Demantohet sondazhi për 14 shkurtin: Kjo është gara kryesore, ja përçarja brenda PDK-së

Politika

Demantohet sondazhi për 14 shkurtin: Kjo është gara kryesore, ja përçarja brenda PDK-së

Nga: P.R Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 20:26
Avdullah Hoti, Albin Kurti dhe Enver Hoxhaj, të tre kandidatë për kryeministër të Kosovës.

Gjatë natës së mbrëmshme, është publikuar sondazhi më i ri për zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë. Ka qenë instituti PIPOS ka prezantuar të dhënat e sondazhit përfundimtar për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Nga të dhënat e prezantuara të sondazhit të këtij instituti, Lëvizja Vetëvendosje prin me 40.95 përqind, pasuar nga PDK me 22.03 përqind, e treta është LDK me 19.35 përqind, e katërta AAK me 7.8 përqind, ndërkaq Nisma Socialdemokrate nuk e kalon pragun, pasi merr vetëm 3.15 përqind.

Por ndryshe mendon analisti politik, Nexhat Haziri. Ai thotë për “Bota sot”, se gara kryesore për vendin e parë, është duke u zhvilluar mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Image
Nexhat Haziri

“Mendoj se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, kanë vën përballë LDK-në dhe LVV-në, si dy forca kryesore që pretendojnë për të dal fituese nga këto zgjedhje, që në një farë mënyre e kanë nxjerrë jashtë kësaj gare PDK-në, e cila po ashtu është futur në këtë proces zgjedhor mjaftë e hendikepuar pa dy liderët e saj, Thaçin dhe Veselin”, thotë Haziri.

Sipas tij, brenda PDK-së ekziston një përçarje e madhe me kandidimin e Enver Hoxhajt për kryeministër.

“Po ashtu edhe me një përçarje e cila është shumë evidente, edhe pse lidershipi aktual i PDK-së po mundohet që ta proklamoj një unitet të rrejshëm, por kandidimi i Enver Hoxha për postin e kryeministrit nuk është pritur mirë nga të gjithë në këtë subjekt politik”, shprehet analisti Haziri për “Bota sot”.

Për fund, Haziri deklaron se pas zgjedhjeve të shkurtit, skena politike në Kosovë do të ndahet në dy blloqe.

“Po ashtu mendoj se zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit do ta rikonfigurojnë skenën politike kosovare, ku LDK dhe LVV-ja do të jenë dy forcat politike të cilat do ta karakterizojnë skenën politike për vitet e ardhshme, duke e profilizuar këtë skenën në dy blloqe ideologjike në atë të djathtë dhe në të majtën ekstreme e cila do të përfaqësohet nga LVV-ja”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat