Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut (BPMV) ka konfirmuar sigurinë dhe cilësinë e rezervave të arit të Maqedonisë, të cilat ruhen në thesarin e Bankës së Anglisë në Londër.
Gjatë një vizite zyrtare, guvernatori i BPMV-së, Trajko Sllaveski, së bashku me ekipin e tij, ka kryer një kontroll të drejtpërdrejtë në ruajtjen e arit monetar, si pjesë e aktiviteteve rutinë të bankave qendrore për të siguruar standardet më të larta të sigurisë.
Republika e Maqedonisë së Veriut ka rreth 6.9 tonë ari monetar në përbërje të rezervave valutore, me një vlerë tregu aktuale prej rreth 800 milionë eurosh.
Gjatë kontrollit, ekipi i BPMV-së ka kryer një inspektim vizual të mostrave të shufrave të arit. U konstatua se shufrat përputhen me numrat serialë dhe kanë formën e saktë sipas specifikimeve standarde.
Ari, sipas BPMV-së, është në formë të alokuar dhe i përmbush standardet e tregut të arit në Londër (London Good Delivery Standard), që do të thotë se përmban të paktën 99.5% ar të pastër.
Vendimi për të ruajtur arin në Bankën e Anglisë u mor në vitin 2010, duke pasur parasysh sigurinë dhe fleksibilitetin që ofron infrastruktura e bankës qendrore, si dhe qasjen në tregun e Londrës, si tregu më i madh i arit në botë.BPMV njofton se përveç rritjes së vlerës së arit, rezervat mund të përdoren edhe për të gjeneruar të ardhura monetare shtesë përmes depozitave afatshkurtra dhe transaksioneve me ari.