Greqia mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, si të binden dhe shtetet tjera

Politika

Greqia mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, si të binden dhe shtetet tjera

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 7 maj 2021 Në ora: 12:34
Ilustrim

Vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur janë Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

E së fundmi, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka pritur në takim kryetarin e Athinës, Kostas Bakoyannis, ku pas takimit në një konferencë të përbashkët për media tha se Greqia e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.

Bakoyannis u shpreh se ka shumë gjëra që i bashkojnë Athinën dhe Prishtinën, e në këtë kontekst ai tha se do të shikojnë mundësinë se si të bashkëpunojnë në mes vete.

Ai tha se Greqia mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, derisa përmendi se si shtet do të jenë të gatshëm për sezonin e verës për të pritur turistët edhe nga Kosova.

“Dy gjëra, e para, ne duam që gjithnjë e më shumë njerëz nga Kosova të vizitojnë Athinën, ne ju mirëpresim, lajmi i mirë është se vaksinimi po përparon shumë shpejt në Greqi, dhe që numri i pacientëve të hospitalizuar është në rënie. Kështu që, ne besojmë se do të jemi në gjendje të hapim vendin tonë për vizitorët dhe turistët sa më shpejt të jetë e mundur, duke u siguruar që të gjithë ata që na vizitojnë do të ndihen të sigurt. Nuk ka të bëjë vetëm me mikpritjen, nuk ka të bëjë vetëm me ushqimin dhe detin, ka të bëjë me ndjenjën e sigurisë në Athinë, dhe ne do të sigurohemi që të mbrojmë shëndetin e banorëve dhe vizitorëve tanë. Dhe sigurisht, në këtë kontekst, jam i sigurt dëshironi ta dini, Greqia mbështet liberalizimin e vizave, ne në të vërtetë jemi mbështetës të suksesit evropian të Kosovës”, tha ai.

Derisa Greqia edhe pse nuk e njeh ende Kosovën si shtet, do ta mbështes liberalizimin e vizave, si duhet të veprohet me shtetet e tjera që ende nuk e kanë njohur Kosovën, rrjedhimisht nuk janë pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës?

Lidhur me këtë kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

“Greqia e ka përkrahur Kosovën në çdo proces”

Image
Islam Krasniqi

Kështu, analisti politik Islam Krasniqi, ka deklaruar se kjo na tregon qartë raportet në mes dy shteteve, madje e ka përkrahur Kosovën në shtetndërtimin e saj, ndërsa, edhe me deklaratën e fundit, Greqia hapë një kapitull të ri, e që mund të na jetë edhe njohja nga ky shtet.

Krasniqi shtoi se përmes zyrtarëve, ne duhet të intervenojmë edhe tek ato shtete që nuk na kanë njohur, të ndryshojnë qasjen e tyre.

“Vizita e kryetarit të Athinës z.Kostas Bakoyannis në Prishtinë është një pasqyrë që tregon raportet miqësore në mesë të Republikës së Kosovës dhe asaj të Greqisë, vizitë e cila jep një sinjal se Athina zyrtare edhe pse është një ndër pesë shtetet që nuk e kanë njohur akoma shtetin tonë, por e ka përkrahur në çdo proces lidhur me shtetndërtim dhe rrugëtimin tonë në rrugën Ndërkombëtare. Andaj, vizita e kryetarit të Athinës hapë një kapitull të ri, i cili na përafron drejt liberalizimit të vizave, po ashtu pse jo edhe një njohje që për ne do të jetë e një rëndësie të madhe. Ne duhet përmes zyrave ndërlidhëse, duke i shfrytëzuar edhe miqtë tanë ndërkombëtare që të ndërmjetësojnë apo të intervenojnë duke i bindur edhe katër shtetet tjera që nuk na kanë njohur të ndryshojnë qasjen ndaj qytetarëve tanë duke na larguar kufizimet të cilat na i kanë vënë si barrikadë, dhe duke na dhënë edhe një të drejtë shumë të kërkuar liberalizimin e vizave”, ka deklaruar Krasniqi për “Bota sot”.

“Në të ardhmen e afërt, Greqia do ta njohë Kosovën”

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, Blerim Burjani, ka theksuar se Greqia luan rol pozitiv në shumë tema dhe së shpejti do ta njohë shtetin e Kosovës.

Sipas Burjanit, arsyeja se pse vendet tjera nuk po e njohin Kosovën, është se nuk kanë qëndrim të afërt edhe pse kanë qëndrim pozitiv lidhur me liberalizimin.

“Qëndrimi grek gjithmonë është pozitiv për zhvillimet integruese të Kosovës në BE, Greqia ka një rol pozitiv në këtë temë dhe për shumë tema tjera ekonomike dhe kulturor. Greqia në të ardhmen më së afërti është që të pranojë njohjen e Kosovës, edhe shumica e shteteve tjera që nuk e kanë njohur Kosovën dhe që janë pjesë e BE-së kanë qëndrim pozitiv për liberalizim të vizave, por nuk kanë qëndrim të afërt për të njohur shtetin e Kosovës. Ky proces është mjaft i ngadaltë dhe jo bindës nga institucionet që të detyrojnë të njohin shtetin e Kosovës”, ka thënë Burjani.

Si propozim për ta njohur edhe 5 vendet tjera Kosovën, Burjani ka theksuar se duhet të ketë lidhje në mes këtyre vendeve në fushën ekonomike, kulturore si dhe sportive, gjë që është kërkuar edhe nga vet Burjani, por që sipas tij, asnjë qeveri nuk ka ofruar model për të pasur afrim me këto shtete.

“5 shtetet tjera që ende kanë rezerva të mëdha në këtë temë, konsideroj se edhe Sllovakia nuk ka ndonjë arsye që të mos e njohë Kosovën. Ajo çka duhet bërë është krijimi i lidhjeve sa më të mëdha ekonomike, kulturore dhe sportive për t’iu afruar sa më shumë njohjes. Mendoj që derisa sot Kosova nuk ka pasur ndonjë politikë e as strategji e aktivitetet bindës për këto shtete. Unë dikur kam propozuar që të ketë sa më shumë lidhje ekonomike, tregtare, kulturore dhe sportive me këto shtete që dalëngadalë të vije deri tek njohja. Asnjë qeveri deri më sot nuk është interesuar më shumë për këto shtete që të njohin Kosovën, po ashtu dikur kam kërkuar që të ngritet një staf lobues dhe punues me këto shtete, fatkeqësisht asnjë qeveri e as kjo nuk ka ofruar asnjë model as minimal për tu afruar me këto shtete”, përfundoi Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat