Ndizet alarmi për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmani, ky është paralajmërimi për dialogun me Serbinë

Politika

Ndizet alarmi për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmani, ky është paralajmërimi për dialogun me Serbinë

Nga: P.R Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 19:55
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Para pak ditësh, Kosova shënoi 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. E presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, mori shumë urime nga liderë të fuqishëm botërorë, e ku më e veçanta padyshim ishte ajo e presidentit të sapo zgjedhur amerikan, mikut të madh të shqiptarëve, Joe Biden.

Por çfarë dëshmon letra shumë miqësore nga Biden për Kosovën? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Si tash, e 13 vjet Kosova u bë e pavarur dhe me këtë rast presidenti amerikan si dhe shumë personalitete të vendeve të fuqishme evropiane i dërguan urime presidentes në detyrë, Vjosa Osmanit. Ndër ta Mbretëresha Elisabetë, Kancelarja Merkel Presidenti Macron, kryeministri Italian etj. Letra e presidentit amerikan, Joe Biden ishte e veçantë. Përveç urimit, në atë letër shprehet edhe njëherë fakti se tashmë Kosova është shtet i pavarur e Sovran. Thuhet gjithashtu se Kosova përbën një rast unik i miqësisë dhe afrimitetit me familjen Biden për shkak se djali i tij i ndjerë kishte shërbyer në misionin amerikan e ndërkombëtar në Kosovë. Presidenti amerikan, si një njohës i shkëlqyer i rajonit të Ballkanit nuk le pa përmendur se dialogu me Serbinë, i cili të përmbyllet me njohje reciproke të Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë.

“E vërteta është se dialogu nuk ka alternativë, sepse ata që ishin në pushtet para Vjosës dhe Albinit e promovuan dialogun për gati një dekadë, duke e promovuar në tri vitet e fundit edhe Serbinë në arenën ndërkombëtare. Ishte Hashim Thaçi dhe Edi Rama që e çuan presidentin serb Vuçiç në zyrat e kancelarive të mëdha perëndimore, sepse u thanë udhëheqësve të këtyre vendeve se këta të dy “mund të merren shumë mirë vesh me kreun e shtetit serb dhe e qeverinë e Serbisë”! Donin të hiqeshin si moderator. Donin të përfitonin mbështetje perëndimore në dobi të Serbisë dhe dëm të Kosovës. Donin të forconin pozitat e pushtetit personal në kurriz të demokracisë. Përfundimisht donin të shtonin pasuritë e përfituara me korrupsion e bashkëpunim me krimin e organizuar nëpërmjet miqësisë e Beogradin”, deklaron profesor Bytyçi.

Por çfarë dallon letra e Biden nga ajo e dërguar nga Trump?

“Ishin këto rrethana kur presidenti Trump, më 14 dhjetor 2018 u dërgoi letrën e tij të njohur presidentit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë. Në atë letër nuk flitej me gjuhën e Biden. Thaçi Vuçiç dhe Rama e kishin bindur këshilltarin kryesor të Trump, d.m.th John Bolton, për ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve. Prandaj zoti Trump fliste në atë letër për një marrëveshje përfundimtare të balancuar për interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Pra vinte shenjën e barazimit në të drejtën e palëve në këtë marrëveshje duke “mos dëmtuar interesat serbe në Kosovë”!”, nënvizon profesor Bytyçi.

“Aq shumë është zgjatur ndikimi i Serbisë në SHBA sa për herë të parë në gjysmë shekulli Serbia u pa si element parësor në raport e Kosovën. Tani miku im, gazetari i mirënjohur, shqiptaro-amerikan. Frank Shkreli, paralajmëron se lobi serb është në aktivitet sulmi dhe ka mundësi që të penetrojë në administratën e presidentit Biden. Kjo për shkak të angazhimit pro këtij lobi e kundër interesave të Kosovës të kryeministrit të Shqipërisë”, shton Bytyçi.

Më tej, profesor Bytyçi paralajmëron se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani duhet të ndërtojnë një platformë për bisedimet me Serbinë.

“Në këto kushte është e domosdoshme që qeveria e re e zotit Kurti si dhe presidentja në detyrë tani dhe e zgjedhur më vonë, zonja Osmani, të ndërtojnë një platformë të bisedimeve të suksesshme me Serbinë. Në këtë platformë duhet të zë vend mënyra si do të qaset Kosova në bisedime. A do të pranojë apo jo bisedime për çështje konkrete pa përmbyllur procesin një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me kushtin e njohjes së ndërsjelltë?! A do të niset nga premisa e kërkesës për të njohur krimet serbe në Kosovë?! A do të përdorë lëshimet që janë bërë në pakon Ahtisaari e në kushtetutën e Kosovës si argument të mjaftueshëm për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë?! A do të njohë marrëveshjet e shkuara, me të cilat Serbia favorizohet si shtet në territorin e Kosovës?! Si do ta përdorë dialogun për të garantuar qytetarët e Kosovës si subjekt dhe objekt I barabartë në të drejtën shtetërore?! Pra do të niset nga premise e garancisë për serbët në Kosovë, apo nga premisa e rritjes së ndikimit të Serbisë në Kosovë?! Deri tani Hashim Thaçi ishte i angazhuar për ta sjellë Serbinë në Kosovë në një formë ose në një tjetër, ose për të lëshuar territore në favor të saj”, shpjegon Bytyçi.

Sipas tij, platforma e re, është e nevojshme të përmbajë kushtin për transparencë në bisedime.

“Të garantojë konsensusin e subjekteve politike, mundësisht edhe të atyre jashtëparlamentare, të bazohet në opinionin publik të testuar përmes anketimeve etj. Institucionet dhe liderët politikë duhet të flasin më me një zë, të jenë të bashkuar dhe nëse shohin qoftë dhe formën më të lehtë të paternalizmit nga Shqipëria për të imponuar vullnetin e saj, ta refuzojnë pa asnjë ndjenjë emocionale këtë lloj paternalizmi. Eksperienca e qeverisjes së Edi Ramës dëshmoi se paternalizmi I Tiranës e dëmton pozitën dhe interesin e Kosovës në dialog”.

Për fund, Bytyçi thotë se kryeministri në ardhje, Albin Kurti nuk mund t’i ikë dialogut me Serbinë.

“Dhe përfundimisht, mund të them se Albin Kurti, edhe pse e konsideron prioritet të gjashtë dialogun, nuk mund t’i ikë atij. Por duhet shumë punë për të përballuar agresionin serb në këtë dialog. Duhet forcuar pozita e Kosovës në fillim me ngritje të institucioneve të besueshme dhe të qëndrueshme. Më pas duhet hartuar një program për realizimin e plotë të prezencës së shteti në veriun e Mitrovicës, jo thjesht me paraqitje fizike të administratës shtetërore dhe agjencive ligjzbatuese, por me projekte zhvillimi. Qytetarët e Kosovës duhet të jenë të gatshëm që pranojnë që një pjesë e taksave të tyre të përdoren për investime dhe projekte në veri, me qëllim që të ulet ndikimi i Beogradit në këtë pjesë të vendit. Në fund të fundit gjermanët e Perëndimit paguan miliarda për të ri ngritur gjermanët e lindjes. Nuk ka asnjë arsye që Kosova të kursehet në këtë aspekt”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat