Shkup: Opozita proteston për situatën me pandeminë

Maqedonia

Shkup: Opozita proteston për situatën me pandeminë

Më: 17 prill 2021 Në ora: 16:22
Disa zyrtarë policorë në Shkup.

Opozita maqedonase ka protestuar të shtunën para Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me gjendjen e rënduar me pandeminë e koronavirusit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë numri i të vdekurve me koronaviurs deri të premten ka arritur në 4,388.

Në tre javët e fundit, në baza ditore numri i viktimave ka lëvizur mes 30 dhe 50 personash, shifër kjo më e larta që nga fillimi i pandemisë.

Në spitalet e këtij vendi janë rreth 1,700 persona, të cilët po trajtohen nga sëmundja COVID-19, që e shkakton ky viurs.

Shumë prej tyre në gjendje të rënduar dhe me oksigjenoterapi.

Drejtuesit e VMRO DPMNE-së, në protestën me titull “Shëndet, dhe jo provizion - të dorëhiqet Filipçe për shpëtim nga paaftësia që vret”, thanë se qytetarët kanë 145.909 arsye (numri i të diagnostikuarve me COVID-19) të kërkojnë dorëheqjen e Ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe të kryeministrit Zoran Zaev, pasi sipas opozitës, qytetarët janë lënë në mëshirën e fatit ndërsa zyrtarët po keqpërdorin detyrën.

“Ne jemi këtu sot sepse kemi 145,909 arsye për të kërkuar dorëheqjen e atij që udhëheq shëndetësinë tonë në vend. Ne jemi këtu sepse kemi 4,388 arsye për të kërkuar dorëheqjen dhe përgjegjësinë nga ai dhe shefi i tij. Ne kemi 20,082 arsye aktive pse i bëjmë thirrje të turpërohet ai dhe kryeministri i tij që drejtojnë motorë ekskluzivë BMW për 30,000 euro, ndërsa njerëzit nuk e dinë se nga çfarë janë goditur më shumë, nga pandemia ose nga varfëria” tha deputeti opozitar, Lupço Prenxhov.

VMRO DPMNE-ja akuzoi edhe për dështimin e imunizimit të popullatës, dhe mospërmbushjen e premtimit për sigurimin e vaksinave.

Por, nga Ministria e Shëndetësisë, pretendimet e opozitës janë quajtur politike, ndërsa sa i përket vaksinimeve, kjo ministri konsideron se procesi po realizohet sipas parashikimeve, por me ritëm më të ngadaltë.

Deri tani në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar mbi 35 mijë persona ndërsa mbi 155 mijë janë paraqitur për vaksinim.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha të premten se pret që gjatë muajit prill ,Maqedonia e Veriut të furnizohet me rreth 40 mijë vaksina të kompanisë amerikane Pfizer si dhe 200 mijë vaksina kineze Sinofarm./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat