​Kos për Planin e Rritjes: 75 për qind e reformave të dakorduara janë zbatuar

Lajme

​Kos për Planin e Rritjes: 75 për qind e reformave të dakorduara janë zbatuar

Më: 1 korrik 2025 Në ora: 14:43
​Kos për Planin e Rritjes: 75 për qind e reformave të dakorduara janë zbatuar

Komisionerja për Zgjerim dhe Fqinjësi e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka thënë se nga 1 janari 2026 në vendet e Ballkanit Perëndimor mund të ketë roming falas me unionin evropian.

Ajo, në Samitin Ballkan Perëndimor-Bashkim Evropian që u mbajt në Shkup të martën, tha se liderët e BE-së janë të gatshëm për një gjë të tillë, mirëpo shtoi se vendet e rajonit duhet të bëjnë reforma dhe ndryshime në legjislacion.

Duke folur për Planin e Rritjes, ajo tha se 75 për qind e reformave të dakorduara janë zbatuar nga gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor.

Kos: Nga 1 janari 2026 mund të kemi roming falas për vendet e Ballkanit Perëndimor në BE

“Folëm gjithashtu për roming-un. Nëse vërtetë do të punojmë fort, dhe e kuptoj që liderët e BE-së janë të gatshëm ta bëjnë këtë, që nënkupton shumë reforma dhe ndryshime në legjislacion, mund të kemi roming falas për vendet e Ballkanit Perëndimor që nga 1 janari 2026,” tha ajo në konferencë për media, pas përfundimit të samitit.

Megjithatë, ajo shtoi se 25 për qind e reformave ende nuk është zbatuar, andaj inkurajoi liderët e vendeve rajonale që të shtojnë angazhimin drejt zbatimit të tyre.

Kos përmendi gjithashtu krijimin e 11 pikave kufitare prioritare me kalime të gjelbra, që synojnë të lehtësojnë lëvizjen e mallrave.

Kos: Në kuadër të Planit të Rritjes, vendet e rajonit kanë zbatuar 75 për qind të reformave

“Plani i Rritjes është, gjithashtu, një pjesë qendrore e asaj që ne e quajmë integrim të përshpejtuar apo të shkallëzuar, ku Komisioni planifikon të integrojë rajonin në tregun e përbashkët si dhe në politikat e BE-së për mbrojtjen, sigurinë dhe gatishmërinë para anëtarësimit në BE. Në Samitin e fundit të Liderëve folëm për planet tona. Tani kemi hyrë në fazën e zbatimit, kështu që ky Samit për Planin e Rritjes ishte për herë të parë mbi zbatimin. Jam krenare që tashmë mund të tregoj rezultatet e para. 75% e reformave të dakorduara, në përgjithësi për të gjitha vendet, janë ose të zbatuara ose në proces. Megjithatë, një e katërta ende nuk është realizuar. Dhe i inkurajoj liderët që të shtojnë angazhimin për zbatimin e mëtejshëm,” tha ajo.

Takimi i ardhshëm i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të BE-së do të mbahet në vjeshtë në Shqipëri.

Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese.

Me zbatimin e këtyre reformave, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629,3 milionë eurosh janë hua afatgjata.

Disbursimi i mjeteve të parafinancimit për Kosovën në vlerë prej 61 milionë eurosh në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, të cilat, për shkak të pamundësisë së konstituimit të legjislaturës së nëntë, nuk mund të ndodhin tani. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat