MPJ e Bullgarisë: Më 23 qershor nuk mbaron gjithçka për çështjen e Maqedonisë

Maqedonia

MPJ e Bullgarisë: Më 23 qershor nuk mbaron gjithçka për çështjen e Maqedonisë

Më: 22 qershor 2022 Në ora: 17:29
Foto ilustrim

Afati i fundit që Bullgaria t’i përgjigjet propozimit të presidencës franceze për zhbllokimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut nuk është data 23 qershor dhe kjo mund të ndodhë në një format tjetër deri në fund të presidencës së Francës me BE-në, pra deri në fund të muajit.

Ky informacion u dha sot nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë për mediat vendase.

Raporti i Ministrisë së Punëve të Jashtme Bullgare i datës 20 qershor i është dorëzuar Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit Kombëtar të Bullgarisë.

Siç raporton media bullgare BNR, Ministria informoi deputetët se i ashtuquajtuaturi “Propozimi francez” krijon “kushte të favorshme për mbrojtjen e interesit kombëtar bullgar”.

Një draft protokoll nga takimi i dytë i ardhshëm i Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, një raport për vijimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe një propozim për një kornizë negociuese për vendin me BE-në janë dërguar në Parlament.

Sipas Ministrisë së Jashtme bullgare, nuk është arritur asnjë marrëveshje tekstuale me Shkupin që parashikon që konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet menjëherë pasi Maqedonia e Veriut të përfshijë në Kushtetutën e saj bullgarët jo si pakicë, por si komb shtetformues, qytetarë që jetojnë dhe kanë të drejta të barabarta në atë vend.

Sipas mediave bullgare, Shkupi këmbëngul që “përfshirja e bullgarëve si një komb shtetformues” të vendoset si kusht për hapjen e grupit të parë të “Parimeve Themelore” në procesin e negociatave.

Në raportin në Kuvend, Ministria thekson se është thelbësore që protokolli të nënshkruhet dhe miratohet nga qeveritë e Sofjes dhe Shkupit, para se Bullgaria të miratojë kornizën negociuese të BE-së me vendin.

“Nuk është reale të pritet që të gjitha vendet anëtare të BE-së të mbështesin qëndrimin e vendit tonë për gjuhën maqedonase”, thonë nga MPJ bullgare, duke theksuar se ky qëndrim rrjedh nga të gjitha bisedimet e zhvilluara në nivel evropian në tre vitet e fundit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat