Thirrja nga Kosnett për Hoxhajn dhe Haradinajn / Ky është parashikimi për AAK-në dhe PDK-në

Politika

Thirrja nga Kosnett për Hoxhajn dhe Haradinajn / Ky është parashikimi për AAK-në dhe PDK-në

Nga: P.R Më: 20 mars 2021 Në ora: 20:31
Enver Hoxhaj dhe Ramush Haradinaj

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett ka kërkuar nga Ramush Haradinaj dhe Enver Hoxhaj që të jenë konstruktivë në opozitë dhe të punojnë bashkë me qeverinë.

Në një shkrim në Twitter, Kosnett ka shkruar se pozita dhe opozita duhet t’i vendosin nevojat e qytetarëve mbi ato partiake duke punuar bashkë.

“Kam takuar ndaras liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn dhe liderin e PDK-së, Enver Hoxhajn. I inkurajova ata të veprojnë në mënyrë konstruktive në opozitë, duke punuar së bashku me qeverinë në qëllimet e përbashkëta dhe duke i vendosur nevojat e qytetarëve mbi ato partiake”, ka shkruar Kosnett.

Por Ramush Haradinaj dhe Enver Hoxhaj, kanë deklaruar ditë më parë se deputetët e partisë së tyre, AAK dhe PDK nuk do të qëndrojnë në sallën e Kuvendit, ditën kur Vjosa Osmani do të propozohet për presidente të vendit.

E analisti politik, Faton Mehmeti, thotë për “Bota sot” se Kosnett po ua mëson demokracinë, partive që në Kosovë njihen si të “krahut të luftës”.

Image
Faton Mehmeti

“Në të vërtetë SHBA, përkatësisht Kosnett po iu mëson demokracinë partive politike, sidomos ato të krahut të luftës, e të cilat nuk kanë sjellje të civilizuara. Duke njohur kulturën e tyre të mangët, ambasadori Kosnett po iu rikujton rregullat demokratike të një opozitë: të jetë e bashkuar në interes të qytetarëve, të interesave të tyre”, thotë Mehmeti.

Sipas tij, nëse refuzohet thirrja e SHBA-së nga AAK dhe PDK, atëherë do të shënojnë rënie të votave në rast të zgjedhjeve të reja.

“Nëse nuk merren parasysh këto, atëherë edhe mbështetja e SHBA ndaj tyre do të zbehet. Duket se PDK-AAK, nuk kanë mjaftueshëm kulturë politike për t'i shërbyer interesit qytetar. Nëse vendi shkon në zgjedhje prapë, për shkak se këto parti nuk e bëjnë kourimin e mjaftueshëm, mbështetja amerikane për to do të bie, dhe mundësia që AAK të mos kalojë pragun është e madhe”, shprehet analisti Mehmeti.

Për fund, Mehmeti deklaron se opozita nuk duhet të jetë bllokuese e formimit të institucioneve të reja.

“Populli ka folur me 14 shkurt, dhe ai zë duhet të implementohet, ndryshe ndëshkimi qytetar do të jetë akoma më i madh. Opozita duhet të jetë konstruktive, jo të jetë bllokuese e proceseve të cilat i duhet vendit për të ecur tutje”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat