“I mirë apo i keq, vendimi i Supremes përfundimtar”, juristi paralajmëron Kurtin

Politika

“I mirë apo i keq, vendimi i Supremes përfundimtar”, juristi paralajmëron Kurtin

Nga: A.Morina Më: 29 janar 2021 Në ora: 22:14
Albin Kurti

Albin Kurti nuk do të jetë në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit. Kështu ka marrë vendim Gjykata Supreme, shkruan "Bota sot".

Supremja i ka hedhur poshtë ankesat e Vetëvendosjes ndaj vendimit të KQZ-së, për mos certifikimin e disa kandidatëve të saj për deputetë, përfshirë këtu edhe Albin Kurtin.

Pas këtij vendimi, ka pasur reagime të shumta nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë këtu edhe njohës të çështjeve kushtetuese.

Kurse, në lidhje me këtë temë në një prononcim për gazetën “Bota Sot” ka folur njohësi i çështjeve kushtetuese dhe profesori, Muhamet Kelmendi.

Kelmendi u shpreh se çështja e kandidatëve të përjashtuar nga listat zgjedhore është vendosur dhe se vendimi i Supremes nuk mund të ndryshohet.

"Çështja e kandidatëve të përjashtuar nga lista zgjedhore, si të Vetëvendosjes, ashtu edhe të AAK-së dhe të subjekteve tjera, është çështje që me verdiktin e Gjykatës Kushtetuese është vendosur. Jashtë atij vendimi, pavarësisht se kush, si dhe në cilën shkallë të gjykimit vendoset, nuk mund të ketë vendim tjetër", deklaroi

Juristi tha se rregullat për kandidim i vendosë Gjykata Kushtetuese dhe asnjë gjykatë tjetër nuk ka mundësi të dal jashtë rregullave të saj.

“Gjykata Kushtetuese i ka përcaktuar rregullat e kandidimit dhe tash asnjë gjykatë nuk ka mundësi të dal jashtë dimensioneve të saj. Askush nuk ka mundësi të veprojë ndryshe përballë verdiktit të tillë”, theksoi Kelmendi.

Tutje, juristi u shpreh se shkalla juridike e ankesave për subjektet politike ka përfunduar, ato vetëm mund të paraqesin padi në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo vendim tjetër nuk do të ketë.

“Shkalla juridike e ankesave ka përfunduar, padi si subjekt mund të paraqesë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Por, nuk ka vendim tjetër. I mirë apo i keq, në përputhje me normat kushtetuese apo në kundërshtim, verdikti i tillë i kësaj gjykate është përfundimtar. Në shtetet juridikisht të rregulluara vendimet e tilla respektohen”, nënvizoi ai.

Në fund, Kelmendi bëri apel te të gjitha partitë politike, që ta respektojnë vendimin e Supremes, pasi vetëm në këtë mënyrë funksionon shteti i së drejtës.

“Si do të veprohet në Kosovë nga subjektet politike nuk mund të dihet për momentin. Por, nga ato kërkohet që ta respektojnë vendimin e sistemit të drejtësisë në vend.

Kështu funksionon shteti i së drejtës”, përfundoi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat