A po ‘shlyhen’ vijat e kuqe ndërmjet PDK-së dhe Vetëvendosjes?! Analistët tregojnë befasinë e radhës

Politika

A po ‘shlyhen’ vijat e kuqe ndërmjet PDK-së dhe Vetëvendosjes?! Analistët tregojnë befasinë e radhës

Arife Morina Nga Arife Morina Më 28 tetor 2021 Në ora: 08:25
Foto ilustrim

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit dërguan në balotazh shumicën e komunave, duke u hapur mundësinë partitë politike për shqyrtim të koalicioneve mes vete.

Një nga kandidatët e parë që ka bërë ftesë publike dhe zyrtare për koalicion është kandidati i PDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

Ai ftesën për koalicion ia ka bërë Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, në mënyrë që t’i bashkojnë forcat përballë kandidatit të LDK-së, Xhafer Tahiri.

Idrizi ka thënë se kanë kërkuar koalicion me LVV-në për shkak të votave që ky subjekt ka arritur të sigurojë në këto zgjedhje.

“Unë i kam bërë ftesë subjekteve politike, madje shumë shpejtë do të shihni që edhe ato subjekte politike që e kanë mbështetur zotin Tahiri do të kthehen në mbështetjen time si kandidat dhe tash po presim edhe përgjigjet e tyre. Ne jemi të hapur për të gjitha partitë politike dhe grupet e interesit por veçanërisht i kemi bërë ftesë Lëvizjes Vetëvendosje, një ftesë zyrtare që të kemi një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje për shkak të fuqisë së votës që e ka në këto zgjedhje, numrit të ulëseve që i ka fituar në asamble komunale si dhe për shkak se ata krijuan një përvojë në qeverisjen në mandatin e kaluar edhe pse nuk shkoi kjo deri në fund, pasi që zoti Tahiri i largoi nga koalicioni me disa justifikime që i ka paraqitur”, ka deklaruar ai.

Idrizi ka thënë se ende nuk kanë marrë përgjigje nga Vetëvendosje.

Këto parti politike njihen për kundërshtimet e mëdha që kanë mes vete, të cilat edhe i kanë penguar më parë që të bëjnë ndonjë koalicion eventual.

E lidhur me mundësinë e koalicionit LVV-PDK kanë folur analistët politik në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot”.

Ata e vlerësuan si normale mundësinë e bashkëpunimit, ndërmjet këtyre partive politike që nuk kanë bashkëpunuar më parë.

Mehazi: Vijat e kuqe të partive armiqësore nuk vlejnë gjatë zgjedhjeve lokale

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi ka komentuar mundësinë e një koalicioni ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës në nivel lokal, më saktësisht në komunën e Vushtrrisë.

Ai këto koalicione të partive politike në Kosovë i krahasoi me partitë politike në Maqedoni.

“Në politikë çdo gjë është e mundshme, bashkëpunimi koalicionues i PDK-së me LVV-në në Vushtrri nuk është më interesante sesa bashkëpunimi koalicionues i dy partive nacionaliste maqedone-shqiptare të VMRO-se dhe ASH-AAA në RMV, në Maqedoninë e Veriut. Partia e VMRO-së për pak nuk e plagosën për vdekje kryetarin e ASH-së shqiptare Ziadin Selen, por ja që gjatë zgjedhjeve lokale për të mposhtur partitë në pushtet ASH-VMRO ishin të detyruar jo vetëm në nivel të një komune sikurse PDK-ja me LVV-në në Vushtrri, por të koalicionojnë frontalisht në të gjitha komunat të Maqedonisë Veriore”, deklaroi profesori.

Sipas Mehazit, vijat e kuqe të partive politike zbehen në zgjedhjet lokale dhe ato më shumë vlejnë në zgjedhjet parlamentare.

Image
Sulejman Mehazi

 

Madje, ai u shpreh se nuk ka asgjë të keqe që LVV dhe PDK të bashkohen në Vushtrri për ta mposhtur LDK-në.

“Përvojat e partive politike në botë kanë treguar se interesat partiake tejkalojnë vijat e kuqe ndaj kundërshtarëve politik, vijat e kuqe të partive armiqësore nuk vlejnë gjatë zgjedhjeve lokale dhe se këto vija të kuqe më shumë vërehen gjatë zgjedhjeve parlamentare sesa atyre lokale.

Nëse LVV-ja e PDK-ja e Vushtrrisë e shohin të arsyeshme e të nevojshme bashkimin e tyre për ta mundur LDK-në gjatë balotazhit, ju lejohet e asnjë të keqe nuk do ketë”, theksoi ai.

Në vazhdim, profesori tha se raundi i balotazhe është votë për pazare politike, nëse kjo gjë do t’i konvenojnë dhe të jetë i dobishëm, atëherë LVV do të bëjë koalicion me PDK.

“Raundi i parë si gjithmonë është votë e partive politike, si përherë raundi i balotazheve është votë e pazareve politike, nëse ky pazar politik i konvenon LVV-së do të bëjë koalicion, nëse jo nuk do bëjë koalicion më PDK-në.

Nëse pazari politik i LVV-së me PDK-në është i dobishëm për vetë degën e LVV-së së Vushtrrisë pse mos të bëjë koalicion me PDK-në, vetëm në këtë mënyre përmbyset LDK-ja në këtë komunë’, nënvizoi Mehazi.

Në fund, ai zgjedhjet lokale i vlerësoi si të çuditshme, sepse tani gjatë balotazheve do të tejkalohen vijat e kuqe të partive politike.

“Zgjedhjet lokale janë më të çuditshme sesa zgjedhjet parlamentare, shpesh ndodh që gjatë balotazheve të zgjedhjeve lokale të tejkalohen vijat e kuqe partiake, vijat e kuqe më shume prezente janë gjatë zgjedhjeve parlamentare sesa gjatë atyre lokale”, përfundoi Sulejman Mehazi.

Shahu: VV dhe PDK nuk u qëndrojnë pas ‘vijave të kuqe’

Kurse, analisti tjetër politik, Rexhep Shahu beson se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ketë vija të kuqe për partitë e tjera politike, gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.

Ai tha se njëjtë është situata në PDK, por vlerësoi se LDK është partia më besnike në Kosovë ndaj vijave të kuqe.

Image
Rexhep Shahu

 

“VV për pushtet nuk njeh vija të kuqe, nuk i përfill vijat e kuqe sepse për VV pushteti është gjithçka. Edhe për PDK nuk besoj të funksionojë ndonjë pengesë morale që të marrë pushtet. Pak më e moralshme dhe që u qëndron vijave të kuqe është LDK në skenën politike të Kosovës”, deklaroi Shahu.

Ndër të tjera, analisti tha se edhe nëse VV bënë koalicion me PDK-në, elektorati i saj nuk do ta ndëshkojë.

Kurse, nga elektorati i PDK-së, paralajmëroi edhe reagime nëse ndodhë ky koalicion.

“Kështu që për VV nuk është as e re, as e ndaluar nga asnjë vijë e kuqe, marrja e pushtetit me çdo çmim. Elektorati i VV nuk pret asgjë, ai elektorat është gati të mos mendojë sepse për të mendon Albini dhe ai është elektorat i verbër politikisht, është një ushtri anonime që ndjek shenjat e komandant Albinit. Ndërsa elektorati i PDK edhe mundet të reagojë e të mos harrojë imoralitetin politik”, përmbylli Rexhep Shahu, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat