MPJ e Maqedonisë së Veriut dënon incidentin e djeshëm në ndeshjen Shkupi-Levski

Maqedonia

MPJ e Maqedonisë së Veriut dënon incidentin e djeshëm në ndeshjen Shkupi-Levski

Më: 28 korrik 2023 Në ora: 18:03
Foto ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme dënon incidentet e djeshme në Shkup, para, gjatë dhe pas ndeshjes Shkupi – Levski. Dhuna nuk është e pranueshme në asnjë rrethanë, veçanërisht jo kur rezulton në lëndime të rënda. Autoritetet e sigurisë kanë të gjithë mbështetjen në zbatimin e rendit dhe qetësisë publike, njoftojnë nga MPJ.

“Shtetasi bullgar i lënduar është trajtuar profesionalisht dhe me kujdesin e duhur; ai aktualisht ndodhet në gjendje stabile dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale po shërohet në spitalin e Shkupit. Përfaqësuesit e ambasadës bullgare janë në kontakt të vazhdueshëm me shtetasin bullgar të lënduar dhe të afërmit e tij, si dhe me autoritetet shëndetësore vendase.

Autoritetet kompetente të Republikës së Maqedonisë së Veriut tashmë i kanë marrë dhe do të vazhdojnë t’i marrin masat e nevojshme për hetim dhe ndjekje efektive në lidhje me incidentet e ndodhura.

Siç e kemi theksuar më parë në disa raste, Republika e Maqedonisë së Veriut është vend i lirë dhe të gjithë që dëshirojnë ta vizitojnë vendin janë të mirëseardhur; privilegj që nuk nënkupton që nga këtu është e pranueshme të shprehen fyerje, veçanërisht jo teza që nënkuptojnë pretendime territoriale dhe/ose mohim dhe fyerje të bazuara në baza etnike, fetare ose baza të tjera identitare”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Njëjtë sikur më parë, shtojnë nga atje, shkelja e këtyre rregullave do të trajtohet në mënyrë të duhur nga institucionet kompetente dhe individëve të tillë do t’u kufizohet privilegji i pranisë në vend.

Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Bullgarisë janë fqinjë të mirë që i kapërcejnë dallimet politike me mjete diplomatike, duke kultivuar kulturën e dialogut të fqinjësisë së mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat