“Asociacionin jo siç e dëshiron Kosova, por siç e kërkon Beogradi”, Petkoviq flet për ‘pesë konkuzionet’ e djeshme

Lajme

“Asociacionin jo siç e dëshiron Kosova, por siç e kërkon Beogradi”, Petkoviq flet për ‘pesë konkuzionet’ e djeshme

Më: 14 prill 2023 Në ora: 10:45
Petar Petkoviq

Të ashtuquajturat “pesë konkluzione” që nxori Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me serbët e Kosovës dhe Listën Serbe në Rashkë, krynegociatori i palës serbe, Petar Petkoviq, tha se ato do të bëhen edhe pjesë e kornizës negociuese për palën serbe në dialogun e Brukselit.

Prej këtyre kushteve që përfshin kërkesën për themelimine “e menjëhershëm” të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe dhe kërkesën për tërheqjen “e të gjitha” njësive speciale policore nga veriu i Kosovës, Petkoviq thotë se ato do të miratohen edhe në qeverinë serbe.

Në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Petar Petkoviq, tha se ajo duhet të bëhet siç e kërkon Beogradi, dhe jo siç e vlerëson Prishtina, përkatësisht pa kompetenca ekzekutive dhe sipas Kushtetutës së Kosovës.

“E kemi thënë qartë se KFOR-i është ai që duhet të kujdeset në pajtim me Rezolutën 12/44 dhe po ndodh e kundërta. Po qëllojnë mbi njerëzit tanë, këto shënjestrime janë për vrasje...Albin Kurti nuk është i interesuar për normalizim të marrëdhënieve, prandaj edhe Aleksandar Vuçiq tha se nuk do të ndalojë, shkoni, sulmoni njerëzit tanë, dhe ne do të jemi për të mbajtur paqen”, tha Petkoviq për Tv Happy.

Petkoviq thotë se konkluzioni i parë është që komunitetit ndërkombëtar të reagojë dhe “të ndalojë” Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, në shkeljen e marrëveshjes rreth targave dhe lirisë së lëvizjes. “Kurti nuk ka të drejtë të ndalojë targat KM”, thotë ai.

“Sepse nëse nuk dëshiron marrëveshje rreth kësaj, si do të dojë për Asociacionin. Është qartësisht e nënvizuar se ekipi negociator do të dal me një kompromis të fundit, nëse Prishtina refuzon edhe atë, Beogradi do të dal me masa arbitrare në lidhje me targat RKS”, ka thënë Petar Petkoviq.

Në lidhje me “konkluzionin e dytë”, Petkoviq thotë se është themelimini i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kjo, tha ai, “është parakusht” për rikthimin e serbëve në institucionet nga ku janë dorëheqhur që nga nëntori i vitit të kaluar.

“Është e domosdoshme që Asociacioni të themelohet urgjentisht, por jo në mënyrën që e dëshiron Prishtina. Ne nuk jemi të interesuar për këtë, i qëndrojmë marrëveshjes, dhe thamë se në pikën e dytë gjithçka duhet të jetë sipas Marrëveshjes për Asociacionin”.

“E treta është tërheqja e njësive speciale nga veri. S’kanë çfarë të kërkojnë aty. Nuk do të jetë lehtë, sepse është dhuna e Kurtit. Shumë thonë se Kosova është shtet, për neve nuk është. Ne s’po përballemi thjesht me Kurtin, por edhe me një pjesë të komunitetit ndërkombëtar”, ka vazhduar Petar Petkoviq.

Çfarë po ndodh me Asociacionin?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në bisedimet maratonëshe prej 12 orëve në Ohër muajin e kaluar ka paraqitur, siç është thënë, tri shtylla se si një Asociacioni tillë mund të ishte i bëshëm nga Kosova.

E para, aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 në lidhje me parimet e këtij Asociacioni, e dyta qëndrimi i Bashkimit Evropian i shprehur më 2015 përmes letrës së ish-Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini, dhe e treta, një Op/Ed i botuar më 31 janar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, se çka do të jetë dhe çka nuk do të jetë ky Asociacion.

Aktualisht, draft-Statuti i këtij Asociacioni është duke u hartuar nga Ekipi Menaxhues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat