Neglizhenca e kryesisë së LDK-së

Politika

Neglizhenca e kryesisë së LDK-së

Nga: A.M. Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 00:04
LDK

Analisti politik, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar arsyet pse duhet distancuar nga kryesia e vjetër e Lidhjes Demokratik yë Kosovës.

“Elektorati i sinqertë i LDK-së dhe veçanërisht familjarët e të vrarëve të plagosurve të pasluftës, ditëve të fundit, kanë edhe një arsye më tepër dhe shkas tejet të fort, që të distancohen përfundimisht nga e gjithë kryesia e vjetër e LDK-së”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Qarri ka treguar se pse familjarët e veprimtarëve të LDK-së duhet të ngritin padi ndaj kryesisë së vjetër të LDK-së.

“Madje, pas qarkullimit të dosjeve të vrasjes së Xhemajl Mustafës, Ekrem Rexhës dhe plagosjes së Fetah Rudit, kundër Isa Mustafës, Skënder Hysenit, Avdullah Hotit dhe Agim Veliut, familjarët të cilët defilojnë edhe vet në këtë parti, duhet të ngritin urgjentisht padi penale dhe të kërkojnë përgjegjësi publike nga ta, për mos-hetimin dhe zbardhjen e vrasësve të etërve dhe prindërve të tyre, emrat e të cilëve, tash e 10 vite, i keqpërdornin vetëm sa për të fituar vota, ndërsa pas ardhjes në Qeveri, nuk ndërmorën asgjë për hetimin as gjetjen e dorasëve të këtyre akteve makabër”, ka thënë Qarri për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai përmend faktin se në fushatat zgjedhore janë përdorur për vota të vrarët e LDK-së.

“Për aq më tepër, përkundër faktit se mbi një dekadë Isa Mustafa ishte në krye të LDK-së, ndërsa rreth 2-3 vite edhe kryeministër i vendit, kurse Skënder Hyseni ministër i brendshëm, tanimë shihet më qartë se kurrë më par, që ata as nuk kanë iniciuar ndonjë hetim, kundër autorëve të vrasjeve të pasluftës,  megjithëse tanimë u vërtetua publikisht nëpër të gjitha mediat, se dosjet ishin të gatshme, qysh nga koha e UNMIK-ut. Kjo neglizhencë e pa justifikueshme, e bënë elektoratin e LDK-së, që të ndahet përgjithmonë dhe pakthyeshëm, nga e gjithë kryesia e vjetër e LDK-së, pa harruar këtu kryetarët e komunave Lutfi Hazirin, Haki Rugovën, Gazmend Muhaxheri etj, që në krye me Isa Mustafën në fushata parazgjedhore të gjithë e kishin gojën plot akuza, për vrasjet e kuadrove më të larta të LDK-së, që tanimë po shihet publikisht se vetëm i hidhnin në erë, sa për të fituar vota”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai shprehet se kjo parti ka pasur në institucione persona e tyre, por nuk bënë asgjë për zbulimin e vrasjeve.

“Ndërsa kur LDK mori pushtetin nga viti 2014 deri më 2017, me Isa Mustafën kryeministër dhe Agim Hysenin ministër të brendshëm, si dhe në Qeverinë kundër-kushtetuese me Avdullah Hotin kryeministër dhe Agim Veliun ministër të brendshëm, nuk bënë asgjë për zbulimin e vrasjeve as hetimin e dorasëve, lënda e përgatitur e të cilëve, tani ka filluar të qarkullojë publikisht nëpër portale dhe media, gjithandej hapësirave shqiptare deri në Hagë”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka përmendur edhe humbjen në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke paralajmëruar se kjo parti do t`i humbë edhe zgjedhjet lokale.

“Kështu që humbja drastike në zgjedhjet qendrore është paralajmërim i keq për LDK-në, se kjo parti, do ti humbë edhe shumicën nëse jo të gjitha bastionet e deritanishme të saj, në zgjedhjet lokale.

Madje kur kihet parasysh fakti se pothuajse të gjithë kryetarët e komunave të udhëhequra nga LDK, janë edhe anëtar të kryesisë qendrore të kësaj partie dhe bashkëpunëtor të ngushtë të Isa Mustafës, i cili me dallaveret e tij mbi një dekadëshe e solli LDK-në deri në buzë të shuarjes totale, humbja e LDK-së në zgjedhjet lokale teorikisht, tanimë pothuajse është e para programuar, ndaj pritet vetëm rezultati i votimeve që ajo të vërtetohet edhe në praktikë.

Shto këtu definimin jo të qartë të dorëheqjes së dyshimtë të Isa Mustafës & Co, i cili përkundër deklarimit se nuk është më kryetar i kësaj partie, ai edhe pas të ashtuquajturës "dorëheqje", ende vazhdon të vendosë vet, se kur dhe si duhet të organizohet reformimi, cilët kandidatë mund të kandidojnë dhe kur kanë të drejtë ata të paraqesin kandidaturat e tyre etj, flet qartë se Isa Mustafa dhe kryesia e degjeneruar e LDK-së, ende nuk kanë dhënë dorëheqje të njëmendtë, dhe vetëm janë tërhequr përkohësisht në prapavijë, për të përgatitur rikthimin e kuadrove të shpenzuara me arsyetimin se ata vazhdojnë të udhëheqin nëpër komuna, por pa emrin e Isa Mustafës, në krye të LDK-së 

Ndaj pas gjithë këtyre dallavereve dhe tradhtive me familjarët e të vrarëve dhe gjithë elektoratin e LDK-së, nëse kjo parti nuk reformohet shumë shpejt dhe rrënjësisht, si dhe nuk ndahet përgjithmonë nga matrapazët dhe manipuluesit e deritanishëm si Isa Mustafa me shokë në kryesi të partisë dhe udhëheqjen e komunave duke u distancuar qartë sidomos nga Haki Rugova i përfolur edhe për korrupsion e keqpërdorim të pozitës zyrtare, Lutfi Haziri, Agim Veliu që nuk është më as kryetar komune, Skënder Hyseni etj, humbja e LDK-së në zgjedhjet lokale, vetëm mund të shtyhet deri në ditën e mbajtjes së votimeve, ndërsa si akt, ajo tanimë është plotësisht e sigurt, njëjtë si në zgjedhjet qendrore”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat