MASH do të financojë 14 projekte të përbashkëta kërkimore-shkencore mes Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë

Maqedonia

MASH do të financojë 14 projekte të përbashkëta kërkimore-shkencore mes Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë

Më: 4 qershor 2026 Në ora: 15:00
Fotoilustrim

Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të financojë 14 projekte të përbashkëta kërkimore-shkencore ndërmjet Maqedonisë dhe Austrisë, të cilat do të realizohen në fusha që, sipas Strategjisë së Specializimit Inteligjent të shtetit, kanë potencial të madh zhvillimor - bujqësia inteligjente dhe ushqimi me vlerë të shtuar më të lartë, teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, industria elektromekanike-Industria 4.0, materialet e qëndrueshme dhe ndërtesat inteligjente, energjia e së ardhmes dhe turizmi.

Për secilin projekt veçmas do të ndahen nga 600 mijë denarë nga buxheti i shtetit, ndërsa afati i zbatimit është dy vite, duke filluar nga 1 korriku 2026. Marrëveshjet për financimin u nënshkruan sot nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe drejtuesit e projekteve.

Siç informoi Janevska në konferencën për shtyp, gjithsej 18 aplikime u dorëzuan në konkursin për përzgjedhjen e projekteve, por 14 prej tyre i plotësuan kushtet për financim.

"Konkursi u shpall në shtator të vitit të kaluar, në bazë të marrëveshjes ndërmjet qeverive të Maqedonisë dhe Austrisë për bashkëpunim shkencor dhe teknologjik, të nënshkruar në vitin 2008.Projektet e paraqitura janë hartuar përmes partneriteteve ndërmjet universiteteve shtetërore dhe private, instituteve shkencore publike dhe private, si dhe fakulteteve nga të dyja vendet. Pas recensimeve të kryera nga pala maqedonase dhe ajo austriake, u konstatua se 14 prej tyre i plotësojnë kushtet dhe kriteret për t’u financuar”, theksoi Janevska.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat