“Ankthi i Kosovës”/Publicisti përmend të bëmat e Thaçit - ja planet e tij

Politika

“Ankthi i Kosovës”/Publicisti përmend të bëmat e Thaçit - ja planet e tij

Nga: M.H. Më: 23 tetor 2021 Në ora: 22:41
Hashim Thaçi

Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi qe një kohë është dërguar në Hagë për krime të luftës.

Që nga ajo kohë vizitat janë shumë të rralla, i fundit që i vizitoi ishte kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Ai nga kjo vizitë deklaroi që koha e Thaçit nuk ka mbaruar dhe se Kosova ka nevojë për të.

Në lidhje me këtë temë për “Bota sot”, ka folur publicisti Idriz Zeqiraj, i cili ia numëroi të bëmat e Pacollit duke cekur që AKR-në e ka krijuar Thaçi dhe se kur ky i fundit e bëri ministër të Jashtëm, dështoi dhe u shkarkua.

Kosova ka nevojë për presidentin Hashim Thaçi, sepse ndërtimi i shtetit të Kosovës, nuk ka përfunduar ende",- është deklarata shokuese e kameleonit Behgjet Pacolli! Nostalxhiku i Hashimit, kozmopoliti Pacolli, është profiter i dorës së parë, madje, unik, i Shefit të tij, Hashim Thaçi:

1) - Aleanca Kosova e Re -, me kryetar Pacollin, është krijesë e Hashimit;

2) Me klakulime banditeske, e bëri president Pacollin. Por gaboi në matematikën e numrave dhe u shkarkua;

3) E bëri Pacollin ministër të Jashtëm, i cili "la nam" me skandale numerike dhe mashtrime e gënjeshtra pa fije mbulese;

4) Hashimi e favorizoi, skajshëm, Pacollin në aleancat qeverisëse. Me dy deputetë, ai gëzoi 4 (katër) ministri”, u shpreh publicisti.

Më tej, ai shton edhe të bëmat e Thaçit që i bëri për Kosovën duke thënë se faktet janë kokëforta dhe se në atë kohë Thaçi ishte president aksidental dhe i katapultuar.

Image
Idriz Zeqiraj

Hashim Thaçi, një president aksidental, i katapultuar në krye të shtetit, me sforcim dhe blerje votash, i ndihmuar nga aleatë të shantazhuar nga SHIK-u i tij, pësoi degradim të plotë dhe të pritshëm. Pësimi e degradimi, nuk është, thjeshtë, personal. Ai zvetnoi dhe degradoi edhe partinë-bandë të tij, PDK-në, sepse ajo nuk u distancua nga "të bëmat" e kryeshefit të saj, Thaçi, me shokë! Mbrojtja anakronike që PDK-ja ia bënë themeluesit të saj, Hashim, me shokë, flet vet karandisja e saj. Faktet janë kokëforta: Pazaret me Veriun e Mitrovicës; zgjërimi i hapësirës tokësore rreth Manastirit të Deçanit; aprovimi i 6 pikëshit të Baki Munit; konspiracioni me autoritetet e Malit të Zi, për Demarkacionin dhe aprovimi i faljes të territorit të Kosovës; nënshkrimi dhe ratifikimi i Asociacionit, duke e bërë Serbinë hisedare në Kosovë; nisma e frikëshme e ndarjes të Kosovës, të lëndëzuar dhe e faktuar me pagesë lobuese, në Qendrat e Vendosjes Ndërkombëtare; falja e Veriut të Mitrovicës; zhbërja e Gjykatës Speciale; falja e krimeve reciproke dhe pajtimi me Serbinë”, shprehet ai.

Publicisti thotë se presidenti do të duhej të punonte për shtetin e Thaçi ishte i kundërti, ai shiti tokat shtetërore duke ndihmuar në rrënimin e vendit.

Thaçi, si kryeministër, më vonë president, abuzoi me pasuritë e brezave shqiptarë, thotë më tej ai.

Hashimi president, binte ndesh qysh në nënin e parë të Kushtetutës të Kosovës, ku presidenti kërkohet të jetë unifikues i popullit. Përkundrazi, ai ishte përçarësi i madh, deri në polarizimin e shoqërisë kosovare. U "zgjodh" president i vendit, në mënyrë banditeske dhe sundoi si bandit, me intriga e dallavere. Kujtoni trokitjen në derën e një deputeti në mesnatë, për ta marr një votë, duke sajuar, me harrnime, një qeveri jo legjitime, pasi kishte rrëzuar, me intriga e kalkulime, një qeveri të ligjshme! Hashim Thaçi, si kryeministër, më vonë president, abuzoi me pasuritë e brezave shqiptarë, duke i shitur e përshitur tokat shtetërore; tenderimet nepotike e korruptive; rrënimin e sistemit të drejtësisë, kapjen e të gjitha gjykatave; amnestimin e kryetarëve komunalë, korruptivë e kriminalë, të PDK-së; lirimin nga akuzat dhe penalizimi faktik i klanit - Pronto -; amnestimin e Komisionit abuzues e shpërdorues, të qindra milionë euro, me shitjen e "Dëshmive të Veteranve" dhe aferave tjera kriminale”, thekson Zeqiraj.

Nga ana tjetër, publicisti përmend avokatët e ish-ushtarëve të UÇK-së, duke thënë se në këtë krizë të vendit kanë paguar me miliona euro edhe pse avokatët mund të pranojnë këtë shumë ta parave, por ngulmimi i tyre, gjithsesi, është idiotesk.

Avokatët e "djemëve tanë", për të cilët Kosova, në fukarallëkun e saj, ka ndarë, deri tani, 25 milionë euro, janë kategorikë se burgjet rurale të turturës, nuk kanë ekzistuar në: Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Cahan-Kukës, Rahovec, Kaçanik e gjetkë. Avokatët botërorë edhe mund t`i kuptojmë, në një masë, sepse i ndajnë detra e oqeane nga Kosova. Por, ngulmimi i tyre, gjithsesi, është idiotesk, sepse këto dhe burgje tjera ahure, ngujore të bagëtive, kanë qenë faktike dhe dëshmohen nga qindra të mbijetuar, familjarët e tyre dhe qytetarët vendorë të Kosovës”, shprehet ai.

Ndërsa në lidhje se a ka nevojë Kosova për Thaçin, publicisti thotë se jo duke shtuar se me lirimin e Thaçit është liruar Kosova nga ndarja.

A ka nevojë Kosova për ish-presidentin Hashim Thaçi, sepse, sipas Pacollit, ndërtimi i shtetit të Kosovës, nuk ka përfunduar ende?! Dhe, përgjigja e saktë është: Absolutisht, jo. Kosova nuk ka nevojë për ish-presidentin Thaçi. Përkundrazi, Kosova po frymon më shpengueshëm, në mungesë të Thaçit, e liruar, pjesërisht, nga ankthi i ndarjes të Kosovës, mision i nismuar nga ish-Presidenti Hashim Thaçi dhe presidenti serb Aleksander Vuçiq”, potencon publicisti.

Në fund ai thotë se për Thaçin mund të ketë nevojë vetëm Pacolli dhe askushë tjetër.

“Për Thaçin kanë nevojë bashkëmendimtarët e tij, sidomos, kozmopoliti, Behgjet Pacolli, i cili, ka deklaruar se "Mitrovicën e Veriut duhet ta qeverisin, së bashku, Serbia dhe Kosova!" Lë ta gjykojë këtë, pa emocione dhe paragjykime, lexuesi i vëmendshëm, opinoni publik. Dhe, e vërteta, mund të vonojë, por kurrë nuk gabon”, përfundoi Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat