NATO diskuton për ndikimin rus në Ballkan: Duhet më shumë Evropë në këtë rajon

Lajme

NATO diskuton për ndikimin rus në Ballkan: Duhet më shumë Evropë në këtë rajon

Më: 30 nëntor 2022 Në ora: 23:27
NATO

Në ditën e dytë të takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bukuresht të Rumanisë, është folur për ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, dhe nevojën e rritjes së vëmendjes evropiane për këtë rajon.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, bëri të ditur se prej shteteve të Ballkanit që ka më shumë presion rus është Bosnje e Hercegovina.

“Unë mendoj se për të qenë në gjendje t’iu rezistojmë përpjekjeve të ndërhyrjes dhe ndikimit rus, një nga gjërat më të rëndësishme që duhet bërë është të përfundojë formimi i qeverisë pas zgjedhjeve”, tha Stoltenbergu për BeH-në.

Bosnja ka kaluar krizën e saj më të keqe politike që nga fundi i luftërave ballkanike të viteve 1990, me serbët e Bosnjës që sfidojnë institucionet shtetërore si pjesë e përpjekjes së tyre të gjatë për t’u shkëputur, dhe raportohet se ata janë të inkurajuar nga mbështetja e heshtur e Rusisë.

Ministri i Jashtëm i Estonisë, Urmas Reinsalu, e ka krahasuar Rusinë me një “bishë”, duke thënë se dëshiron të marrë kontrollin e Ballkanit Perëndimor.

“Mesazhi është i qartë: se të gjithë aleatët e NATO-s janë të vetëdijshëm se bisha gjithashtu dëshiron të marrë kontrollin e Ballkanit Perëndimor dhe ne kemi nevojë për mbështetje praktike dhe të arritshme për t’i ndihmuar këto vende të mbijetojnë”, tha për Reuters, Reinsalu.

Për të njëjtën çështje u deklarua edhe ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, i cili tha se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është i rëndësishëm për paqen.

“Ne duhet të ndalojmë rusët në Ballkanin Perëndimor, kemi nevojë për më shumë Evropë”, tha Tajani.

Ndër tjera në këtë mbledhje dy ditore është folur edhe për dy shtete ish-sovjetike, Moldavia dhe Gjeorgjia, të cilat kanë rajone separatiste të pushtuara nga trupat ruse, shkruan Reuters.

Liderët e BE-së do të mbajnë një samit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Tiranë javën e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat