Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia, kur mund të ndodhë dhe pse po e përkrah liberalizimin e vizave?

Politika

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia, kur mund të ndodhë dhe pse po e përkrah liberalizimin e vizave?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 7 qershor 2021 Në ora: 20:28
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ditë më parë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, priti në takim ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias me bashkëpunëtorë.

Gjatë këtij takimi, kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Dendias për rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës dhe angazhimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, siç ishte rasti në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ku vota greke ka qenë përcaktuese për pranim, por edhe për votimin për pranim në Bankën Qendrore Evropiane, Frankofoni e Komisionin e Venecies.

Kurse, ministri grek Dendias shprehi vullnetin dhe gatishmërinë e shtetit grek për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomiko-tregtar me Kosovën dhe për investime të reja. Duke pasur parasysh historinë dhe gjeografinë e përbashkët të rajonit, ministri i jashtëm grek tha se Greqia është shumë e interesuar të rris bashkëpunimin kulturor me Kosovën. Ai u interesua edhe për ecurinë e procesit të ri të dialogut.

Kryeministri Kurti e njoftoi se takimi në Bruksel do të jetë për dialogun e ardhshëm që duhet të jetë parimor, e ku Kosova do të trajtohet palë e barabartë. Ai përsëriti kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti helen dhe theksoi rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministri i Jashtëm Dendias tha se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave dhe se do të përkrahë e ta ndihmojë Kosovën në rrugën evropiane dhe euro-atlantike.

Mirëpo, krahas kësaj mbështetje të Kosovës në shumë sfera të ndryshme, ministri grek nuk e përmendi për asnjë moment njohjen e shtetit të Kosovës, ndonëse kjo gjë iu kërkua nga kryeministri i vendit, Albin Kurti e po ashtu se Kosova është e pavarur ia bëri të qartë edhe ministrja Gërvalla.

Tani duket e çuditshme, se si një udhëheqës i lartë i një shteti që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, vjen dhe e viziton atë.

Analistët politik në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot”, besojnë se njohja e Kosovës nga Greqia, do të varet nga mënyra e zhvillimit të negociatave në Bruksel.

Ata përmenden edhe afërsinë dhe lidhjen e ngushtë të shtetit grek me Serbinë.

Kapiti: Greqia do ta njoh Kosovën, kur do të bie dakord me Beogradin

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Kapiti në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar qëndrimet e Greqisë ndaj Kosovës dhe mundësinë që ajo ta njohë pavarësinë e saj.

Krahas kësaj, ai përmendi lidhjen e ngushtë të shtetit grek me Serbinë dhe aleancën e tyre vëllazërore ortodokse kundër shqiptarëve. Kapiti tregoi edhe arsyen e afërsisë së shtetit serb me Greqinë.

Image
Skënder Kapiti

“Greqia në lidhje me Kosovën, ajo gjithmonë ka mbajtur dhe është pajtuar në të njëjtën linjë anti-Kosovë përkrah Serbisë, pasi të dyja historikisht, pavarësisht se janë kombe të ndryshme dhe larg njëra-tjetrës, Greqia e Serbia kanë qenë dhe janë në një aleancën vëllazërore ortodokse kundër shqiptarëve. Serbia gjithmonë, të gjitha ato shtete që e kanë përkrahur atë kundër shqiptarëve, i konsideron si shtete e kombe vëllezër, si ishte edhe rasti që vëllezër, Vuçiq i quajti edhe çekët pse presidenti çek dënoi sulmet e NATO-s kundër Serbisë, ashtu sikurse Serbia i quan vëllezër rusët po e po, por edhe kinezët të cilët edhe ata nuk e njohin Kosovën”, ka deklaruar ai.

Në vazhdim, analisti rikujtoi kohën kur Greqia edhe pse ishte anëtare e NATO-s, nuk mori pjesë në fushatën për bombardimin e Serbisë dhe nuk vuri në dispozicion as aeroportet e saj.

Gjithashtu, Kapiti paralajmëroi shqiptarët se shteti grek, kur vjen puna është edhe aleate e fshehtë e Rusisë në BE dhe në NATO.

“Pavarësisht se Greqia ishte anëtare e NATO-s, ajo si antishqiptare që është nuk mori pjesë në fushatën e NATO-s për bombardimin e Serbisë, nuk vuri në dispozicion të NATO-s as aeroportet e saj; mediet dhe politika e Athinës kanë bërë propagandë antishqiptare, pro serbe e anti NATO, si dhe ka pasur edhe vullnetarë nga Greqia në radhët e ushtrisë dhe paramilitarëve serb. Duhet ta dinë mirë shqiptarët e Kosovës se Greqia është kur vjen puna edhe aleate e fshehtë e Rusisë në BE dhe në NATO, dhe të mos qorrolliset ndokush si një farë analisti në Kosovë që mbështet grekët kundër Turqisë në lidhje me mosmarrëveshjet e tyre në Mesdheun Lindor dhe i quan grekët miq”, ka theksuar analisti.

Kapiti kërkoi që shqiptarët të mos mbërthehen nga euforia e shpresa se shteti grek mund të ndryshojë, e të bëhet nga proserb në proshqiptar.

Ndërsa, sa i përket mbështetjes së Greqisë për liberalizimin e vizave për Kosovën, tha se njëjtë si shteti grek edhe presidenti serb Vuçiq, nuk është kundër një gjëje të tillë.

Madje, Kapiti citoi edhe një fjali të Vuçiqit për liberalizimin e vizave: “Unë nuk kam asgjë kundër regjimit pa viza për shqiptarët edhe nëse ata janë të lumtur, nuk kam asgjë kundër kësaj”.

“Mos t’i mbërthejë euforia, entuziazmi e shpresa se Greqia do të ndryshojë kurs e do bëhet pro shqiptare e anti-serbe. Greqia për gjithçka konsultohet dhe është pro Beogradit. Greqia është pro liberalizimit të vizave për Kosovën, sepse edhe Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se nuk është kundër dhënies së votës pro nga Parlamenti Evropian që kosovarët të kenë liberalizim të vizave. “Unë nuk kam asgjë kundër regjimit pa viza për shqiptarët edhe nëse ata janë të lumtur, nuk kam asgjë kundër kësaj””, ka nënvizuar ai.

Krejt në fund, analisti u shpreh se Greqia do ta njoh pavarësinë e Kosovës, vetëm kur për një gjë të tillë do të bie dakord edhe Beogradi dhe njohja do të varet krejt nga mbarëvajtja e procesit të dialogut, në Bruksel.

“Dhe Greqia do ta njoh Kosovën vetëm kur ajo të dakordohet për këtë me Beogradin, dhe pret se si do të zhvillohen bisedimet Kosovë-Serbi. Greqia mund ta njohë Kosovën vetëm nëse asaj do t’i bënin dhe do ta detyronin SHBA-të, ashtu sikurse që po SHBA-të e detyruan edhe Izraelin që e njohu Kosovën, por me kushtin që Kosova ta ketë Ambasadën në Jerusalem”, përfundoi Skënder Kapiti.

Bytyçi: Greqia shumë shpejtë mund ta njoh pavarësinë e shtetit të Kosovës

Kurse, analisti tjetër politik, Adem Bytyçi, e cilëson shumë pozitive vizitën e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, në Kosovë.

Madje, ai kërkesën e kryeministrit Kurti për njohjen e Kosovës, e sheh si një akt diplomatik të duhur në favor të Kosovës.

Image
Adem Bytyçi

“Vizita e ministrit të Jashtëm grek, në Kosovë është një shpresë se Greqia së shpejti mund ta njoh Kosovën. Kërkesa e kryeministrit Kurti drejtuar ministrit të grek me rastin e vizitës së tij Kosovës, është e natyrshme dhe një akt diplomatik i duhur në favor të Kosovës”, ka deklaruar analisti për gazetën "Bota sot"

Sipas tij, për momentin diplomacia greke është në korrelacion me diplomacinë amerikane, prandaj ky është një sinjal se Greqia së shpejti mund ta njoh pavarësinë e Kosovës.

“Siç duket diplomacia amerikane e Presidentit Biden është në korrelacion permanent me diplomacinë greke, prandaj edhe me të drejtë mund të shpresohet se Greqia shpejtë do ta njoh subjektivitetin ndërkombëtare të shtetit të Kosovës“, ka theksuar Bytyçi.

Në fund, ai tha se për faktin që Greqia njeh pasaportat e Kosovës dhe vendi ynë ka përfaqësi ndërlidhëse në shtetin grek, mund të konkludojmë se mund të kemi një njohje ndërkombëtare mes dy vendeve.

“Mos të harrojmë se Greqia ka njohur pasaportat e Kosovës dhe Kosova e ka një përfaqësi ndërlidhëse në Greqi, për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe të tjera, edhe këto janë elemente të rëndësishme në procesin e njohjeve në mes dy shteteve sipas së drejtës ndërkombëtare “, ka përfunduar Adem Bytyçi për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat