​Samiti i NATO-s në Madrid, merr pjesë edhe Rama

Lajme

​Samiti i NATO-s në Madrid, merr pjesë edhe Rama

Më: 29 qershor 2022 Në ora: 08:47
Foto ilustrim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Spanjë ku do të marrë pjesë në punimet e Samitit të NATO-s që do të zhvillohet ditën e mërkurë dhe të enjte në Madrid.

Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama ishin të ftuar dje në darkën mbretërore gala organizuar nga Madhëria e Tij, Mbreti Felipe VI i Spanjës dhe Mbretëresha Letizia në Pallatin Mbretëror të Madridit, ku morën pjesë kryetarët e qeverive dhe të shteteve anëtare të NATO-s.

Ditën e mërkurë, Rama, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë në Samit do të mirëpriten nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s z. Jens Stoltenberg dhe Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez.

Në vijim, Rama do të ndjekë seancën plenare të Samitit, ku të pranishëm do të jenë edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.

Fjala e hapjes së Samitit do të mbahet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez, do të mbajë një fjalë përshëndetëse.

Samitin do t’i adresohet online edhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.

Pas përfundimit të seancës plenare, kryetarët e shteteve dhe të qeverive, pjesëmarrës në Samit do të vizitojnë ekspozitën e teknologjisë së NATO-s.

Pasditen e së mërkurës, Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama do të vizitojnë Muzeun Kombëtar Prado, në Madrid, e më pas kryeministri Rama do të marrë pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez.

Samiti i NATO-s do të vijojë punimet të enjten, në ditën e dytë të tij, ku Rama do të marrë pjesë, së bashku me ministrat Xhaçka dhe Peleshi.

Në këtë seancë, Samitit do t’i drejtohet edhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s Gerald Connolly.

Në ditën e dytë të punimeve të Samitit, kryeministri Rama do të zhvillojë një takim bilateral me kryeministren e Suedisë Magdalena Andersson.

Në përfundim, Rama do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me Enagás, e cila është një kompani spanjolle energjetike dhe operator evropian i sistemit të transmetimit, i cili zotëron dhe operon rrjetin e gazit të Spanjës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat