Kosovës kanë planifikuar të largohen nga të gjitha institucionet, përfshirë edhe nga Policia e Kosovës dhe të kundërvihen në mënyrë paqësore dhe demokratike.

Pas takimit me Quint, Vuçiq do të bisedojë me ambasadorin rus dhe të ngarkuarin me punë të ambasadës kineze, ndërsa gjatë mbrëmjes është e mundur mbajtja e një seance tjetër të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Përfaqësuesit serbë në Kosovë i kanë bërë thirrje presidentit Vuçiq që të aplikojë masa radikale për situatën në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat