Arrestimi i mbrëmshëm i Llazar D. për shkak të sulmit barbar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, ku 93 prej ushtarëve mbetën të plagosur, por siç pretendohet, “për shkak të ngjarjeve të vitit të kaluar në Zveçan, është motivuar vetëm për arsye politike dhe është një përpjekje e re e Albin Kurtit për të përkeqësuar situatën në veri të Kosovës dhe të shkaktojnë një krizë të re”, thuhet në kumtesën e kësaj zyre të Petkoviqit për propagandë kundër Kosovës.
Sipas tyre, “fakti që ai është doganier në “vendkalimin administrativ” Jarinje tregon se arrestimi i Llazar D. ka qenë i motivuar për arsye politike. Lazar D. ka treguar se për më shumë se një vit e ka kaluar këtë rrugë çdo ditë dhe ka lëvizur normalisht në veri të Kosovës. Ai është dërguar në paraburgim tani kur i përgjigjet Kosovës për rritje të re të tensioneve, pretendohet në kumtesë.
“Është e qartë se Kurti, duke vazhduar terrorin, të cilin zakonisht e aplikon gjatë diskutimeve për mundësinë e vazhdimit të dialogut, dëshiron të provokojë serbët në Kosovë dhe të përshkallëzojë më tej situatën në terren dhe të shpëtojë nga obligimet e tij në dialog”, thuhet në kumtesë.
Sipas kësaj zyre, “po arrestohet një serb nga Zveçani për shkak se ai dhe bashkëqytetarët e tij “kanë qëndruar” para Komunës së tyre duke protestuar kundër okupimit”.
Është e qartë, sipas kësaj kumtese, se “garancitë e dhëna nga SHBA dhe BE-ja në dhjetor të vitit 2022 se serbët nuk do të arrestohen për shkak të tubimeve protestuese kanë qenë prej kohësh vetëm fjalë boshe”. Ata theksojnë se Kurti i ka duart e lira “për të kryer terror ndaj “popullit serb” dhe serbëve”. Dhe “vetëm” për shkak të protestës, ai akuzohet për krimet më të rënda, siç është prishja e rendit “të ashtuquajturit kushtetues”.
“A do të ketë veprime të reja të njëanshme dhe të përshkallëzuara dhe arrestime të reja të serbëve në vend të sanksioneve? Kurti, përveç persekutimit, heqjes së dinarit, bllokadës së mallrave serbe dhe keq bërjeve të tjera, po shpërblehet në Bruksel me heqjen e masave edhe ashtu të buta? Në vend të kësaj, përfaqësuesit perëndimorë të bashkësisë ndërkombëtare tepër po e tolerojnë Kurtin. Është koha e fundit që të ndalet politika antiserbe e Prishtinës, e cila krijon kushte të padurueshme të jetesës për “popullin serb” në Kosovë”, përfundon kumtesa e kësaj zyre të Petkoviqit.