Halimi flet për propozimin e Ngjelës për Ushtrinë e bashkuar shqiptare

Politika

Halimi flet për propozimin e Ngjelës për Ushtrinë e bashkuar shqiptare

Nga: A.M. Më: 18 korrik 2021 Në ora: 13:42
Spartak Ngjela

Avokati shqiptar, Spartak Ngjela ka propozuar që ushtria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë të bashkohen në një ushtri.

“Ushtria e bashkuar moderne dhe e fortë, për shqiptarët është një domosdoshmëri historike. Ajo ka filluar të ngrihet dhe do të ecë përpara shumë shpejt, sepse, te forca e kësaj ushtrie, qëndron vetë Shqipëria e Bashkuar”, ka shkruar Ngjela në Facebook.

Lidhur me këtë çështje, Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS), në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria si dy vende të pavarura duhet të zhvillojnë forcat e veta vetanake.

Image
Armend Halimi

“Kosova dhe Shqipëria si dy vende të pavarura duhet të zhvillojnë forcat e veta vetanake, sepse Kosovës i duhet promovim i shtetësisë së saj në arenën ndërkombëtare, duke llogaritur në forcat e saja. Kjo nuk do të pengonte në krijimin e aleancës ushtarake mes dy shteteve. Fundja, të gjitha vendet demokratike i bashkon një aleance, ajo e NATOS-së, nën ombrellën e së cilës, të gjitha shihen si një ushtri, në një rrugëtim të tilla edhe është Kosova, e Shqipëria veç është tashmë”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Halimi ka shtuar se Kosova dhe Shqipëria shpesh nuk puqen në interesa të përbashkëta në raste të caktuara.

“Ndryshe, përkundër gjitha karakteristikave të përbashkëta nacionale, Kosova dhe Shqipëria shpesh nuk puqen në interesa të përbashkëta në raste të caktuara, andaj, ushtria është një prej mekanizmave që mbron interesat e shtetit të vetë, sidomos kur vije në shprehje siguria nacionale”, ka përfunduar Halimi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat