Maqedonia voton, si zgjidhet kryetari i komunës?

Maqedonia

Maqedonia voton, si zgjidhet kryetari i komunës?

Më: 17 tetor 2021 Në ora: 07:24
Ilustrim

Zgjedhja e kryetares/kryetarit të komunës bëhet në territorin e një komune, gjegjësisht në territorin e qytetit të Shkupit, sipas parimit të shumicës. Parimi i shumicës nënkupton se kandidati që do të fitojë më së shumti vota, fiton mandatin zgjedhor.

Të drejtë vote kanë të gjithë qytetaret dhe qytetarët e moshës madhore me aftësi veprimi, që jetojnë në territorin e asaj komune dhe të cilët janë të regjistruar në listën zgjedhore. Votuesi nga emrat e shënuar në fletëvotim, zgjedh një kandidat nga kandidatët e çertifikuar për kryetare/kryetar komune.

Zgjedhjet për kryetare/kryetar komune mund të kenë një ose dy rrethe (cikle) votimi. Nëse në rrethin e parë të votimit, në zgjedhje kanë dalur një e treta e votuesve të regjistruar në listën zgjedhore për komunën përkatëse, për kryetare/kryetar komune zgjidhet ai/ajo kandidat/e që ka fituar më së shumti vota. Atëherë votimi në këtë komunë përfundon dhe nuk organizohet rreth i dytë. Në ato komuna ku në rrethin e parë të votimit në zgjedhje kanë dalur më pak se një e treta e votuesve të regjistruar në listën zgjedhore, organizohet rreth i dytë dhe të gjitha procedurat zgjedhore përsëriten.

Rrethi i dytë mbahet në afat prej 14 ditësh nga dita e përfundimit të rrethit të parë. Në rrethin e dytë zgjedhet ndërmjet dy kandidatëve të cilët në rrethin e parë kanë marrë më së shumti vota. Emrat e kandidatëve tjerë që kanë qenë në listën e parë, e që kanë marrë më pak vota, nuk do të jenë më në fletëvotim. Zgjedhet ai kandidat që në rrethin e dytë ka fituar numër më të madh të votave.

Nëse edhe në rrethin e dytë për çfarëdo arsye nuk zgjedhet kryetare/kryetar komune, Qeveria emëron ushtrues/e detyre që do të kryejë kompetencat e kryetares/kryetarit të komunës, derisa në atë komunë sërish të shpallen zgjedhje dhe të organizohen përsëri zgjedhje për kryetare/kryetar komune.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat