Rinis dialogu i shqiptarëve me Qeverinë e Serbisë, Hasani: Të mbikëqyret nga BE-ja 

Politika

Rinis dialogu i shqiptarëve me Qeverinë e Serbisë, Hasani: Të mbikëqyret nga BE-ja 

Nga: A.M. Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 00:02
Refik Hasani

Ka rinisë dialogu i ngecur në mes të qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesve shqiptarë të Kosovës Lindore.

Gjatë procesit të dialogut pritet të bisedohet  rreth platformës politike të aprovuar për të drejta në arsim, kulturë, informim, simbole kombëtare, dygjuhësinë dhe zhvillimin ekonomik.

Lidhur më këtë, profesori Refik Hasani, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se dialogu u zhvilluar që nga paslufta e UÇPMB-së deri më tani nuk ka pasur asnjë rezultat.

"Dialogu i realizuar që nga përfundim i luftës së UÇPMB-ës gati asnjë rezultat nuk ka arrit, do të duhej  dialogu i ngecur në mes të qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesve shqiptarë të Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës, të jap rezultate dhe të caktohen afate dhe i gjithë dialogu do të duhej të jetë nën organizimin dhe mbikëqyrjen e instancave dhe mekanizmave të BE-së", ka deklaruar ai. 

Gjithashtu, profesori ka treguar se me çfarë përballën vazhdimishtë shqiptarët.

“Shqiptarët në Republikën e Serbisë, vazhdojnë të përballen duke u diskriminuar, pasi mungon rregullimi me ligj për përdorimin e simbolit tonë kombëtar shqiptar, Flamurit. Ende mbetët për tu dëshiruar rritja e të punësuarve në administratën Komunale të tri Komunave, gjeodezi, kadastër, veçmas mungon përfaqësimi  si në Gjykata, Prokurori,  Shëndetësi, Administratë Tatimore. Policia Multietnike ende në numër të vogël në krahasim me numrin e popullatës dhe mungon përfaqësimi në zinxhirin komandues të Policisë në këtë Krahinë Shqiptare të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë”, ka thënë ai.

Po ashtu, Hasani ka treguar se për çfarë çështje duhet të ketë zgjidhje.

“Në dialogun mes shqiptarëve të Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës dhe qeverisë Serbe, është domosdoshmëri e kohës që të gjejnë zgjidhje, pasi mungon liria e lëvizjes, ka shumë frikë e psikozë për shkak që në këtë Krahinë kemi disa baza ushtarake me një arsenal të madh armatimi të përqendruar krejt afër kufirit me Kosovën. Ushtria dhe Xhandarmëria Serbe nuk ju përmbahet obligimeve në bazë të marrëveshjes së Konçulit dhe vazhdon kurdisja e gjyqeve politike ndaj  pjesëtarëve të  UÇPMB-ës”, ka shpjeguar ai.

Më tej, ai ka thënë se ndaj shqiptarëve po vazhdon të ketë pastrim etnik.

“Shqiptarët në Republikën e Serbisë, janë të diskriminuar, pasi po ju pasivizohen adresat e tyre dhe kjo është një pastrim etnik, po tentohet  sikur shqiptarët e Medvegjë të dëbohen, kjo të ndodhë edhe në Bujanoc e Preshevë ku shumica janë shqiptarë”, ka shtuar ai.

Më tej, profesori ka kërkuar që të rikthehet Lapidari i UÇPMB-ës në Preshevë dhe se shpresoj që dialog të mos jetë vetëm dekor sa për t`i plotësuar kushtet e Serbisë për të hyrë në BE.

“Në dialogun e qeverisë Serbe, do të duhej marrë parasysh që Lapidari i UÇPMB-ës në Preshevë i hequr nga forca Policore të kthehet në vendin e vetë. Dialogu nuk ka asnjë kuptim nëse nuk  ndahen mjete për arsim, kulturë, informim,  dhe të investohet në zhvillimin ekonomik, pasi kjo krahinë është Rajoni më i prapambetur në gjithë Evropën.  Në këtë krahinë mungon një Universitet publik në Gjuhën Shqipe e në anën tjetër ende nuk  pranohen diplomat e Republikë së Kosovës.  Mbi të gjitha Qeveria e Serbisë nuk e ka zgjidhur çështjen e statusit politik të shqiptarëve të kësaj krahine, edhe pse  më datën 1 e 2 Mars 1992, është mbajtur Referendumi, e për të cilën do të duhej të shtrohet për diskutim. Dialogu mes shqiptarëve dhe qeverisë Serbe, të mos jetë vetëm dekor sa për të plotësuar kushtet e Serbisë se gjoja është duke i plotësuar për në BE”, ka përfunduar Hasani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat