A do të arrestohen “peshqit e mëdhenj” në aferën me subvencione?

Politika

A do të arrestohen “peshqit e mëdhenj” në aferën me subvencione?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 3 korrik 2021 Në ora: 13:17
Njësia Speciale e Kosovës

Në aksionin e emëruar ‘Subvencioni 2021’, u bë arrestimi i arrestimi i 23 personave në disa komuna të Kosovës, 8 nga ta janë zyrtarë të Agjencionit të Zhvillimit për Bujqësi. Aksioni është nisur bazuar në provat që janë nxjerrë nga telefonat e sekuestruar muaj më parë të zyrtarëve të arrestuar e që flasin për afera korrupsioni e ryshfet për ndarje subvencionesh.

Me aksionin e zhvilluar u shtua edhe guximi i fermerëve për të rrëfyer për ryshfetin e kërkuar nga ana e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë. Konkretisht, Fermeri Bedri Duraku, nga Krusha e Rahovecit ka rrëfyer se si iu mohua granti për rritjen e viçave në këtë ministri pikërisht pasi nuk pranoi të jepte ryshfet. Duraku ka rrëfyer për këtë rast i cili ndodhi në vitin 2018, kur kryeshefi i Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor në atë kohë sipas tij ishte Ekrem Gjoka, ndërsa Agim Nuha njëri nga të arrestuarit e ditës së djeshme ishte shef i autorizimit të pagesave.

Të konfiskuar nga ky aksion janë konfiskuar mbi 400 mijë euro, vetura, telefona, laptopë e kompjuterë, që janë vetëm maja e Ajsbergut në krahasim me gjithë ato dallavere që janë bërë. Ka kohë që kanë dalë në pah parregullsitë dhe korrupsioni në ndarjen e granteve dhe subvencioneve në fushën e bujqësisë. Me formulën e një “masë të veçantë” Ministria e Bujqësisë i ka dërguar jashtëligjshëm tre milionë euro të shtetit tek biznese që për aksionarë kanë njerëz të lidhur me të mëdhenjtë e politikës nga radhët e shqiptarëve dhe serbëve.

Pra, hajnia, dallaverja s’ka nacionalitet, ajo i bashkon si thoin me mishin dallaverxhinjtë nga të dyja nacionalitete. Ka shumë kohë që përflitet se dallaveret me grande, me subvencione janë të pranishme, kryesisht kanë marrë njerëz të lidhur me politikanët, e të cilët pa asnjë metër ari kanë përfituar subvencione për bujqësi. Njerëz duke jetuar në banesa , në vila, pa asnjë metër katrore ari kanë marrë miliona tenderë. Nuk i kanë marrë ata që meritojnë, përmendim këtu rastin e bujkut Duraku, e ka shumë Durakë të tjerë.

Grantet që shkojnë mbi 8 milionë euro dhe me subvencionet në shuma edhe më të larta, janë të mjaftueshme për të shkundur një herë e mirë Ministrinë e Bujqësisë. Kjo mënyrë perfekte për zhvatje është praktikuar tanimë që nga paslufta nga politikanët e lartë, të cilët jo në mërinë e tyre por të tjerëve kanë përfituar, pastaj ato para i kanë ndarë në mënyra të ndryshme, me pak fjalë skemë mafioze për të zhvatur shtetin.

Me këto skema kriminale kanë ndërtuar vila, të cilat nuk i deklarojnë në formularin për deklarim të pasurisë sepse nuk i kanë me letra në emër të tyre. Tanimë shteti duhet të dijë si të veprojë edhe në këto raste, me konfiskimin e pasurisë sa më shpejt të jetë e mundur.

Megjithatë, këto arrestime, kam shumë dyshime se do e marrin dënimin e merituar, maksimumi që mund të marrinë është dënim me kusht. Pa reforma në drejtësi, gjithë ditën le të arrestojë policia, përderisa prokuroria nuk është e lirë të veprojë. Duhet Vetting të shpejtë dhe të thellë në drejtësi, megjithëse arrestimi në rastin “subvencioni” është një nismë e mirë që të gjithë ata që vjedhin të arrestohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat