“Pas burgosjes së Hashim Thaçit, kjo është goditja e fundit vdekjeprurëse kundër...”

Politika

“Pas burgosjes së Hashim Thaçit, kjo është goditja e fundit vdekjeprurëse kundër...”

Nga: N.Sh Më: 5 maj 2021 Në ora: 18:55
Hashim Thaçi

Kosova dhe Serbia do të rifillojnë dialogun në muajin qershor.

Kështu kishte njoftuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.Procesi i dialogut është jashtëzakonisht i stërzgjatur i cili ka nisur vite më parë.

Tash edhe shtetet perëndimore janë të interesuar që të përmbyllet ky proces me njohje reciproke.

Në lidhje me këtë çështje, ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava shprehet se, faktori ndërkombëtar është i interesuar që këto bisedime të përfundojnë me njohje reciproke.

Sipas tij, arsye është se deri më tani pati bisedime por asnjëherë nuk përfunduan, sepse tema të dialogut ishin kryesisht çështje periferike.

Image
Hajrullah Tërnava

“Për më keq përfaqësuesit tonë, sikur ishte kryetari Hashim Thaçi, ishin të kushtëzuar me akuzat dhe burgun që e priste me shpalljen e aktakuzës për tu dërguar në Gjykatën Speciale në Hagë. Në bazë të këtyre kushtëzimeve bënte lëshime të vazhdueshme në favor të Serbisë, prandaj bisedimet nuk ishin asnjëherë afër përfundimit. Pasi ndodhi burgosja e Thaçit, tani në këto bisedime Kosovën do ta përfaqësojnë njerëz të pastër moralisht, materialisht dhe të shkolluar e të dijshëm, dhe këta nuk do të mundë të kushtëzohen me asgjë. Përfaqësuesit tanë tani do të bisedojnë për interesa të Kosovës, pa kushtëzime, sepse Serbia ishte shkaktarja e të gjitha luftërave që i ka bërë në ish republikat e Ish Jugosllavisë dhe në Kosovë, e jo sikur është sjell deri më tani ndaj nesh, sikur ne të ishim fajtor për ato lufta që i ka shkaktuar vetë Serbia, e që ne dhe shtetet kemi qenë të detyruar të mbrohemi në luftë me Serbinë, ishim viktima që për këtë të vërtetë është i njohur edhe faktori ndërkombëtar”, thotë Tërnava.

Ai shprehet se, bazuar në këto fakte, bisedimet në ardhje duhet të zhvillohen në atë drejtim sikur që janë deklarimet e fundit të BE-së dhe SHBA-ve, me qëndrimet zyrtare për mos ndryshim të kufijve në Ballkan.

“Kjo do të jetë edhe një goditje tjetër, mbase e fundit vdekjeprurëse kundër projekteve nën konspiracion, sekrete që janë luajtur deri më tash për marrëveshje me kompromise të mëdha, edhe me shkëmbim territoresh, ndarje mes Kosovës e Serbisë, të ideuar nga Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiqi. Kundër opsionit të ndryshimit të kufijve tani më janë edhe SHBA, por edhe BE-ja. Ambasadori amerikan në Beograd Anthony Godfrey ka thënë se njohja reciproke Kosovë-Serbi është politikë konstante dhe e pa ndryshuar e SHBA-së, para dhe pas zgjedhjeve të fundit presidenciale. Të njëjtën ditë, kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan është deklaruar edhe BE-ja. Zëdhënësi kryesor i Komisionit Evropian Eric Mamer, ka thënë se qëndrimi i Bashkimit Evropian rreth ideve për ndryshimin e kufijve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, është i qartë dhe se nuk ka nevojë për asnjë̈ ndryshim kufijsh”, thekson ai.

Ai shton se, lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është lëshuar edhe një komunikatë zyrtare e Departamentit të Shtetit ku shprehet qartë gatishmëria e SHBA-ve që të prijnë në këtë proces si garantues të zbatimit të marrëveshjes nga ana e Serbisë̈.

“Tani mundë të thuhet lirisht se po i qartësohet ngadalë por sigurt rruga edhe Qeverisë Kurti, për ndërtimit pa vonesë të platformës për dialog me Serbinë, pas këtyre deklarimeve të hapura rreth zgjidhjes së problemeve në Ballkan, e veçmas mes Kosovës dhe Serbisë, një problem që e patën ngatërruar keq dhe me rrezik të madh Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq me bisedimet dhe planet e tyre sekrete për ndarje. Dilema më e madhe dhe e paqartë ka qenë qëndrimi i pa definuar i BE-së, kurse deklarimi i përhershëm me një zë nga BE dhe SHBA, duhet ti shërbej Qeverisë Kurti dhe politikës në tërësi, që ti forcojnë akoma më shumë pozicionet e veta dhe qëndrimet shtetërorë të pa lëkundura në raport me kërkesat serbe të cilat së fundi po shpërfaqen edhe me lansimin e dytë të dokumentit jo zyrtar fantom dhe pa autorësi “non paper”, me projektin për autonomi territoriale, asociacion të distriktit të veçanta për veriun e banuar me shumicë serbe, plus Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, thotë Tërnava.

Sipas tij, përfaqësuesit tonë duhen të kërkojnë nga Serbia dëmshpërblimet e krimeve të luftës dhe të vrarët e të pagjeturit që sot e kësaj dite nuk dihen as varret e tyre.

“Një padi e mundshme që do të duhej ta kërkojmë vetë ne, që ta bëjnë vetë BE dhe me këtë t’iu jepte mësime shteteve eventuale agresore, se kush do që provokon dhe nxitë luftë në të ardhmen do të ballafaqohet me aktakuzë ndërkombëtare të gjenocidit dhe izolimit, sikur që pati ndodhur edhe me shtetin gjerman për Luftën e Dytë Botërore, për pasojat e së cilës ka vazhduar deri vonë të paguaj ato dëmshpërblime. Një ndëshkim të tillë duhet ta merr edhe shteti i Serbisë nga ana e BE-së që do të ishte një mësim i mirë për të gjitha shtetet që nxisin dhe shkaktojnë luftëra me shtetet tjera”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat