​Komunat serbe vazhdojnë t’i injorojnë institucionet qendrore, japin pak të dhëna në raportet e performancës

Lajme

​Komunat serbe vazhdojnë t’i injorojnë institucionet qendrore, japin pak të dhëna në raportet e performancës

Më: 7 prill 2022 Në ora: 13:46
Raportet e performancës së komunavë të Kosovës

Raportet e performancës pas miratimit të ligji për performancën komunale në Kuvendin e Kosovës, nuk do të jenë vetëm zgjedhje e komunave, por edhe obligim ligjor për të gjitha.

Kështu ka thënë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniq gjatë tryezës së organizuar nga kjo ministri, ku u diskutua për rezultatet e raportit të matjes së performancës së komunave për vitin 2020.

Performanca sipas 19 fushave të kompetencave del të jetë e njëjtë në vitin 2020, krahasuar me vitin 2019. Derisa në vitin 2019, performanca sipas fushave shprehej në 58.78 për qind, në vitin 2020 rezulton me 57.06 apo 1.72 për qind më pak, që do të thotë se komunat përkundër pandemisë kanë arritur të kenë konsistencë pothuajse të njëjtë në ofrimin e shërbimeve krahasuar me vitin paraprak.

Në raport thuhet se për shkak të mosraportimit të të dhënave në një numër të konsideruar të fushave, rezultatet e fituara nuk janë të plota në Zubim Potok (1.7.4 %), Mitrovica e Veriut (2%), Kllokot (21.65 %), Zveçan (15.06), Novobërdë (15.99), Leposaviq (15.86 %), Partesh (21.29 %) dhe Graçanicë (28.82 %). Mungesa e të dhënave dhe cilësia e dobët e raportimit në këtë komunë, jo vetëm që nuk pasqyron mjaftueshëm nivelin e të arriturave në kuadër të treguesve të matjes, por ndikon edhe në rezultatet e grantit të performancës.

Krasniqi: Performanca pas miratimit të ligjit nuk do të jetë vetëm zgjedhje e komunave por obligim ligjor

"Tanimë veç ka kaluar në lexim të parë dhe grupet punuese në Kuvend së bashku me neve të përgatisin draftin final dhe i cili do të votohet dhe performanca nuk është pas këtij momenti vetëm zgjedhje e komunave por edhe obligativ ligjor dhe e kemi formalizu pozicionin e koordinatorëve të performancës në nivel lokal të cilët janë shumë të rëndësishëm", tha ai.

Drejtori i depertamentit për performancë dhe transparencë komunale, Diellor Gashi tha menaxhimi i performancës ka bazë të mirë ligjore për shkak të dokumenteve që kanë përgatitur.

Ai tha se kishin sfida gjatë punës për këtë raport, pasi përveç vitit të pandemisë dhe zgjedhjeve komunale në disa komuna, sfidë ishte edhe verifikimi i të dhënave gjatë performancës së komunave.

Gashi: Për grantet do të bëhet kategorizimi i rregullt i financimit të komunave nga buxheti i shtetit

“Raportimi do të obligativ në secilën komunë dhe më e rëndësishmja është se me grantet për performancë do të bëhet kategorizimi i rregullt i financimit të komunave nga buxheti i shtetit, duke lënë mundësinë e hapur nga donatorët me fondet e tyre. Raporti i performancës siç e theksova tashmë mbledh të dhëna në kuadër të 19 fushave të matjes të cilat burojnë nga kompetencat vetanake të cilat i parasheh ligji për vetëqeverisje lokale... Për mbi 30 përqind të të dhënave të cilat janë pranuar nga komunat janë shpall të pavlefshme për shkak të mungesës së ndërlidhjes së tyre me dokumentet burimore zyrtare. Gjithashtu, ka pas edhe të dhënave që nuk kanë korespodu në mes të fushave, janë disa të dhëna konstante që neve na kanë shkaktuar telashe në konstatimin e vlerës përfundimtare të tyre dhe pjesa tjetër ka qenë verifikimi në terren që pavarësisht gjërat e caktuara në dokumentet e komunës nuk kanë korespodu me gjetjen e komisionit në terren “, tha ai.

Përfaqësues të komunës së Malishevës kërkuan që afat i dorëzimit të raporteve komunale, kanë kërkuar që të jetë 45 ditë pune dhe jo 45 ditë, ku përfshihen vikendet e festat.

Atij iu përgjigj sekretarja e ministrisë, Venera Çerkini.

Çerkini: Për zgjatje të afatit duhet diskutim me të gjitha komunave

“Gjithashtu, afati kohor për neve për vlerësim të pritshmërisë është tepër i shkurtër. Mirëpo sa i përket këtij afati, ju e dini që ka mundësi edhe për afat shtesë nëse ka arsye, por për ndryshe për afatet shumë të gjatë, duhet të diskutohet edhe me komuna për të parë nëse duhet të shtyhet afati“, tha ajo.

Sipas raportit, krahasuar me vitin 2019, ku transparenca renditej në vendin e tretë, në vitin 2020, ajo renditet në vendin e parë, me një rritje prej 4.34 %, në nivel të përgjithshëm të rezultateve brenda treguesve të fushës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat