Vendimi për FSK-në/ Top lajm për Kosovën, ky është mesazhi për BE-në dhe Serbinë

Politika

Vendimi për FSK-në/ Top lajm për Kosovën, ky është mesazhi për BE-në dhe Serbinë

Nga: P.R Më: 5 janar 2021 Në ora: 22:12
Ushtria e Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës me shumicë votash, e aprovoi dërgimin e Ushtrisë së Kosovës në misione paqeruajtëse jashtë vendit së bashku me forcat ushtarake të SHBA-ve, respektivisht Gardën Kombëtare të Iowa.

E analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend, theksojnë se ky është një vendim historik për vendin tonë.

“Vendimi i parlamentit të Kosovës që ushtria e Kosovës të jetë përkrah forcave ushtarake amerikane në misione paqeruajtëse në botë, është ndoshta vendimi më i fortë politik që është marre në vitet e fundit në Kosovë ose që nga koha e vendimit për krijimin e Ushtrisë së Kosovës me emrin FSK”, thotë për “Bota sot” publicisti dhe analisti, Rexhep Shahu.

Image
Rexhep Shahu

Ai thotë se ky vendim është një sukses i Qeverisë Hoti.

“Ky është një sukses dhe një fat për qeverinë aktuale të Hotit, është akt besueshmërie ndaj Kosovës dhe akt bashkëpunimi i ngushtë me qeverinë aktuale. Autoritetet amerikane me të gjitha qeveritë e gjejnë gjuhen në Kosovë por me qeverinë e drejtuar nga Hoti i LDK-së autoritetet amerikane janë në valë të njëjta, kanë si te thuash të njëjtën gjuhë, shqetësim e mirëkuptim, pa poza artificiale e deklarime pallavrash nëpër media e televizione”, shprehet Shahu.

“Qeveria Hoti e LDK bën punë e nuk shet deklarata e fjalime nëpër media, ajo ka meritën e urtësisë e të përkushtimit ndaj Kosovës. Krahasuar me të tjerat, qeveria Hoti është milingona, të tjerat janë gjinkalla që shurdhojnë televizionet e qytetarët përmes televizioneve në Prishtinë e Tiranë”, shton më tej publicisti Shahu.

Sipas tij, ky është një mesazh i qartë për Bashkimin Evropian.

“Ky vendim i Parlamentit të Kosovës që ushtria e Kosovës do të rreshtohet përkrah ushtrisë amerikane në misione paqeruajtëse luftarake është një top lajm politik dhe një mesazh shumë i fortë për BE-në, për Serbinë dhe gjithë miqtë e kundërshtarët e Kosovës, është një mesazh se si duhen zhvilluar bisedimet mes shqiptarëve e serbëve, është një mësim i mirë për politikanët në Prishtinë që duhet ta dinë se Kosova është shtet i pavarur dhe nuk ka nevojë për këtë të marrë leje nga Serbia, pasi Serbia e di se Kosova është e pavarur, por bën presion që të fitojë çfarë mund të fitojë politikisht. Viti i ri 2021 filloi me top lajm për Kosovën, ushtria e Kosovës rreshtohet përkrah ushtrisë amerikane. Amerika rreshton me veten e saj miqtë e saj e miqtë e lirisë”, përfundon për gazetën “Bota sot”, publicisti Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat