Mediumi serb thotë arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Lajme

Mediumi serb thotë arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Më: 21 prill 2022 Në ora: 16:54
Pamje nga takimi në Bruksel

Prishtina dhe Beogradi kanë rënë dakord që të shkëmbejnë të dhëna arkivore që mund të ndihmojnë në gjetjen e personave të zhdukur nga të dyja palët, raporton mediumi serb N1.

Informacioni do të jepet “me kërkesë” nga dy palët për qasjen në arkiva dhe jo automatikisht.

Ndërkaq çështja e arkivave ishte njëra nga pengesat në dialog, teksa Serbia insistonte në “hapjen e arkivave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” kurse Kosova pretendonte se arkiva të UÇK-së nuk ekzistojnë, por vetëm ato të asaj periudhe.

Ndryshe, të enjten është mbajtur takimi mes palës kosovare dhe asaj serbe në kuadër të dialogut.

I dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë –Serbi, Miroslav Lajçak, është deklaruar pas takimit me dy kryenegociatorët e të dyja shteteve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, në lidhje me marrëveshjen për targa.

Në një postim në Tëitter, Lajçaku ka shkruar se takimi i sotëm mes Kosovës dhe Serbisë është “në rrugë të mbarë”.

Ne kemi një agjendë të plotë të çështjeve aktuale, duke përfshirë targat, zbatimin e marrëveshjeve të kaluara të dialogut dhe përgatitjen e terrenit për një takim të ardhshëm të nivelit të lartë”, ka shkruar Lajçaku.

Kujtojmë se sot, Kosovës dhe Serbisë u skadon afati për të arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me targat e veturave serbe dhe atyre kosovare që hyjnë dhe dalin nga kufijtë e dy shteteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat