Me apo pa LDK-në, Vjosa Osmani do të bëhet presidente e Kosovës

Politika

Me apo pa LDK-në, Vjosa Osmani do të bëhet presidente e Kosovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 25 shkurt 2021 Në ora: 19:26
Vjosa Osmani

Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, Vjosa Osmani me 5 nëntor ka marrë funksionin e ushtruesit të detyrës së presidentes së Kosovës.

Ajo aktualisht është u.d e presidentes së Kosovës dhe para zgjedhjeve të 14 shkurtit, ajo shpalli kandidimin për presidente të shtetit.

Kandidimin për garën për president e ka shpallur edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ku gjatë tërë fushatës zgjedhore për kryeministër ai ka bërë fushatë për postin e presidentit.

Vjosa Osmani edhe pse është më e votuara e këtyre zgjedhjeve, ajo nuk e ka ende të sigurt postin e presidentes.

Donika Gërvalla nga Lista ‘Guxo’ e Vjosa Osmanit, ka thënë se LDK duhet t’ia bëjë kuorumin Vjosa Osmanit për presidente, pasi ata e kanë zgjedhur Hashim Thaçin president.

Nga LDK nuk janë deklaruar për këtë gjë edhe pse ka zëra të ndryshëm, disa pro e disa kundër bërjes së kuorumit, derisa nga PDK kanë thënë që ende nuk e kanë diskutuar këtë çështje në parti, kurse AAK dhe AKR kanë deklaruar se nuk do të bllokojnë zgjedhjen/formimin e institucioneve të Kosovës.

Njohësit e çështjeve politike kanë thënë se LDK duhet që përveç qëndrimit në sallë dhe plotësimit të kuorumit, deputetët e LDK-së duhet edhe të votojnë unanimisht për Vjosa Osmanin.

Rugova: Nuk jam deputet, është vendim i tyre

Image
Naser Rugova

Sa i përket LDK-së, anëtari i saj Naser Rugova ka thënë se derisa nuk është deputet nuk i takon vendimi.

Sipas tij vendimi është i atyre që janë zgjedhë deputetë.

“Unë nuk jam deputet, është vendim i tyre”, ka thënë Rugova për “Bota sot”.

Qarri: LDK jo vetëm ta bëjë kuorumin por edhe të votojnë unanimisht për Vjosa Osmanin

Image
Gani Qarri

Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri për “Bota sot”, ka thënë se LDK në zgjedhjet e 14 shkurtit është katandisur dhe ka nevojë për një për ndryshimin total të qasjes ndaj votuesve dhe anëtarëve të shquar e të devotshëm të partisë si Donika Gërvalla dhe Dr.Vjosa Osmani e cila doli të jetë kandidatja më e votuar në gjithë Kosovën.

“Gjendja e rëndë në të cilën është katandisur në zgjedhjet e 14 shkurtit LDK, duhet ta vetëdijesojë përfundimisht si parti, e veçanërisht udhëheqësin e ardhshme dhe kryesinë e re të saj, për ndryshimin total të qasjes ndaj votuesve dhe anëtarëve të shquar e të devotshëm të partisë si Donika Gërvalla dhe Dr.Vjosa Osmani e cila doli të jetë kandidatja më e votuar në gjithë Kosovën. Kjo për vet faktin se vet humbja e rëndë dhe dështimi katastrofal i LDK-së erdhën pikërisht si pasojë e kryeneçësisë së tepruar dhe tekeve të pa tolerueshme të Isa Mustafës si trashëgimtari i ideve të vjetra, me diferencimet e vazhdueshme dhe veprimet sipas metodës ish komuniste-jugosllave, në parti”, ka potencuar ai.

Sipas Qarrit, i vetmi rikuperim për LDK-në është kthimi i frymës rugoviane, praktikimin e mirëkuptimit, tolerancës dhe bashkëpunimit, si me anëtarësinë e gjerë dhe ish-zyrtarët e lartë të përjashtuar prej Isa Mustafës nga partia.

“Ndaj, LDK mund të rikuperohet vetëm me rikthimin e frymës rugoviane në parti, praktikimin e mirëkuptimit, tolerancës dhe bashkëpunimit, si me anëtarësinë e gjerë dhe ish zyrtarët e lartë të përjashtuar prej Isa Mustafës nga partia, ashtu edhe me partitë rivale, si mënyra më e mirë e veprimit në demokraci, të cilat ishin edhe parimet kryesore të njohura të vet Dr. Ibrahim Rugovës, por, mjerisht të vrara qysh me ardhjen e Isa Mustafës në krye të LDK-së”, është shprehur Qarri.

Ajo çfarë ka deklaruar Donika Gërvalla, sipas Qarrit LDK duhet të ofrojë gjithë ndihmën dhe bashkëpunimin për votimin e saj, për të parën e vendit, pasi dihet se deputetët e LDK-së nën imponimin e Mustafës e kanë zgjedhë Hashim Thaçin për president.

“Kështu që, ashtu siç ka deklaruar edhe Donika Gërvalla nga Lista ‘Guxo’ e Vjosa Osmanit, LDK duhet të këmbëngulë dhe veprojë që të jetë e para, ajo e cila do t’ia bëjë kuorumin e nevojshëm ish-zyrtares së shquar të LDK-së zonjës Dr. Vjosa Osmanit për presidente, dhe ofrojë gjithë ndihmën dhe bashkëpunimin për votimin e saj, për të parën e vendit, kur dihet se deputetët e LDK-së, nën imponimin e Isa Mustafës, e kanë zgjedhur edhe kryetarin e një partie tjetër për president si Hashim Thaçin. Madje me rastin e emërimit të zonjës Vjosa Osmani për presidente, përveç qëndrimit në sallë dhe plotësimit të kuorumit, deputetët e LDK-së duhet edhe të votojnë unanimisht për Vjosa Osmanin dhe t’i bëjnë kërkesë zyrtare asaj, që pas përfundimit të mandatit të presidentes, të kthehet në krye të partisë, me të cilën do të forcohej LDK, nderohej e gjithë anëtarësia e gjerë, si dhe do të këndellej e riaftësohej vet kjo parti, nga disfatat të cilat i ndodhën nën udhëheqjen e nomenklaturës së vjetër dhe katastrofa ku aktualisht e ka katandisur Isa Mustafa me shokë”, ka deklaruar Gani Qarri për “Bota sot”.

Mehazi: Vjosa Osmani me LDK-në apo pa LDK-në do bëhet presidente dhe nuk ka kush e ndalë

Image
Sylejman Mehazi

Kurse, analisti politik dhe profesori Sylejman Mehazi shprehet i habitur me gjithë diskutimin për zgjedhje të presidentit pasi sipas tij, me fitoren e Vetëvendosjes tash çdo gjë dihet dhe Vjosa Osmani me LDK-në apo pa LDK-në do bëhet presidente dhe nuk ka kush e ndalë.

“Nuk e dimë se pse aq shumë diskutohet për Vjosa Osmanin, se a do bëhet presidente apo jo me votat e LDK-së, kur pas fitores bindëse të LVV-se dhe Listës "Guxo" të Vjosa Osmanit çdo gjë dihet. Vjosa Osmani me LDK-në apo pa LDK-në do bëhet presidente dhe nuk ka kush e ndalë. Edhe deklarata e znj. Donika Gërvallës drejtuar ish-partisë së saj: "se LDK-ja duhet t'ia bëjë kuorumin Osmanit për presidente, pasi ata e kanë zgjedhur Hashim Thaçin president", më shumë e ka kuptimin provokues e kurrsesi lutës ndaj LDK-së”, ka theksuar Mehazi.

Ai tutje shton e LDK ka humbur forcat vendimmarrëse politike për t'u varur presidentja e ardhshme e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Isa Mustafa e Agim Veliu, as që i pyet kush.

“Pas debakëlit zgjedhor, LDK-ja, më ka humbur forcat vendimmarrëse politike për t'u varur presidentja e ardhshme e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Isa Mustafa e Agim Veliu, as që i pyet kush? Alternativat e Kurtit për të zgjedhur presidente të Kosovës, Vjosa Osmanin, janë të shumta, aty janë partitë e pakicave jo serbe, është AAK-ja pa ngjyrosje të kuqe politike, është dhe PDK-ja e përçarë në dy grupe, njëra lufton për pushtet e tjetra për opozitë”, është shprehur ai.

Profesori hedh kritika ndaj Isa Mustafës, sepse ai kishte deklaruar se nuk do të marrin pjesë në Kuvend kur të votohet presidenti.

Por sipas Mehazit, kjo nuk prish punë pasi kjo deklaratë e dhënë nga Mustafa nuk do ketë peshë as qytetare, as qeveritare, po as te LDK-ja e tij.

“Se a duhet LDK-ja të qëndrojë në seancën e Kuvendit kur do votohet Vjosa Osmani si presidente, nuk prish punë, pastaj këtë deklaratë të mos pjesëmarrjes në Kuvend të LDK-se e ka dhënë, Isa Mustafa, personi që s'është as deputet, me dorëheqjen e tij as kryetar i LDK-së. Deklaratat e Isa Mustafës tani e tutje nuk do kanë peshë as qytetare, as qeveritare, po as te LDK-ja e tij. Me largimin e Mustafës nga LDK-ja, ai do bëhet i vdekur, i kaluar e i harruar nga vet partia e tij e LDK-së”, përfundon Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat