Radev: Borisov dhe Zaev, të mos bëjnë teatër

Maqedonia

Radev: Borisov dhe Zaev, të mos bëjnë teatër

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 15:57
Radev

Presidenti bullgar Radev është i prerë se Maqedonia e Veriut mund të nis negociatat me BE-në vetëm pasi t’i pranojë faktet historike objektive dhe pasi të çrrënjoset gjuha e urrejtjes dhe keqpërdorimi i historisë bullgare. Ai tha se si anëtare e përgjegjshme, Bullgari s’mund të lejojë që në Union të integrohet problemi dypalësh.

Do të ishte gabim i madh nëse tani Borisov dhe Zaev bëjnë teatër para publikut dhe nënshkruajnë një deklaratë të re, si ajo e 2017-tës, pa kritere të qarta, pa mekanizma për verifikim dhe pa afate për zbatim. Ne kemi interes më të madh, që vëllezërit tanë nga RMV-ja ta marrin perspektivën e tyre evropiane, pikërisht për këtë tani duhet të presim të ulen emocionet. Të presim një bisedë të qetë, të hapur dhe të shohim shumë qartë pozicionet e dy palëve dhe të mos tundohemi nga zgjidhje të shpejta, duke emituar triumfin për evropianizim. Përderisa prapa asaj fasade vazhdojnë të kalben problemet e regjimit të Titos dhe ideologjia e tij, Bullgaria prej kur nuk arriti t’i përfshijë kërkesat tona në kornizën negociuese, duhet të japë pajtueshmëri për nisjen e bisedimeve, kur të pranohen faktet objektive historike dhe kur procesi i çrrënjosjes së gjuhës së urrejtjes dhe çrrënjosjes së keqpërdorimit të identitetet dhe sovranitetit tonë do të bëhet konstant dhe i pakthyeshëm – tha Rumen Radev, President i Bullgarisë.

Në një linjë me Radevin edhe ministrat Karakaçanov dhe Zaharieva. Kjo e fundit, u shpreh e prerë se Sofja do t‘i bllokojë negociatat e Maqedonisë së Veriut me BE-në, derisa Shkupi të heq dorë nga gjuha e urrejtjes ndaj Bullgarisë. Ajo edhe një herë përsëriti se Sofja nuk e mohon ekzistencën e shtetit maqedonas e as të drejtën për ta emëruar gjuhën ashtu siç do, por se kjo nuk mund të bazohet në gënjeshtra dhe në mohimin e mënyrës se si u krijua ky popull. Zaharieva tha se dëshiron që marrëdhënia mes dy vendeve të jetë si ajo mes Spanjës dhe Amerikës Latine.

Ndryshe, mbrëmë në Ministrinë e Jashtme bullgare në bisedë informative ishte ambasadori i RMV-së. Gjatë takimit, pala bullgare kishte kërkuar të merren masa ndaj publikimit të të dhënave të shtetasve bullgarë që jetojnë në RMV dhe thirrjet për linçimin e tyre, ndërsa kishte mirëpritur masat që Shkupi mori ndaj djegies së flamurit bullgar dhe gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale kundër ekzekutivit bullgar.
Ndërkohë, Gjermania e cila kryeson me BE-në, pret gatishmëri më të madhe nga Sofja për të bërë kompromis, duke theksuar që çështja dypalëshe duhet zgjidhur jashtë procesit negociues me BE-në.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat