Konkursi për rektor në Universitetin e Tetovës, akoma pa vendim

Maqedonia

Konkursi për rektor në Universitetin e Tetovës, akoma pa vendim

Më: 27 maj 2023 Në ora: 16:21
Foto ilustrim

Kriteret e konkursit për zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Tetovës, sipas ministrit të Arsimit Jeton Shaqiri, nuk janë në kundërshtim me ligjin për arsim të lartë, por, përkundrazi, e rrisin cilësinë e procesit. Përgjigja e tij vjen pak ditë pasi Alsat mësoi nga burimet e tij se Inspektorati i Arsimit të lartë ka konstatuar dy shkelje në konkursin për zgjedhjen e rektorit të ri, kritere të cilat favorizojnë një kandidat ose përjashtojnë ndonjë kandidat tjetër të mundshëm për rektor.

“Janë kritere të cilat janë votuar në senatin e Universitetit, janë miratuar nga profesorët, nuk janë kritere të cilat nuk janë paraparë në ligjin për arsim të lartë por përveç kritereve të përgjithshme të cilat janë në ligjin për arsim të lartë kanë shtuar kritere plotësuese të cilat në situatë të caktuar, nëse e shohim nga një këndvështrim, janë kritere të cilat nuk shohin ngushtim të procesit për arsye të ngushtimit të periudhës. Janë kritere të cilat, nuk e di si e la vlerësuar senati, i japin cilësi procesit për arsye se kërkojnë përvojën e punës dhe disa elemente të tjera”, deklaroi Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit.

Ministri Shaqiri megjithatë nuk e ka thënë fjalën e fundit. Ai pret përgjigjen e Universitetit përpara se të vendosë për hapat e tij të ardhshëm.

“Nuk është palë Ministria e Arsimit. Është palë Universiteti i Tetovës dhe në të njëjtën kohë Inspektorati arsimor, kanë afatin për vërejtjet dhe ankesat, të dorëzojnë kundërpërgjigje ose një përgjigje përse e kanë bërë një veprim të tillë. Pres të dy institucione të komunikojnë njëri me tjetrin dhe unë pas asaj do të shoh se si do ta vlerësoj procedurën por Ministria e Arsimit dhe Shkencës është palë informuese në bazë të nenit 202 dhe 208 të arsimit të lartë, nëse vëren situata të caktuara, por duhet parë gjithë dokumentacioni për këtë”, shtoi Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit.

Për dallim prej asaj që parashikon ligji për arsim të lartë, që kandidati për rektorit të institucionit të arsimit të lartë duhet të jetë shtetas i vendit dhe të jetë profesor ordinar, në konkursin e UT-së janë shtuar edhe kritere të tjera. Vendosja e kritereve shtesë u bë nga Senati, të cilin e drejton ish rektori Vullnet Ameti. Kriteret janë të “dizajnuara” për t’i shkuar për shtati ndonjë kandidati specifik apo për të pamundësuar kandidaturën potenciale të ndonjë profesori të interesuar.

Kriteret për rektor të UT-së

Të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut
Të jetë nga radhët e profesorëve të rregullt (ordinar), me së paku 15 vjet përvojë pune si kuadër mësimor.
Kompetenca për kryerjen e funksionit rektor, edhe atë: Menaxhimi i proceseve në arsimin e lartë, gjë që konfirmohet edhe nga mosdhënia e dorëheqjes nga ndonjë pozicion drejtues të bartur brenda njësive të Universitetit.
As në Ligjin për Arsim të Lartë e as në Statutin e Universitetit të Tetovës nuk ka asnjë nen i cili lejon vendosjen e kritereve shtesë. Madje sipas dokumentit më të lartë të UT-së, Statutit, thuhet se “rektori zgjidhet sipas kritereve të përcaktuara në Ligjin për Arsim të Lartë”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat