Pa SHBA, Kosova do mbetej nën kthetrat e pushtimit serb

Politika

Pa SHBA, Kosova do mbetej nën kthetrat e pushtimit serb

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 12 dhjetor 2020 Në ora: 09:21
Ilustrim

Ditë më parë u mbajt, në seancën dëgjimore për Ballkanin Perëndimor e cila është udhëhequr nga kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eliot Engel.

Në këtë seancë dëgjimore foli edhe ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e cila ka propozuar tre hapa strategjikë që duhet t’i ndërmarrë administrata Biden, për Ballkanin perëndimor, përkatësisht Kosovën.

“E para, duhet bashkëpunim më i afërt me BE-në, të cilën duhet ta ndihmojmë me politika të mira. E dyta, duhet ta përkrahim luftën kundër krimit dhe korrupsionit në shtetet e Ballkanit, duke forcuar institucionet demokratike. Është shumë me rëndësi adresimi i asaj që quhet shtete të kapura. E treta, duhet qasje regjionale për ndihmë ekonomike, pra të negociohet me secilin vend veç e veç. Nuk duhet lënë në izolim asnjë vend. Lidhjet ekonomike të Kosovës me Evropën duhet të ndihmohen”, ka deklaruar  Albright në seancën dëgjimore.

Këto hapa të propozuara nga Albright janë mirëpritur në Kosovë. Sipas ekspertëve , politika vendore në Kosovë duhet t`i përfitoj nga çfarëdo ndihme që vjen nga vendi mik i Kosovës, siç është SHBA-ja.

Si dhe, për Kosovën çdo përkrahje dhe ndihmë amerikane është shumë e rëndësishme.

Kosova përfiton nga administrata e Bidenit

Njohësi i Integrimeve, Mirsad Voca në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se propozimet e Albright janë të ndërtuara mbi një përvojë diplomatike të gjatë të saj lidhur me Ballkanin.

Image
Mirsad Voca

“Administrata e J. Biden do t’i adresoj ndryshe çështjet e Ballkanit perëndimor përfshirë Kosovën dhe propozimet e Albright janë të ndërtuara mbi një përvojë diplomatike të gjatë të saj lidhur me këtë rajon. Ajo thekson qartë atë që me të vërtetë është problemi kryesor në Ballkanin perëndimor e që ka të bëjë me korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe me influencën ruse dhe kineze në rajon. Opinionet e saj janë të pakontestueshme sepse është një realitet që duhet tejkaluar për tu afruar me BE dhe nuk ekziston rrugëtim tjetër”, ka thënë ai për “Bota sot.

Po ashtu, ai është shprehur se Kosova do të përfitoj nga propozimet e saj dhe nga vet Administrata e Biden-it.

“Prezenca dhe influenca ruse janë faktori kryesor për bllokim dhe mundësi për tensionim dhe jostabilitet në rajonin e Ballkanit perëndimor. Një influencë e tillë krijon hapësirë të favorshme për korrupsion dhe krim të organizuar sepse favorizohen grupe politike interesi që nuk përkojnë me krijimin e shteteve ligjore dhe të një fryme demokratike e krahasueshme me vendet perëndimore. Kosova do të përfitoj nga propozimet e saj dhe nga vet Administrata e J. Biden sepse do të krijohet patjetër një momentum tjetër për të ndërtuar një frymë të lirë dhe demokratike dhe një paradigmë të Shtetit ligjor që do shpie në një afrim më shpejt drejt Bashkimit evropian apo kahje të qartë perëndimore”, ka potencuar Voca për “Bota sot”.

Pa SHBA, Kosova do mbetej nën pushtimin serb

Ndërkaq, profesori, Nijazi Halil, ka deklaruar se kontributi i Albright-it për çështjen e Kosovës nuk diskutohet, pasi pa mbështetjen e SHBA vendi ynë do të mbetej me shekuj nën pushtimin dhe kthetrat e Serbisë.

Image
Nijazi Halil

“Mbështetja Amerikane njëherë e përgjithmonë e ka shuar ëndrrën e Akademisë së Shkencave të Serbisë, për një Serbi të Madhe dhe daljen e sajë në ujërat e Mesdheut. Ish sekretarja Albright ishte njëra prej figurave kyçe e Administratës Amerikane që e ka mbështetur fuqishëm Kosovën dhe intervenimin e NATO-s mbi caqet serbe, prandaj kontributi i saj për çështjen e Kosovës nuk diskutohet, sepse pa mbështetjen e SHBA vendi ynë do të mbetej me shekuj nën pushtimin dhe kthetrat e Serbisë. Andaj, mbështetja Amerikane për Kosovën njëherë e përgjithmonë e ka shuar ëndrrën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë për një Serbi të Madhe dhe daljen e saj në ujërat e Mesdheut”, ka theksuar Halili për “Bota sot”.

Burjani: Albright ka bërë me dije se BE duhet të ndihmohet

Ndërsa, analisti politik, Blerim Burjani, për “Bota sot” është shprehur se Albright vetëm  ka bërë me dije se BE duhet të ndihmohet në këtë temë.

Image
Blerim Burjani

“Këto parime të politikës së jashtme po thuajse pak a shumë janë të ngjashme. Këto janë parime, por për specifika tjera dhe sqarime tjera dhe politik formuese duhet të presim pas muajit shkurt 2021. Pra, zonja Albright vetëm  ka bërë me dije se BE duhet të ndihmohet në këtë temë pasi që  BE ka mandatin të merret  me dialogun”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për tej, Burjani ka treguar se çfarë presimi nga politika aktive e SHBA në Ballkanin Perëndimor.

“Ajo çfarë presim ne është politika aktive e SHBA në Ballkanin Perëndimor ka për të ndërtuar paqe të përhershme  në mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Paqja , integrimi në BE  integrime në NATO janë qasje dhe politike dhe vizion i Kosovës. Kosova integrimin në  strukturat të NATO-se duhet te i përkushtoj rendësi të veçantë. Pasi që ende nuk ka garancion të qëndrueshëm se  Ballkani nuk ka nevoje për konflikte, pra duhet shuar konfliktet. BE dhe SHBA janë faktor kyç për paqe të qëndrueshme , zhvillim dhe integrim rajonal , në BE dhe në NATO”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat