Regjistrimi i popullsisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Maqedonia

Regjistrimi i popullsisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Nga: Skender Musliu Më: 14 janar 2021 Në ora: 18:44
Skender Musliu

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) ka paraparë që gjatë muajit Mars dhe Prill të këtij viti do t’a bëjë regjistrimin e popullsisë, por paraprakisht duhet t’a miratojë Ligjin për regjistrim, i cili ndodhet në procedura parlamentare.

Për ndryshe, deri sa regjistrimi i popullsisë në shtetet demokratike konsiderohet si një proçes i rëndomtë, normal, rutinë dhe teknik, në RMV ky operacion konsiderohet si një proçes politik, i cili madje, varësisht nga numri, fatkeqësisht përcakton nivelin e lirive dhe të drejtave të etnive jomaqedone, e në veçanti të shqiptarëve si popull autokton . Ky diskriminim, në mënyrën më anticivilizuese pasqyrohet në Kushtetutën e RMV në të cilën gjuha shqipe konsiderohet si gjuhë që e flasin mbi 20% e popullsisë dhe habit fakti që asnjë parti politike shqiptare këtë « formulë » nuk e ka senzibilizuar dhe kontestuar në nivel të institucioneve ndërkombëtare, sepse kjo prek në fundamentin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, e mos të flasim të një populli.

Prandaj duke u nisur nga kjo logjikë që i takon së kaluarës, së paku, që nga Lufta e Dytë Botërore, në të gjitha regjistrimet e popullsisë është manipuluar me numrin real të shqiptarëve. Kjo politikë manipulative me numrin e shqiptarëve vazhdon, madje me vrazhdësi edhe më të madhe, të aplikohet në RMV që nga pavarsia e saj, duke zvogëluar numrin real të shqiptarëve për qëllime dhe përfitime politike, në dobi të maqedonëve.

Se sa paraqet regjistrimi një proçes politik në Maqedoni, tregon fakti se regjistrimi i popullsisë në vitin 2011 vetëm pas dy javëve, me vendim politik, u ndërpre sepse sipas të gjitha gjasave numri i regjistrimit fillestar ua prishte « matematikat » politikanëve, madje për këtë dështim të qëllimshëm ende zhvillohet një proçes gjyqësore. Po ashtu, në këtë kontekst, për abuzimin e numrit të shqiptarëve dhe politikat antishqiptare flet fakti se në Maqedoni, sot e asaj dite, ka mbi 100 mijë shqiptarë pa nënshtetësi të kësaj Republike, të cilët nuk kanë të drejtë vote, punësimi, sigurim shëndetësor, asistencë sociale, kurse personave me prejardhje maqedone që jetojnë në Amerike, Australi, Zelandë të Re e gjetiu, ua japin shtetësine edhe pse ndoshta nuk e flasin maqedonishten dhe nuk e dinë se ku gjindet RMV.

Shteti maqedon aq e ka përpunuar dhe vështirsuar infrastrukturën juridike dhe procedurat për marrjen e shtetësisë, saqë ate e ka bërë të pamundur edhe pse shqiptarët kanë lindur apo jetojnë në Maqedoni 50 – 60 vite, që vlenë vetëm për shqiptarët e jo edhe për maqedonët.

Të gjitha dështimet në afirmimin dhe ngritjen e pozitës të shqiptarëve, diskriminimi i të drejtave dhe manipulimi i numrit të shqiptarëve, është si rezultat i regjistrimit sistematik të manipuluar nga maqedonët, prandaj tani kur Ligji për regjistrim është në procedura parlamentare, lidershipi shqiptar, pozitë dhe opozitë, duhet të jenë njëzërit për nxjerrjen e një Ligji jodiskriminues duke eliminuar të gjitha zgjidhjet manipulative të gjertanishme dhe inkorporimin e mekanizmave teknik dhe profesional për një Ligj pragmatik në të mirën e të gjithë qytetarëve.

Diskriminimi do të ishte edhe më dramatik nëse shqiptarët që jetojnë më shumë se një vit jashtë Maqedonisë, do të konsiderohen si popull joresident, që nuk është rast për maqedonët, e mbit ë gjitha kur dihet mirë se numri i shqiptarëve që punojnë jashta Maqedonisë është i konsiderueshëm.

Andaj është momenti i fundit që, jo vetëm partitë politike shqiptare, por edhe shoqëria civile dhe intelektualët të përfshihen në amandamentimin e këtij Ligji, në të kundërtën pasojat do të jenë të pariparueshme dhe afatgjata.

kryesore bie mbi BDI-në që fatkeqësisht shquhet si parti e cila nuk i mbanë premtimet, si parti e shantazhuar nga korrupcioni, që spjegohet edhe me kohëzgjatjen e saj në pushtet me partitë maqedone duke bërë koalicion pa kurfar kushtesh në korriz të shqiptarëve. Edhe pse BDI-ja lavdërohet për të arriturat e shqiptarëve në RMV, por kjo më tepër është rezultat i kontributit të ndërkombëtarëve sesa i BDI-së, ngase këto janë të arritura kolaterale karshi atyre substanciale, siç janë barazimi i statusit juridik dhe politik i shqiptarëve me maqedonët me Kushtetutë, zyrtarizimi i gjuhës shqipe, ndarja proporcionale e Buxhetit të shtetit…..

Nëqoftëse nuk aprovohen kërkesat konstruktive dhe reale të partive politike shqiptare për miratimin e Ligjit për regjistrim, ndër të cilat është pët t’u përshëndetur puna e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, atëherë partitë politike shqiptare në pozitë duhet të dalin nga koalicioni qeverisës. Mirëpo duke u nisur nga e kaluara, vështirë se BDI-ja do t’a bëjë një gjest të tillë, sepse fatkeqësisht ajo është parti e shantazhuar dhe e kapur nga partitë politike maqedone.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat