VOA/ Festivali Sunny Hill – megjithatë mbahet në Prishtinë

Lajme

VOA/ Festivali Sunny Hill – megjithatë mbahet në Prishtinë

Më: 20 qershor 2022 Në ora: 16:44
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës dhe komuna e Prishtinës thanë të hënën se festivali Sunny Hill, i themeluar nga Fondacioni me këtë emër i këngëtares me famë botërore, Dua Lipa, megjithatë, mbahet në Prishtinë.

Në një deklaratë të përbashkët me organizatorët e festivalit, thuhet se festivali do të mbahet në Prishtinë, nga 4 deri më 7 gusht.

Një javë më parë, organizatorët thanë se festivali po zhvendosej në Tiranë, meqë mosmarrëveshjet politike pamundësuan mbajtjen e tij në Prishtinë.

Komuna e Prishtinës kishte vendosur më 10 maj t'i jap festivalit në shfrytëzim një pronë prej 17 hektarësh për 99 vjet. Më 16 maj vendimi i është dërguar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal "për shqyrtim të ligjshmërisë".

Kjo ministri tha në një reagim se nuk e ka anuluar apo rikthyer në shqyrtim vendimin e Komunës së Prishtinës, por ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë të cilat mungojnë.

Të hënën, qeveria e Kosovës, komuna e Prishtinës dhe Festivali Sunny Hill thanë një komunikatë të përbashkët se “bashkuan forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë”.

Në komunikatë thuhet se të gjithë shprehin gatishmërinë që “çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Synimi i përbashkët është që nga viti i ardhshëm, festivali Sunny Hill të organizohet në lokacionin e vet afatgjatë”.

Organizatorët thanë se pjesëmarrës në festival sivjet do të jenë mes tjerësh edhe Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe interpretues shqiptarë, dhe gjithashtu do të marrin pjesë edhe "dy artistë të mëdhenj botërorë", emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur.

“Në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht”, thuhet në komunikatë.

Këngëtarja Dua Lipa, u shpreh e gëzuar me vendimin për festivalin.

Festivali Sunny Hill filloi në vitin 2018 në Prishtinë dhe u mbajt sërish në vitin 2019. Ndërsa pandemia e COVID-19 pamundësoi mbajtjen e tij më 2020 dhe 2021.

Njoftimi pasoi një javë debatesh e reagimesh rreth zhvendosjes së festivalit që sipas organizatorëve, i ka siguruar Kosovës jo vetëm vëmendjen ndërkombëtare por edhe një vlerë të rëndësishme ekonomike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat