BE me sulme kundër Serbisë, irritohet ministri serb i Mbrojtjes

Lajme

BE me sulme kundër Serbisë, irritohet ministri serb i Mbrojtjes

Më: 20 janar 2023 Në ora: 16:54
Millosh Vuçeviç

Beogradi është i tronditur nga ‘batareja’ e sulmit ndërkombëtar, sidomos nga ana e Bashkimit Europian kundër Serbisë. Pas rezolutës së Parlamentit Europian që bllokon ecjen përpara drejt anëtarësimit, një fakt edhe më i bujshëm e ka vendosur Serbinë nën ‘darën’ ndërkombëtare.

Agjencia e lajmeve ruse RIA Novosti ka publikuar një dokumentar me vullnetarët serbë që po luftojnë në Ukrainë, sipas gjasave për t’i bërë shantazh. Nga ky publikim ka nisur një breshëri sulmesh kundër Serbisë.

Qeveria serbe ka vijuar gjuhën e saj të njohur se “ka propagandë kundër nesh”, por asgjë nuk pi ujë më.

Daniel Smith, një ekspert i njohur i Ballkanit që punon për organizata të njohura ndërkombëtare ka publikuar videon e vullnetarëve serbë në rrjetin e tij social, duke akuzuar Beogradin për hipokrizi.

“Vullnetarët serbë po stërviten me rusët për të luftuar kundër Ukrainës. A mund të jetë kështu Serbia një vend kandidat për në BE- ka" shkruar Smith në Twitter.

Por reagimi dramatik ka ardhur nga ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, i cili siç bën të ditur ‘Vecernje Novosti’, ka lëshuar alarmin se asocacioni i komunave serbe po bëhet si një lloj OJF-je dhe draftin po e përgatit Fondacioni Fridrich Ebert, një ‘think tank’ pranë Partisë Socialdemokrate Gjermane, e cila ndihmon partinë e saj simotër në Kosovë: Lëvizjen Vetëvendosje.

Siç bën të ditur ‘Novosti’, Vuçeviç deklaroi se: “Jemi të shqetësuar se Perëndimi e sheh Asocacionin e Komunave Serbe si një lloj OJQ-je, përafërsisht si një brigadë zjarrfikëse vullnetare. Madje më shqetëson edhe më shumë kur dëgjoj se Fondacioni Friedrich Ebert po shkruan statutin e Asocacionit. Pra një organizatë joqeveritare gjermane  dhe jo serbët e Kosovës”, tha ministri serb i Mbrojtjes, i cili njihet edhe si një nga më besnikët e Vuçiçit në qeveri.

Beogradi prej kohësh ka marrë tmerr nga Gjermania dhe e shikon qeverinë e Olaf Shcols si një armike të Serbisë. Madje ka arritur deri aty sa t’i quajë amerikanët “të moderuar” e gjermanët “skifterë”. Kur faktikisht ishte SHBA që bombardoi Serbinë e çliroi Kosovën, por duket se Vuçiç me dinakëri kërkon të diferencojë Perëndimin.

Më pas Vuçeviç, ka sjellë një detaj më shumë në lidhje me Asocacionin që pritet të diskutohet në tavolinë. E që siç duket, lidhjen me Beogradin, organizmi i krerëve të komunave serbe do ta ketë vetëm për çështje të arsimit dhe shëndetësisë. Që do të thotë vetëm do të marrin kurrikulat e lëndëve në shkolla, si dhe mbështetje humanitare për shëndetësinë.

Por më pas, del edhe synimi i Beogradit se ky synon ta çojë zërin në negociata në lidhje me ZSO-në siç quhet në serbisht asocacioni. E ka të bëjë me policinë, ku Beogradi kërkon të emërojë sërish njerëz- vegla qorre të tij.

Ministri i Mbrojtjes ka thënë për ‘Veçernie Novosti’, se “Nuk ka kuptim të formohet një organ ku do të mblidhen dhjetë kryetarë komunash për të pirë kafe”, shtoi se mbi të gjitha këmbëngulin në kompetencat e tyre në çështjet e sigurisë, struktura e policisë, kompetenca gjyqësore, vendimet administrative, kompetenca ekzekutive dhe legjislative.

E në pyetjen pasardhëse, ka ardhur edhe një përgjigje shumë e rëndësishme, e cila ka të bëjë tashmë me fazën finale, ku po hapet rruga natyrshëm për njohjen de fakto të shtetit të Kosovës.

Vuçeviç, i pyetur nga gazetarët se sipas ligjeve të kujt vendi do të formohet Asocacioni, u përgjigj: “Të mos i gënjejmë kot qytetarët se do të bëhen sipas ligjeve të Serbisë. Jo, ai institucion do të ngrihet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Prishtina aktualisht po e menaxhon atë territor”, tha ministri i cili akuzon Francën dhe Gjermaninë se po i afron Serbisë një “plan skandaloz të paketuar bukur”.

Ndërkaq, Vuçeviç ka folur edhe për qëndrimin e SHBA-së ndaj Serbisë, si dhe për deklaratën e tij të mëparshme se në tre muajt e fundit qëndrimi i SHBA-së për çështjen e Kosovës ishte më korrekt se ai i disa vendeve evropiane. I pyetur se çfarë do të thotë konkretisht, ai tha se ata nuk kanë hequr dorë nga politika dhe agjenda e tyre zyrtare në kontekstin e pavarësisë së Kosovës dhe se nuk duhet të ketë keqkuptime.

“Ata e shohin Kosovën si një histori që është e përcaktuar në kuptimin e pavarësisë së atij territori, por kanë treguar dëgjim, takt dhe mirëkuptim për të dëgjuar argumentet serbe. Përshtypja ime është se përfaqësuesit amerikanë thonë qartë se nuk duan përshkallëzim të mëtejshëm, konflikte të mëtejshme në këto zona, nuk duan një zjarr të ri në tokën e Evropës – tha Vuçeviç në intervistën televizive që e sjell ‘Veçernje Novosti’ në edicionin online.

Vuçeviç ka lavdëruar shumë edhe Chris Hill-in, me shpresën se SHBA do të ndikohen e do të ndërhyjnë për të ndryshuar kompetencat e draftit të Asocacionit.

Ambasadori Hill ishte shumë korrekt, e sot mund të them hapur se SHBA na kuptojnë më mirë se Europa për momentin”, përmbylli ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat