“Shqiponja me një kokë ha veten, po flas si fallxhor”, zbulohet prapavija e deklaratave të Ramës për bashkimin kombëtar

Politika

“Shqiponja me një kokë ha veten, po flas si fallxhor”, zbulohet prapavija e deklaratave të Ramës për bashkimin kombëtar

Nga: G.B Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 14:17
Edi Rama dhe Albin Kurti, Elbasan, 26 nëntor 2021

Çështja e bashkimit kombëtar së fundmi është mjaft aktuale.

Ishte kryeministri Albin Kurti që deklaroi se kjo duhet të ndodhte e më pas një studim i bërë në Shqipëri tregoi se 80 për qind e shqiptarëve janë pro bashkimit Kosovë-Shqipëri.

Natyrisht që kjo temë u përmend edhe dje gjatë konferencës Rama-Kurti në Elbasan, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive shqiptare, ku u nënshkruan 13 marrëveshje.

Kryeministri Rama u shpreh se hipotetikisht do të votonte pro bashkimit kombëtar, përmes një referendumi të paqes.

“Nëse më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor për bashkim kombëtar, unë do të bëja një shkelje të ligjit për fshehtësinë e votës, do votoja hapur pro. Tani në rast se pyesni se a do ndodh kjo apo jo, meqë ju po më provokoni, do të ndodhi, por kur nuk e di, kur do ndodhi, si do ndodhi sot, por që kjo do ndodhi një ditë, unë them që po. Atyre që mund ta marrin këtë dhe të dalin bërtasin për Shqipërinë e madhe, fallxhorët nuk gjykohen se është një fall, nëse unë do hidhja fall në këtë rast, po e hedh me imagjinatë se nuk shoh filxhan, kjo do ndodhi, por kur nuk e di”, tha Rama.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nuk mund të vendosen mbi procese të tilla historike e të përcaktohen data e mënyra.

“Mua më duket që ka më shumë një moskuptim se keqkuptim tek çështja e bashkimit të shqiptarëve. Ai nuk është një gjësend që e zgjedhim, është një intencë kolektive që na zgjedh ose përzgjedh neve, s’mund të vendosemi ne mbi procese të tilla historike e të përcaktojmë data e mënyra”, tha Kurti,

Por, Rama bëri dhe një krahasim interesant të dy shteteve shqiptare me shqiponjën dykrerëshe, për të cilën tha se nëse bëhemi me një kokë do ta hamë veten.

“Nëse do më lejoni t’i referohem shqiponjës me dy koka është një trup i vetëm kur njëra kokë sheh nga njëra anë dhe tjetra nga ana tjetër por trupi qëndron drejtë, që do të thotë shqiponja është e informuar në 36- shkallë. Mos keni dyshim që shqiponja mund të kapet në befasi pasi i sheh gjërat nga të dyja anët, mos të keni asnjë shqetësim për këtë. Është e rëndësishme që në këtë periudhë jemi shqiponjë me dy koka, por kur të vijë dita të jemi me një kokë, është rreziku që ta hamë veten”, deklaroi Rama.

Lidhur me këto deklarata dhe mundësinë e bashkimit kombëtar, për gazetën “Bota sot” ka folur njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu.

Image
Rexhep Shahu

Sipas tij, Rama nuk është dhe nuk do të jetë kurrë për bashkim kombëtar dhe se nëse ndodh bashkimi Kosovë-Shqipëri pa hyrë Kosova në OKB, është bashkim i gjysmës së Kosovës me Shqipërinë ashtu siç do Serbia.

“Rama, partia e Ramës, pushteti i Ramës as ka qenë as është as nuk do të jetë asnjëherë për bashkimin kombëtar të Shqipërisë me Kosovën. Nëse ndodh bashkim kombëtar mes Shqipërisë e Kosovës pa hyrë Kosova në OKB e në NATO, do të thotë se ndodh bashkimi i gjysmës së Kosovës me Shqipërinë sepse e ndajnë Kosovën ashtu siç do Serbia, ashtu siç është projekti serb që gjysmën e Kosovës ta marrë Serbia e gjysmën Shqipëria. Edhe nëse ndodh ai bashkim, në formë federate apo konfederate i imponuar nga fuqitë e mëdha, pasi Kosova të hyjë në OKB e në NATO e në gjithë organizmat botërore, partia e Ramës nuk do ta pranojë pa iu garantuar në një mënyrë apo formë pushteti, pasi po të ndodhë hipotetikisht bashkimi kombëtar, nuk besohet se mund ta qeverisë e majta një shtet të bashkuar shqiptarësh. Kjo është frika themelore e të majtëve për bashkimin kombëtar”, ka thënë ai.

Shahu vlerëson se një shtet i bashkuar i shqiptarëve nuk mund ta ketë Ramën kryeministër, ndërsa krahasimi me shqiponjën thotë se është përdorur për propagandë ditore.

“Një shtet i bashkuar i shqiptarëve nuk mund ta ketë kryeministër Edi Ramën as llojin e tij në asnjë rrethanë. Fjalët e tjera që kanë përdorur Rama e Kurti për shqiponjën me dy krena e pallavra të tjera, janë bejtet që hartojnë Rama e Kurti në shouet që bëjnë për propagandën e tyre ditore”, është shprehur analisti.

Më tej, ai tregon se bashkimi kombëtar nuk thuhet por bëhet dhe për këtë tregon mënyrat se si mund të bëhet.

“Bashkimi kombëtar bëhet, nuk thuhet. Bashkimi kombëtar bëhet me librin, me abetaren, me gazetën e përbashkët, me televizionin e përbashkët, me edicionin e lajmeve të përbashkët, me një tekst historie të përbashkët, me një tekst gjeografie të përbashkët për gjithë klasat e nivelet e shkollimit, me gjithë tekstet shkollore të përbashkëta të njëjta, me detyrimin për të dorëzuar kopje të detyruara të librave në dy bibliotekat e Tiranës e të Prishtinës. Bashkimi kombëtar bëhet me martesa, me njohje, ende shqiptarët nuk e njohin njëri tjetrin, pasi Rama sillet si satelit i Serbisë dhe nuk ka kaluar ditë e orë e kohë në Kosovë sa në Serbi”, ka vlerësuar ai.

Shahu ka thënë se Rama e quan rrezik shqiponjën me një kokë pasi ai nuk mund të jetë në krye të tij, ndërsa që flet në cilësinë e një fallxhori pasi nuk e ka aspiratë bashkimin kombëtar dhe flet si fallxhorja, e cila nuk i beson gënjeshtrat e saj.

“Rama e quan rrezik se ha kokën e vet një shtet i bashkuar sepse nuk mund të jetë Rama në krye të tij në asnjë rrethanë por një shtet shqiptarësh i bashkuar natyrisht që është më i fortë se sa janë sot dy shtetet shqiptare të ndara. Rama e Kurti i cili tashmë nuk është për bashkim kombëtar kur është në pushtet por veç kur është në opozite, nuk janë për të votuar në referendumin që mund të bëhet, por janë për ta bërë atë referendum. Por ngaqë nuk e kanë aspiratë, nuk e bëjnë atë referendum. Ngaqë nuk e ka aspiratë ai tregohet i ndershëm se po flet në cilësinë e një fallxhori, po hedh fall, si fallxhorja që nuk i beson rrenat që ia thotë atij që i hedh fall”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat