Tre shtetas të Serbisë janë ndaluar nga Policia e Kosovës në Gjilan, pasi gjatë kontrollit të automjetit me të cilin po udhëtonin janë gjetur dhe konfiskuar substanca të dyshuara narkotike.
Rasti ka ndodhur më 16 nëntor, rreth orës 02:30, kur policia ka ndaluar një veturë me targa të huaja, në të cilën ndodheshin tre persona, dy meshkuj dhe një femër, transmeton “Bota sot”.
Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe konfiskuar 12.04 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, si dhe një cigare të mbushur me marihuanë, me peshë 1.36 gramë.
Të tre të dyshuarit janë arrestuar dhe janë intervistuar nga organet kompetente. Me urdhër të prokurorit, ata janë liruar, ndërsa rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.