Paralajmërimi i Serbisë për tërheqje të njohjeve, eksperti i Oksfordit tregon se si duhet t’i kundërvihet Kosova

Politika

Paralajmërimi i Serbisë për tërheqje të njohjeve, eksperti i Oksfordit tregon se si duhet t’i kundërvihet Kosova

Nga: A.Zh Më: 22 gusht 2021 Në ora: 08:31
Richard Caplan

Serbia do të nisë fushatë për të bindur shtetet që të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovë.

Këtë e kanë paralajmëruar mediat serbe, të cilat citojnë kryeparlamentarin Ivica Daçiq. Ai ka thënë se Serbia do të nis fushatën pas datës 4 shtator, atëherë kur përfundon afati për një nga zotimet e Marrëveshjes së Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator të vitit të kaluar mes Kosovës dhe Serbisë.

Mediat serbe kanë përmendur 11 vende, që sipas tyre, do të tërheqin njohjen e tyre të pavarësisë së Kosovës.

Këtë paralajmërim të Serbisë, e ka komentuar edhe eksperti i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit Richard Caplan.

Ai ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kosova duhet t’i bëjë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, që të dekurajojnë çdo vend që tërheqë njohjen e tij për Kosovën.

“Për t'iu kundërvënë përpjekjeve të Serbisë, Kosova do t'i bëjë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe BE-së që të dekurajojnë çdo vend që tërheqë njohjen e tyre të Kosovës, ndoshta duke theksuar se veprime të tilla do të minojnë stabilitetin në rajon”, ka thënë profesori Caplan.

Se BE duhet të protestojë fuqishëm për veprimet e Serbisë, e ka thënë edhe drejtori i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin e Studimit të të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia, David Phillips.

“Bashkimi Evropian duhet të protestojë fuqishëm për veprimet e Serbisë dhe të pezullojë ndihmën për vendet që komplotojnë me Beogradin. Uashingtoni duhet të caktojë zyrtarë serbë të përfshirë në fushatën tinëzare të çnjohjes dhe të vendosë sanksione mbi udhëtimet e tyre në SHBA dhe të ngrijë asetet e tyre në bankat e huaja”, ka thënë David Phillips./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat