Ja pse e përjashtoi Basha/ Zbardhet skenari tjetër për Sali Berishën - kështu ishte planifikuar të dëbohej nga SHBA...

Politika

Ja pse e përjashtoi Basha/ Zbardhet skenari tjetër për Sali Berishën - kështu ishte planifikuar të dëbohej nga SHBA...

Nga: P.R Më: 11 shtator 2021 Në ora: 19:07
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka përjashtuar nga grupi parlamentar i PD-së ish kryetarin e kësaj partie dhe ish kryeministrin, Sali Berisha, i cili së fundi është futur në listën e zezë të SHBA-së.

“PD dhe grupi parlamentar i PD nuk duhet të përfshihet, deri në përfundimin e kërkesës për transparencë dhe zbardhjes së kësaj çështje, zoti Berisha nuk do të jetë anëtar i grupit parlamentar të PD. Që ditën e parë kur u njoha me vendimin e DASH iu bashkova thirrjes për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim. Sali Berisha është udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë dhe që çoi aleancën me SHBA në nivelet më të larta. PD mbështet kërkesën për transparencë të bërë nga Berisha, që ka marrë një vendim në mbrojtje të dinjitietit të tij. ndjekja e rrugës ligjore për të kërkuar transparencë, çështja është komplekse sepse përfshin DASH”, tha Lulzim Basha.

Kurse Sali Berisha e akuzoi George Soros se ka kapur Partinë Demokratike përmes Lulzim Bashës.

“Basha bëri që George Soros të kapë PD. Në 8 vite, Lulzim Basha ka marrë mbështetjen e pakufizuar të George Soros. Ky vendim i Bashës e çon PD vetëm në një satelit të Edi Ramës. Lulzim Basha ka marrë një vendim fatal, PD ka marrë goditjen më fatale. Lulzim Basha kreu vrasjen e PD, jo aktvrasje. Ai kreu vrasjen e PD! Unë e kuptoj presionin e jashtëzakonshëm që ai ka patur, por pavarësisht nga presioni, mendoj se disa herë më parë duhet të konsideronte dorëheqjen e tij, se sa të dorëzonte sovranitetin e PD, se PD është një institucion i sovranitetit të vendit. Me njoftimin që shpalli zoti Basha, dëshmoi se, ose bëri atë që nuk bëri, Ilirjan Celibashi. Vendosi të dorëzojë sovranitetin, të asgjësojë PD-në si një parti sovrane, për shkak të presioneve të jashtëzakonshme, të lobimit korruptim të Edi Ramës dhe George Soros. Jam i sigurt se Bashën e kanë kërcënuar me sanksione, për këtë jam i sigurt”, deklaroi Sali Berisha, menjëherë pasi Basha bëri publik vendimin e tij për përjashtimin e Berishës nga PDK.

E lidhur vendimin e Lulzim Bashës për përjashtimin e Sali Berishës, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Lulzim Basha shpalli të enjten e kaluar se kishte vendosur që deputetin Sali Berisha ta përjashtojë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Arsyeja është se Sekretari Amerikan i Shtetit e ka shpallur non grata për të hyrë në SHBA. Por shpallja non grata nga një vend tjetër i një personi (politikani) nuk është arsye ligjore dhe kushtetuese për ta përjashtuar dikë nga parlamenti ose nga grupi parlamentar. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që ka miratuar një ligj dekriminalizimi, me të cilin penalizon kandidimin ose detyron dorëzimin e mandatit të atyre individëve që janë dëbuar për shkaqe të ndryshme nga SHBA ose vendet e Bashkimit Evropian. Bazuar në këtë ligj kanë dorëzuar mandatet e tyre shumë deputetë, sidomos nga radhët e Rilindjes”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, Sali Berisha nuk preket nga ligji i dekriminalizimit.

“D.m.th nuk është dëbuar nga SHBA, por i është ndaluar hyrja në SHBA. Të tillë deputetë në hapësirën shqiptare ka shumë. Po ju përmend njërin prej tyre, Menduh Thaçin. U ndalua edhe Haradinaj disa kohë të shkonte në SHBA, pra për atë kohë ai u shpall non grata. Ishte kryeministër i Kosovës. U ndalua, sepse kundërshtoi ndryshimin e kufijve dhe nuk pranoi heqjen e taksës. Ne e dimë këtë histori. Por askush nuk kërkoi përjashtimin e tij nga ndonjë grup parlamentar, madje as u votëbesua si kryeministër. Kjo gjë nuk ndodh prej më shumë se 20 vitesh me Menduh Thaçin. Edhe për Sali Berishën nuk ka ligj që ta ndalojë të jetë në parlament e për pasojë nuk ka asnjë arsye ligjore të përjashtohet nga grupi parlamentar”, shprehet Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Më tej, Bytyçi thotë se Lulzim Basha e ka marrë vendimin i vetëm, pa konsultim me strukturat e Partisë Demokratike.

“Ka deklaruar publikisht se ky vendim është përgjegjësi e tij. Kjo do të thotë se këtij vendimi i mungon legjitimiteti. Ky legjitimitet i mungon së pari, sepse në statutin e PD-së nuk ka asnjë klauzolë që një deputet e saj përjashtohet nga grupi nëse shpallet non grata nga SHBA. Por edhe sikur të kishte një pikë në statut e të parashikohej kjo, vendimmarrja nuk i takon kryetarit të partisë, por kryesisë, Këshillit Kombëtar dhe Grupit Parlamentar. Kur bëhet fjalë për themeluesin dhe liderin historik të kësaj partie, do të ishte e udhës të mblidhej Kuvendi Kombëtar i Partisë e ndoshta të bëhej referendum në parti”, thekson profesor Bytyçi.

“Nuk është njësoj si të përjashtosh nga radhët e deputetëve të partisë themeluesin, ish-kryeministrin e ish-presidentin e vendit, sikur të përjashtosh një deputet të rastësishëm. Kur merret vendim për ish-themeluesin e partisë dhe ish-shtetarin e liderin e Shqipërisë jo vetëm duhen konsultime me të gjithë anëtarët e partisë, por duhet dhe një vendimmarrje sa më përfaqësuese. Aq më tepër kur Berisha kërkon fakte e prova. Në mungesë të tyre kryhen veprime jo legjitime, pra bëhet padrejtësi. Kur një kryetar partie bën padrejtësi dhe shkel ligjin në adresë të themeluesit të partisë, ish-presidentit e ish-kryeministrit, si mundet që qytetarët e Shqipërisë të presin drejtësi prej këtij njeriu nesër në pushtet?!”, deklaron më tej Bytyçi, i cili e vendimin e Bashës e konsideron ilegjitim.

Sipas Bytyçit, për Berishën kishte edhe një skenar tjetër.

“Nuk justifikohen vendime të tilla me atë se këtë e kërkuan ambasadorja amerikane dhe zv.ndihmësi i sekretarit të Shtetit Amerikan, apo edhe vetë sekretari i Shtetit Amerikan. Unë kam informacion se për zotin Berisha kishte një skenar tjetër. Në shkurt të këtij viti, dy muaj para zgjedhjeve të 25 prillit, ai ishte ftuar nga një institut amerikan për të folur për zhvillimet në Ballkan. Thuhet se Berisha e kishte pranuar ftesën. Por dikush nga SHBA, që ishte në dijeni të kurthit e kishte njoftuar Doktorin. I kishte thënë se kur ai të shkonte në SHBA, do të dëbohej si i padëshirueshëm. Dëbimi do ta klasifikonte formalisht në atë ligjin e dekriminalizimit që ju fola më lart. Por Berisha nuk shkoi në SHBA. Nuk ra në kurth. Dështimi i këtij skenari bëri që pas zgjedhjeve ai të shpallej non grata. Nuk e shpallën non grata para zgjedhjeve, sepse kjo do të ishte nxitje që ai të merrte së paku 100 ose 200 mijë vota direkte nga qytetarët. Kjo është e vërteta”, thotë Bytyçi.

Ai shton se Lulzim Basha u dorëzua përballë presionit për ta përjashtuar Berishën.

“Tani Lulzim Basha për herë të parë u "bë cub" dhe e shpalli Sali Berishën "non grata" në Partinë Demokratike. Thjesht se i bënë presion, ose ndoshta donte ta shihte Berishën nën këmbët e tij. Unë, nga njohjet e afërta, nga vëzhgimi i sjelljeve, qëndrimeve, nga bisedat midis tyre, mënyra e komunikimit, madje mimikat, kam vënë re se Lulzim Basha bezdisej shpesh nga Berisha, por kurrë nuk reagoi, kurrë nuk i tha ndonjë kundërshti të tij. Edhe kur nuk ishte dakord, bindej si nxënësi para mësuesit. Kam vënë re se ai vetë e pyeste dhe ia shfaqte problemet, pa ia kërkuar doktori. Por edhe kur nuk i pëlqente argumenti i Berishës, nuk reagonte me kundër argumente”, nënvizon Bytyçi.

Për fund, Bytyçi shprehet se PD mund të shkojë drejt shkatërrimit pas përçarjeve të krijuara, brengë me të cilën e ka njoftuar edhe Lulzim Bashën.

“Kjo paaftësi totale e tij për të qenë vetvetja e çon jo vetëm Bashën, por çdo njeri që në momentin e parë të bëjë veprime të tilla anti-ligjore dhe jo legjitime ndaj dikujt që ai në fakt nuk e do. Edhe në PD shpesh herë ka krijuar frymë anti-Berisha e ndërkohë ka mbajtur afër disa figura të djegura që para 20 ose 25 vitesh kanë qenë me Berishën, për të dhënë imazhin se ai "ka mbështetjen e Doktorit"! Ia kam thënë zotit Basha, nëse ju nuk i lidhni brezat në PD e krijoni përçarje, PD do të shkatërrohet. Ai i mohoi brezat, kontributetet dhe sakrificat e demokratëve për interesin e tij personal, që të rikthejë "miqësinë e humbur" me SHBA-të!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat