Gëzim Nebiu zgjidhet kryetar i Degës së Lidhjes Shqiptare në Kërçovë, Sela bën thirrje për mobilizim

Maqedonia

Gëzim Nebiu zgjidhet kryetar i Degës së Lidhjes Shqiptare në Kërçovë, Sela bën thirrje për mobilizim

Nga: Bota sot Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 09:57
Gëzim Nebiu zgjidhet kryetar i Degës së Lidhjes Shqiptare në Kërçovë, në Kuvendin ku mori pjesë edhe Ziadin Sela.

Dega e Lidhjes Shqiptare në Kërçovë ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor, ku me mbështetje unanime të kuvendarëve, për kryetar të ri është zgjedhur Dr. Gëzim Nebiu.

Nebiu është specialist i mjekësisë familjare dhe aktivist që nga themelimi i subjektit politik, me angazhim në aktivitetet politike dhe kombëtare. Në këtë kuvend është zgjedhur edhe Kryesia e re e Degës.

Punimet e Kuvendit i ka përcjellë nga afër edhe kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, i cili në fjalën e tij ka theksuar rëndësinë që ka Kërçova për shqiptarët dhe subjektin që ai drejton.

"Kërçova për shqiptarët në përgjithësi dhe subjektin tonë në veçanti, nuk është vetëm një qytet apo një degë, por kauzë Kombëtare në vete dhe një plagë që sot lëngon në zemrën e çdonjërit prej nesh", ka deklaruar Sela.

Ai ka bërë thirrje për mobilizim më të madh të shqiptarëve në Kërçovë dhe më gjerë, me synimin për të rikthyer dinjitetin kombëtar dhe për të mbrojtur proceset që, sipas tij, po goditen nga establishmenti aktual politik.

Ndërkaq, koordinatori i zonës, Remzi Mehmedi, ka folur për rëndësinë e fuqizimit të Lidhjes Shqiptare, veçanërisht në Kërçovë, duke e cilësuar atë si faktor të rëndësishëm për mbrojtjen dhe avancimin e shqiptarëve në këtë komunë.

Mehmedi ka rikujtuar periudhën kur subjekti, në atë kohë si Aleanca për Shqiptarët, kishte ndikim më të madh politik në Kërçovë, duke theksuar se atëherë komuna udhëhiqej nga shqiptarët.

Ai ka ftuar të pranishmit dhe qytetarët shqiptarë që të angazhohen për ringritjen e subjektit politik dhe rikthimin e Kërçovës.

Kryetari i sapozgjedhur, Gëzim Nebiu, ka falënderuar kuvendarët dhe bashkëpunëtorët për besimin e dhënë, duke thënë se detyra e re për të përbën përgjegjësi dhe mision kombëtar.

Nebiu është zotuar se së bashku me bashkëpunëtorët do të vazhdojë angazhimin për forcimin e zërit dhe kauzës kombëtare në qytetin e Uskanës.

Në Kuvend ishin të pranishëm edhe anëtarët e Kryesisë, Zulfi Adili – Qufa, Tiron Jajaga dhe Driton Nebiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat