Kërcënimet e hapura të Vuçiq ndaj Kosovës

Politika

Kërcënimet e hapura të Vuçiq ndaj Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 31 janar 2021 Në ora: 16:55
Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vazhduar provokimet e tij në drejtim të Kosovës. Ky i fundit, ditë më parë, ka kërkuar rikthimin e shërbimit të detyruar ushtarak në Serbi shkaku i Kosovës.

E, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, pas këtyre kërcënimeve, ka thënë se kërkesa e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi, duhet të merren me shqetësim nga Bashkimi Evropian.

I pari i Qeverisë së Kosova është shprehur gjithashtu se nuk brengoset për këto deklarata të kreut të Serbisë, sepse, sipas tij, Kosova tashmë e ka ushtrinë e vet.

Njohësit e sigurisë janë të mendimit se deklaratat e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me shërbimin e detyruar ushtarak, më shumë janë për konsum të brendshëm politik dhe për ta forcuar pozicionin e tij në skenën politike serbe.

E, nga ana tjetër, njohësit e politikës shprehen se çdo tentim nga ana e Serbisë për ta destabilizuar rajonin, është një luftë e hapur me perëndimin .

Eksperti i sigurisë: Ky është qëllimi i Vuçiqit, reagimi i Hotit i arsyeshëm

Image
Hajrullah Tërnava

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërmava, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se situatat momentale është e brishtë, dhe gjithë kësaj më së shumti i kontribuon Serbia me sjelljet e saj.

“Situata e sigurisë në regjion është e brishtë e sidomos kësaj i kontribuon Serbia, si shkaktare e shumë luftërave që i ka bërë me shtetet fqinje, që dikur i takonin të njëjtit shtet Jugosllavisë. E gjendur tani në atë situatë ajo shpik mënyra të vetëmbrojtjes së shtetit të saj, e sidomos e shpreh rrezikun kinse prej Kosovës si pjesë e saj që ishte e që në realitet kurrë s’ka qenë pjesë e saj, përpos asaj kohe të vitit 1989 që e kishte suprimuar kushtetutën e Kosovës si pjesë të federatës së Jugosllavisë të kushtetutës së vitit 1974, dhe që nga ajo kohë edhe de jure filloi shkatërrimi i Jugosllavisë, më shumë lufta që i bëri Serbia duke fillua me Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe me Kosovën e që në fakt te gjitha këto lufta i humbi”, ka deklaruar fillimisht eksperti i sigurisë.

Ai poashtu shprehet se tani shtetit i Serbisë gjendet në një situatë të vështirë, sepse, sipas tij, i janë mbyllur rrugët drejtë BE-së, kurse dhe si kusht tani e ka njohjen e Kosovës si shtet, në mënyrë reciproke për një udhëtim të përbashkët drejt BE-së.

“Me ardhjen e Joe Biden në krye të SHBA-së, e që konsiderohet mik i madh i Kosovës, tani këto shqetësime të Serbisë janë edhe më të mëdha, përkundër regjimit të Donald Trump sa ishte në pushtet, e që i bëri disa lëvizje që përngjanin një përafrimit të Serbisë dhe që përdori një sinjal që e futi edhe ndarjen e veriut të Kosovës me politikanët e asaj kohe të Kosovës, e që tani ata ish udhëheqës gjinden në burgun e Hagës ë akuzuar me akuza të rënda të periudhës 1998-2000. Mos të harrojmë se Serbia sikur e ceka më lartë nuk i ka marrëdhëniet e mira edhe me shtetet tjera që bëri luftë, e sidomos me Kroacinë e cila tani është anëtare e NATO-s, prandaj, ky është një shqetësim i madh për Serbinë, dhe ky shtet tani është në situatë të shpik se të rinjtë e këtij vendi duhen ta rikthejnë mënyrën e kryerjes së ushtrisë si dikur Jugosllavia, dhe në raste të luftërave që të jenë më të përgatitur”, tha ai.

Vërejte nga Vuçiq për shtetet që do ta udhëheqin dialogun

Ai me tej ka deklaruar se qëllimi i Vuçiqit është që ta përdor këtë çështje edhe për konsum të brendshëm në Serbi.

“Kohërat e tanishme po t’i krahasojmë me ato kohërat e viteve 90-ta, tani dallojnë shumë, se shumë nga ato shtete tani janë anëtare të NATO-e, dhe të tjerat si Kosova është në rrugëtim të anëtarësimit në NATO, dhe në realitet Kosova më nuk është ajo e atyre viteve që nuk kishte ushtri dhe polici të saj, prandaj ju deshtë që nga guerilja të organizohen dhe ta mbrojnë shtetin dhe ta çlirojnë atë nga armiku i përhershëm nga Serbia, edhe me ndihmën e miqve të saj sikur që janë SHBA dhe BE. Kërkesa e Vuçiqit që ta rikthej shërbimin e detyruar ushtarak në Serbi shkaku i Kosovës, e ka edhe qëllimin e vet politik, dhe i shërben Vuçiqit si konsum politik për të qëndruar sa më gjatë në pushtet në atë shtet të Serbisë, por edhe si vërejtje ndaj shteteve që do ta udhëheqin ndërmjetësimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ky kërcënim t’iu shërbejë ndërmjetësuesve e sidomos SHBA-së dhe BE-së, që ta ndryshoj vëmendjen e tyre që t’ia ndajnë Serbisë një pjesë të Kosovës si në këtë rast veriun, ashtu që të dy palët të jenë të kënaqura dhe një ndërmjetësim i tillë do të kishte edhe shkakun e pajtimit sipas Vuçiqit”, ka deklaruar njohësi i çështjeve të sigurisë.

Kurse, Tërnava, reagimin e kryeministrit të Kosovës në detyrë e quan si të arsyeshëm dhe i duhur për popullin e Kosovës.

“Por, Vuçiq sikur po harron se shkaktari i të gjitha luftërave që u zhvilluan në Ballkan ishte vet Serbia, dhe nënshkrimi i kapitullimit i vitit 1999 në Kumanovë, tani është çështje e kryer se kësaj marrëveshjes e sidomos ketë të drejt e ka konfirmuar edhe GJND-ja ndërkombëtare të cilës gjykate iu patë drejtuar vet Serbia për këtë çështje. Prandaj, ky veprim i Serbisë dhe Vuçiqit është kërcënim i hapur për Kosovën. Edhe reagimi kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti, është i arsyeshëm dhe i duhur për popullin e Kosovës. Mos të harron Serbia dhe Vuçiqi, se sigurinë e Kosovës përpos që e ruajnë ushtria dhe policia e Kosovës, garantues të kufijve është KFOR-i dhe NATO, dhe çdo sulm ndaj Kosovës do të ndodhte edhe një shkatërrim në total i Serbisë. Me respekt Hajrullah Tërnava”, është shprehur.

Provokimet e Serbisë për konsum të brendshëm!

Image
Nexhat Haziri

Kurse, analisti politik, Nexhat Haziri, deklaratën e kreut të Serbisë më shumë se sa një kërcënim në drejtim të Kosovës, e sheh si konsum të brendshëm politik dhe për ta forcuar pozicionin e tij në skenën politike serbe.

Haziri shprehet se kreu i shtetit të Serbisë është i vetëdijshëm se sigurinë e jashtme të Kosovës e garanton NATO-ja.

“Deklarata e presidentit serb Aleksandër Vuçiq për rikthimin e shërbimit të detyruar ushtarak në Serbi shkaku i Kosovës, më shumë se sa një kërcënim në drejtim të Kosovës, e shohë si një deklaratë për konsum të brendshëm politik dhe për ta forcuar pozicionin e tij në skenën politike serbe, se sa realisht një kërcënim për Kosovën. Edhe presidenti serb, është i vetëdijshëm se sigurinë e jashtme të Kosovës e garanton NATO-ja, Kosova sot ka një ushtri e cila tashmë poashtu është partnere superfuqisë botërore SHBA-së, për të kontribuar dhe garantuar paqe në vendet e krizave dhe konflikteve në botë, dhe ky është hapi I parë drejtë anëtarësimit të Kosovës në aleancën më të madhe ushtarake ndërkombëtare , siç është NATO”, ka thënë Haziri.

Krejt në fund, analisti Haziri ka theksuar se çdo tentativë e Serbisë është një luftë e hapur me perëndimin e cila do të ishte edhe një disfatë për shtetin serb.

“Po ashtu Vuçiq është i vetëdijshëm se çdo tentim për ta destabilizuar rajonin, është një luftë e hapur me perëndimin e cila do të ishte edhe një luftë e humbur për Serbinë. Andaj, mendoj gjithashtu se kjo deklaratë e Vuçiq më shumë është si presion ndaj Brukselit, përmes së cilës po tenton ti forcoj pozicionet e Serbisë në procesin e dialogut me Kosovën, kurdo që do të vazhdoj, por kjo gjuhë e vërgëllimit të armëve nuk është se I bënë shumë përshtypje Berlinit, Londrës, Uashingtonit dhe qendrave të tjera, përpos që mund të shihet për një simpati rasti nga Moska.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat