Ka ndërruar jetë në Londër, historiani, gazetari, studiuesi dhe publicisti i njohur shqiptar, Daut Dauti.
Lajmin e ka bërë të ditur Ismet Azizi Kokaj, i cili ka shkruar se “në orët e hershme të mëngjesit ndërroi jetë kushëriri im i dashur, miku dhe bashkëpunëtori im shumëvjeçar, historiani, gazetari dhe studiuesi Dr. Daut Dauti”.
Dauti ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë me të cilën ishte përballur për rreth dy vjet.
I lindur në vitin 1960 në Kokaj të Gjilanit, Daut Dauti la pas një veprimtari të gjerë në gazetari, historiografi dhe studime që lidhen me Kosovën dhe çështjen shqiptare.
Ai i kreu studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare i vazhdoi në Thames Valley University në Londër, në fushën e Bashkimit Evropian.
Karrierën në gazetari e nisi në gazetën studentore “Bota e Re”, për të vazhduar më pas në revistën “Zëri”. Nga viti 1994 deri më 1999 ishte korrespondent i saj në Londër, ndërsa gjatë viteve 1999–2001 punoi si redaktor në Institute for Ëar and Peace Reporting (IËPR).
Në vitet 2000–2002, Dauti shërbeu si Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës dhe ishte anëtar i pavarur i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ai ka punuar edhe si këshilltar për media dhe zëdhënës i Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga kryeministri Bajram Kosumi, ndërsa në Londër ishte i angazhuar edhe me organizata ndërkombëtare.