Libri që do ta burgos gjatë Hashim Thaçin në Speciale

Politika

Libri që do ta burgos gjatë Hashim Thaçin në Speciale

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 20 dhjetor 2020 Në ora: 08:22
Hashim Thaçi

Një libër për luftën e Kosovës dhe për ish presidentin Hashim Thaçi është botuar pak ditë më parë nga autorët Blendi Fevziu e Baton Haxhiu.

Ky libër është quajtur si një ‘dosje’ e luftës së Thaçit në Kosovë, kundër dosjes së akuzave nga Gjykata Speciale, me të cilat Hashim Thaçi dhe të tjerët po përballen në Hagë.

Libri i quajtur ‘Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi’, nga autori Blendi Fevziu është quajtur si një lëvizje e armatosur për një nga momentet më të rëndësishme të historisë së shqiptarëve.

Fevziu thotë se në këtë libër kanë përmbledhur rrëfime të protagonistëve të luftës së Kosovës, që nga ata të Ibrahim Rugovës e deri tek luftëtarët e UҪK-së.

“Ky nuk është thjeshtë libër për një lëvizje të armatosur. As për një personazh të përfshirë në të. Ky është rrëfim për një nga momentet më të rëndësishme të historisë së shqiptarëve. Eshtë rrëfim për qëndresën në të gjitha format e saj. Është pasqyrë e dramës së një populli të ndarë që nuk rreshti kurrë së luftuari për të drejtat dhe dinjitetin e tij. Është histori e ndërtuar në shumë dimensione, me rrëfimet e protagonistëve të Luftës së Kosovës, por edhe të kundërshtarëve apo aleatëve të tyre. Është një moment që duhet të na bëjë krenarë ne që e kemi jetuar, fëmijët tanë që se kanë njohur atë kohë e mbi të gjitha, ata që qenë pjesë e saj. Të gjithë. Që nga protagonistët e qëndresës paqësore të Ibrahim Rugovës, e deri tek Luftarët e UÇK – së”, shkruan gazetari Blendi Fevziu në rrjetin social Facebook.

Gashi: Thaçin në Speciale munden me ndal më gjatë

Gazeta ka kontaktuar edhe disa publicistë e autorë librash për të komentuar librin në të cilin lavdërohet veprimtaria e Hashim Thaçit, mirëpo ata janë shprehur se nuk e kanë lexuar këtë libër dhe nuk kanë dhënë ndonjë koment.

Megjithatë, avokati Tomë Gashi përmes një postimi në Facebook shkruan se nëse arrin ky libër deri tek Specialja, Hashim Thaçi mund të mbetet i burgosur edhe më gjatë se sa të akuzuarit e tjerë.

Image
Tomë Gashi

“Lirimi i garantuar! Nëse gjyqtarët e Gjykatës Speciale e lexojnë librin e Blendi Fevziut & Baton Haxhiut për Hashim Thaçin, duke i ditur aftësitë e tyre për me bo mizën bullë sigurt do të lirohen të gjithë të tjerët, Hashim Thaçin munden me ndal pak më gjatë hatri i këtij libri shkencor…”, shkruan avokati Gashi.

‘Baton Haxhiu dhe Blendi Fevziu kanë qenë proklamuesit e Thaçit’

Ndërkaq, ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Vendim Demaj nga Shqipëria, thotë se nuk është i befasishëm publikimi i një libri të tillë.

Sipas tij Baton Haxhiu e Blendi Fevziu kanë qenë proklamuesit kryesor të Hashim Thaçit nëpër mediat shqiptare.

Image
Vendim Demaj

“Nuk kishte asnjë surprizë për daljen e këtij libri dhe për fjalët e thurura në lidhje me Thaçin, pasi dihet që në udhëtimin e tij politik 20 vjeçar, Baton Haxhiu dhe Blendi Fevziu kanë qenë proklamuesit e tij kryesorë në median shqiptare”, thekson Demaj.

Sipas tij, ky libër vjen vetëm për të kuruar imazhin e ‘djegur’ të Hashim Thaҫit.

Demaj thotë se sa herë që Thaçi ka qenë në një pozitë të disfavorshme, mediat e këtyre të dyve e kanë shfaqur si njeriun e duhur për Kosovën.

“Dalja e këtij libri me themele dhe argumente propagandistike në këtë kohë, ka të bëjë vetëm për të kuruar imazhin tashmë të djegur të Hashim Thaçit dhe për ta margjinalizuar atë në një "hero". Sa herë që Hashim Thaçi ka qenë në pozita të disfavorshme politike, ai ka pas si strehë vajtimore ambientet mediatike të dyshes Haxhiu - Fevziu, që në realitet janë një, për tu shfaqur si njeriu potencial dhe i duhuri për Kosovën”, vlerëson ish pjesëtari i UҪK-së.

Ai thotë tutje se ky libër nuk është më shumë se sa një ‘pamflet trillues që hiperbolizon një figurë të negative për Kosovën’.

“Pra kjo ishte mëse e pritshme pasi është paralajmëruar disa herë në mënyrë indirekte nga fjalët reklamuese që z Fevziu i bënte në emisionin e tij figurës së Thaçit sidomos pas ftesës së tij për intervistë në dhomat e specializuara në Hagës, prandaj ky është një pamflet trillues që hiperbolizon një figurë negative për Kosovën”, vlerëson Vendim Demaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat