Gjendja e rënduar me Covid/LDK fajëson Qeverinë, VV tregon arsyet e rritjes së rasteve

Politika

Gjendja e rënduar me Covid/LDK fajëson Qeverinë, VV tregon arsyet e rritjes së rasteve

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 7 shtator 2021 Në ora: 17:13
Foto ilustrim

Javëve të fundit në vendin tonë është rënduar shumë situata me Covid-19.

Së fundi shumë janë raportuar edhe numër i madh i vdekjeve, ku numri i tyre në baza ditore kalon shifrën e 20 viktimave.

Qeveria e Kosovës ka marrë masat për parandalimin e infektimeve, të cilat janë në fuqi deri më 13 shtator.

Institucionet e vendit vazhdimisht po bëjnë thirrje për vaksinim dhe për respektimin e masave.

Njohësit e shëndetësisë kanë vlerësuar se situata është e rëndë.

Rrahmani: Qeveria nuk pati përgatitje për reagim adekuat pas hapjes totale

Image
Ish-ministri i shëndetësisë, Imet Rrahmani

Ish-ministri i shëndetësisë, Imet Rrahmani, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka kritikuar qeverinë aktuale duke thënë se nuk është vlerësuar rrjedha e pandemisë, duke shtuar se pas hapjes totale nuk pati fushatë vetëdijesimi për procesin e vaksinimit dhe për dilemat që shtroheshin në media e rrjete sociale.

“Kjo situatë po dëshmon se qeveria e ka vlerësuar keq, për të mos thënë nuk e ka vlerësuar fare, rrjedhën e pandemisë. U dëshmua se nuk pati përgatitje për reagim adekuat pas hapjes totale në kohën kur vetëm sa pati filluar procesi i vaksinimit. Nuk pati fushatë vetëdijesimi për procesin e vaksinimit dhe për dilemat që shtroheshin në media e rrjete sociale. Pra, ende ka mëdyshje se kush duhet e kush ndoshta nuk duhet të vaksinohet. Tash po del që furnizimi me vaksina është bazuar vetëm në donacione, bile edhe ato nuk u menaxhuan mirë, kjo u vërtetua këto ditë me skadimin e afatit të vaksinave”, ka thënë ish-ministri.

Ai thotë se Ministria e Shëndetësisë e ka mashtruar opinionin, sa i përket vaksinimit. Tutje, ai përmend edhe disa probleme në sistemin e shëndetësisë i cili është para kolapsit.

“Qeveria, e sidomos Ministria e Shëndetësisë ka mashtruar opinionin derisa bënte ftesë për vaksinim a vaksinat doli se ishin të kufizuara në numër. Gjitha këto kanë shkaktuar probleme të papërballueshme në sistemin e shëndetësisë i cili është para kolapsit. Personeli i frustruar nga lodhja, mbingarkesa dhe mungesat e shumta, tash së fundmi edhe u ndie i ofenduar nga niveli i shtesave që akordoi qeveria. Ky mosplanifikim, vendimet e gabuara dhe mungesa e mbikëqyrjes kanë sjellë deri te kjo situatë e pashpresë e cila imponon si zgjidhje masa radikale, si mbyllja e plotë ose gjendja e jashtëzakonshme”, shprehet Rrahmani.

Në fund, ai ka shtuar se kjo Qeveri nuk ka plan për kompensim dhe përkrahje për popullatën dhe ekonominë dhe siasp tij kjo është e keqja tjetër e cila është dashur me kohë të parashihej nga qeveria për të mos ardhur deri te kjo.

“Mbyllja tashmë e imponuar, pa plan kompensimi dhe përkrahje për popullatën dhe ekonominë, është e keqja tjetër e cila është dashur me kohë të parashihej nga qeveria për të mos ardhur deri te kjo. Thjesht, kjo qeveri ka shkaktuar pasiguri totale sepse me asnjë veprim nuk po jep shenja se e ka seriozisht qasjen ndaj pandemisë. Dolën ne konferencë me tregu se si do ti shtojnë kapacitete njerëzore derisa më herët e patën ndërprerë kontratën me profesionistët e angazhuar nga qeveria e mëhershme; folën me shifra të thata sikur të kishin të bëjnë me objekte guri e jo me jetën e njerëzve. Pandemia do angazhim serioz nga të gjithë e aspak pallavra nga qeveria dhe qeveritarët”, përfundon Imet Rrahmani për gazetën “Bota sot”.

Lahu: Varianti Delta po rezulton të jetë dukshëm me kontagjioz

Image
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Vendenis Lahu

Edhe deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Vendenis Lahu, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se gjendja pandemike në Kosovë është rënduar.

Sipas tij, kemi të bëjmë me variantin Delta i cili po rezulton të jetë dukshëm me kontagjioz.

“Situata epidemiologjike në vendin tonë vazhdon të jetë e rënduar me numër të madh të rasteve të reja dhe me numër të lartë të hospitalizimeve. Mendoj qe duhet ta kemi të qartë se këtu po bëhet fjalë për variantin delta, një variant që po rezulton të jetë dukshëm me kontagjioz sesa ata paraprak alfa e beta. Po ashtu në bazë të hulumtimeve të fundit edhe shkalla e hospitalizimit është dukshëm më e lartë te ky variant sesa te variantet tjera, prandaj duhet t’i respektojmë masat e distancimit fizik e higjienës të cilat janë në fuqi prej fillimit të pandemisë e të cilat sikur i harruam gjatë verës shpesh duke krijuar përshtypjen e rreme se virusi ka shkuar. Nuk duhet harruar po ashtu se këtë verë kemi pasur një fluks të jashtëzakonshëm të mërgimtarëve, rreth 1 milion e që sigurisht me pothuajse dyfishimin e popullsisë në vend gjatë verës edhe numri i rasteve sigurisht se pritet të rritet proporcionalisht”, ka thënë ai.

Sipas Lahut, edhe masat e marra mund të krijojnë vështirësi të bizneset, nuk duhet të harrojmë që edhe ato janë kontribuues në këtë rritje enorme të infektimeve.

“Masat e ndërmarra së fundi kanë qenë të detyrueshme për shkak të situatës së krijuar, këto masa edhe mund të krijojnë vështirësi të bizneset por me këtë numër të madh të rasteve aktive nuk ka se si të veprohet ndryshe e nuk duhet harruar se edhe disa nga bizneset janë kontribuues në këtë rritje enorme për shkak se kemi parë që në disa raste nuk kanë respektuar asnjë mase preventive, prandaj duhet kuptuar se masat janë për të mbrojtur shëndetin publik, qytetarët por edhe bizneset sado që bizneseve kjo mund të u duket paradoksale”, ka deklaruar deputeti Vendenis Lahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat