Parashikimi/ Ky është rreziku i përhershëm për Kosovën, ja pse mund të ketë konflikt të ri në Ballkan

Politika

Parashikimi/ Ky është rreziku i përhershëm për Kosovën, ja pse mund të ketë konflikt të ri në Ballkan

Nga: P.R Më: 12 tetor 2021 Në ora: 19:07
KFOR-i në Veri të Kosovës

Analistët amerikanë dhe njohësit e çështjeve të Ballkanit, Janusz Bugajski dhe Daniel Serwer, pas përfundimit të Samitit në Slloveni, kanë vlerësuar se Bashkimi Evropian po ndjek një qasje të gabuar ndaj Kosovës.

Madje Sipas Janusz Bugajskit, mungesa e strategjisë për zgjerimin në Ballkan tregon dobësi për Bashkimin Evropian dhe mungesën e një politike të Jashtme efektive, çka sipas tij do të kontribuojë në konflikte të reja në Ballkan.

“Duke vonuar vazhdimisht hyrjen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, udhëheqësit e BE do të përballen me probleme edhe më të mëdha në vitet e ardhshme. Ndërsa publiku ballkanik zhgënjehet me çdo shpresë për pranimin në Be, ata ose do të emigrojnë ose do të kthehen në ideologji dhe politikanë më radikalë. Dhe pa një rrugë të qartë dhe një afat kohor për pranimin në BE, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të ndihëm më pak të kufizuar në përfshirjen në korrupsion dhe abuzim me detyrën. Ata gjithashtu do të përdorin popullzimin dhe nacionalizmin për të mobilizuar mbështetjen dhe për të miratuar gjithnjë e më shumë metoda autoritare për të qëndruar në detyrë. Mungesa e angazhimit të fortë të BE-së për zgjerimin demonstron dobësinë e Bashkimit dhe mungesën e një politike të jashtme efektive dhe kjo do të kontribuojë në konflikte të reja ndër shtetërore në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Bugajski.

Image
Gani Qarri

E sipas analistit politik, Gani Qarri, Bashkimi Evropian ka humbur idetë dhe forcën për integrimin e Ballkanit Perëndimor.

“Në fakt sa i takon Bashkimi Evropian, pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga EU, analisti amerikan Janusz Bugajski ka shumë të drejtë, se vërtetë shihet qartë, që BE e ka humbur tërësisht jo vetëm elanin inkuadrues por edhe idetë dhe forcën për integrimin e Ballkanit Perëndimor, ndaj ashtu siç shprehet z. Bugajski mungesa e strategjisë se BE-së, mund ta dërgojë Ballkanin dhe gjithë rajonin në konflikt të hapur, për okupim territoresh dhe zaptime të reja nga Serbia”, thotë Qarri për “Bota sot”.

Më tej, Qarri shton se BE përveç Kosovës, po ndjek politikë të gabuar edhe me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën.

“Për aq më tepër, pas Brexitit të Anglezëve nga EU, siç e vlerësojnë edhe vet njohësit e çështjeve të Ballkanit, Janusz Bugajski dhe Daniel Serëer, Bashkimi Evropian jo vetëm që ende nuk u ka mundësuar, vetëm dy milion qytetarëve të Kosovës, liberalizimin e vizave dhe qarkullimin e lirë në BE, por po ndjek edhe një politikë tejet të gabuar, si ndaj Kosovës, ashtu edhe ndaj Shqipërisë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjës, të cilën Millorad Dodik dhe Aleksandër Vuçiqi gati çdo ditë e shantazhojnë me ndarjen e ngrehinës gjenocidiale si "Republika srpska" dhe krijimin e "botës serbe" që do ta atakonte drejtpërsëdrejti edhe Kosovën dhe vet Malin e Zi, ku popat serb me mbështetjen e kriminelit Vuçiq, po luftojnë ditë e natë për dominim jo vetëm fetar, por edhe politik të serbëve dhe Serbisë edhe në këtë vend”, shprehet Qarri.

Sipas tij, tensionet në veri të Kosovës dëshmuan se Serbia di ta shfrytëzojë çdo situatë për tensione dhe konflikte të reja.

“Kështu që mendimin e z.Janusz Bugajskit, unë e shohë plotësisht të drejtë, sepse heshtja para pretendimeve hegjemoniste të Serbisë dhe mungesa e strategjisë afatgjate e BE-së për zgjerimin dhe përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE, tregon hapur dobësitë e Bashkimit Evropian dhe mungesën e një politike të Jashtme efektive, të këtij unioni, gjë që siç thotë edhe z. Bugajski, në vend të sigurimit të paqes, shihet qartë se do të qojë në konflikte të reja të përgjakshme në Ballkan e më gjerë. Madje vet tensionet e para disa ditëve të ngritura artificialisht nga Serbia në veri të Kosovës, dëshmuan edhe njëherë më tepër se Serbia di ta shfrytëzojë çdo situatë, për tensione dhe konflikte të reja, sidomos kur e duan interesat e Serbisë hegjemoniste, për pushtimin dhe gllabërimin e tokave të vendeve fqinje me forcë, për krijimin e Serbisë së madhe në Ballkan, pretendime nga të cilat, ajo as që ka hequr dorë”, shprehet Qarri për “Bota sot”.

Qarri thotë se Kosova duhet ta forcojë ushtrinë sa me shpejtë bashkë më të gjitha kapacitetet mbrojtëse të saj.

“Ndaj Kosova duhet medoemos sa më shpejtë që të jetë e mundur, ta forcojë ushtrinë dhe të gjitha kapacitetet e veta mbrojtëse, t’i thellojë marrëdhëniet me SHBA-të dhe vendet mike në Evropë, dhe me ndihmën e tyre ta bëjë ngritjen e profesionalizimin, si dhe pajisjen e gjithanshme të ushtrisë së vet të re, me mjetet më moderne mbrojtëse, në mënyrë që ajo të jetë në gjendje ti ofrojë siguri vendit dhe garantojë kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Kosovës, nga çdo agresion i jashtëm, veçanërisht nga Serbia okupatore, kërcënimet e të cilës rifreskohen përditshëm”.

Për fund, Qarri deklaron se Serbia mbetet rrezik i përhershëm për tërësinë territoriale të Kosovës.

“Siç u dëshmua edhe nga zhvillimet e fundit, Serbia përveçse mbetet rrezik i përhershëm për tërësinë territoriale dhe vet shtetin tonë të brishtë, ajo me gjithë praninë e forcave të NATO-s, dëshmoi se nuk heziton ta kërcënoj edhe me ripushtim ushtarak Republikën e Kosovës, ndaj prioritet i vendit tonë para së gjithash, duhet të mbetet forcimi adekuat i shtetësisë si dhe ngritja e kapaciteteve të forcave mbrojtëse, ushtrisë dhe policisë së vendit tonë, ngase po dëshmohet qartë, se paraqitja e "non-papperësve" fantom, nuk ishte vetëm rastësi, por edhe paralajmërim për ndryshimin praktik të kufijve dhe pushtimin territorial të vendeve që nuk janë në gjendje ta mbrojnë vetveten nga pretendimet territoriale të Serbisë hegjemoniste edhe në shekullin XXI”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat